Përfaqësuesit e Listës Serbe takohen me Huchet: Prioriteti ynë është paqja dhe mbijetesa, Franca të vazhdojë të kontribuojë në mbrojtjen e të drejtave të serbëve

MITROVICA
Burim: Srpska lista

Përfaqësuesit e Listës Serbe janë takuar sot me ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, me të cilin kanë biseduar për situatën politike dhe të sigurisë, si dhe për pozitën e popullit serb në Kosovë.

Siç thuhet në komunikatën e Listës Serbe, gjatë bisedës vëmendje e veçantë i është kushtuar raportit më të fundit të Komisionit Evropian, vlerësimet e të cilit dhe evidentimi i problemeve me të cilat përballet populli serb janë mirëpritur nga përfaqësuesit e Listës Serbe.

Ata kanë shprehur pritjen që Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare të këmbëngulin në mënyrë të vazhdueshme në respektimin e të drejtave të popullit serb, sundimin e ligjit dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë shprehur mirënjohje ndaj Francës për qëndrimin e saj të qartë dhe parimor se është i domosdoshëm formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, si dhe se të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen ekskluzivisht përmes dialogut dhe jo përmes veprimeve të njëanshme, të cilat rrezikojnë edhe më tej pozitën dhe të drejtat e popullit serb.

“Gjatë takimit u konstatua se Lista Serbe, me nëntë deputetë, dhjetë kryetarë komunash dhe më shumë se 115 asamblistë në kuvendet komunale, është përfaqësuese politike e ligjshme dhe legjitime e popullit serb në Kosovë dhe Metohi, me një mandat të qartë demokratik dhe përgjegjësi për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e tij”, thuhet në komunikatë.

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë theksuar se ruajtja e paqes, sigurisë dhe mbijetesa e popullit serb janë prioritetet e veprimtarisë së tyre politike, duke shprehur pritjen që Franca, si një nga shtetet kryesore të Bashkimit Evropian, të vazhdojë të kontribuojë në mënyrë aktive në mbrojtjen e të drejtave të popullit serb dhe zbatimin e vazhdueshëm të detyrimeve të marra përsipër.