Lista Serbe: Deputetët tanë do të mund të veprojnë në komisionet parlamentare gjatë procesit të miratimit të ligjeve

MITROVICA
Burim: Srpska lista

Grupi parlamentar i Listës Serbe njoftoi, pasi deputetët e kësaj partie u zgjodhën në të gjitha komisionet parlamentare, së bashku me anëtarët e grupeve të tjera parlamentare, se tani do t'u mundësohet të kenë qasje dhe të drejtën për të vepruar gjatë procesit të miratimit të ligjeve, gjë që u ishte pamundësuar në periudhën e mëparshme.

“Pas disa përpjekjeve të pasuksesshme, deputetët e Listës Serbe nga sot do të jenë të pranishëm në të gjitha komisionet parlamentare, në mënyrë që të kenë qasje dhe të drejtën për të vepruar gjatë procesit të miratimit të ligjeve, duke u mundësuar kështu paraqitjen e propozimeve përkatëse, gjë që u ishte pamundësuar në periudhën e mëparshme”, thuhet në njoftimin e publikuar në Instagram nga deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq.

Në njoftim shtohet se pjesëmarrja në punën e komisioneve parlamentare është e drejtë e deputetëve të të gjitha grupeve parlamentare.

“Por, për herë të parë, përmes manovrave të ndryshme, kjo e drejtë iu mohua deputetëve të Listës Serbe, si përfaqësues legalë dhe legjitimë të popullit serb”, thuhet më tej në njoftim.

Kuvendi i Kosovës, në seancën e sotme, miratoi me 63 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, zëvendësimin dhe riemërimin e anëtarëve të komisioneve parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje nuk kishte votuar për emërimin e anëtarëve të Listës Serbe në komisionet parlamentare në tri seancat e mëparshme, në të cilat kjo pikë ishte në rendin e ditës, ndërsa në seancën paraprake kjo pikë ishte tërhequr nga rendi i ditës me arsyetimin se do të kishte ndryshime në përbërjen e komisioneve parlamentare.