Petkoviq: Ëndrrat e Prishtines nuk janë temë dialogu, as nuk do të jenë ndonjëherë
Drejtori i Zyrës për Kosovën dhe Metohinë i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, tha se dëshirat dhe ëndrrat e Prishtines nuk janë temë e dialogut të Brukselit, as nuk do të jenë ndonjëherë, duke reaguar kështu ndaj deklaratës së kryenegociatorit të Prishtines në dialogun me Beogradin, Agron Bajrami, se Kosova nuk do të negociojë për ekzistencën e saj.
"Nëse z. Agron Bajrami nuk do të ishte deklaruar më në fund, askush nuk do ta dinte se Prishtina ka një negociator të ri në Bruksel, i cili rregullisht refuzonte ftesën e përsëritur të përfaqësuesit special të BE-së, Peter Sorensen, për dialog. Kjo është arsyeja pse nuk kemi pasur asnjë takim në Bruksel në nivelin e negociatorëve, edhe pse Beogradi është gjithmonë i gatshëm të flasë", shkroi Petkoviq në rrjetin social "X".
Ai tha gjithashtu se Bajrami duhet të mësojë bazat e dialogut, dhe pastaj të flasë për atë që është temë dialogu dhe çfarë jo.
"Si negociator i ri, zoti Bajrami duhet së pari të mësojë bazat e dialogut, dhe pastaj të flasë për atë që është dhe nuk është objekt dialogu. Sigurisht, dëshirat dhe ëndrrat e Prishtinës nuk janë objekt dialogu, as që do të jenë ndonjëherë!", përfundoi Petkoviq.
Dje, Bajrami tha në rrjetin social "X" se Kosova nuk do të negociojë për ekzistencën e saj, duke reaguar kështu ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq se Kosova është pjesë e Serbisë si sipas Kushtetutës ashtu edhe sipas drejtësisë së Zotit.
0 komentet