Petkoviq me Samelin: Kurti synon Kosovën etnikisht të pastër, nuk e intereson qetësimi i tensioneve

Petković i Samelin
Burim: Kancelarija za KiM

Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, ka biseduar sot me ambasadoren e Suedisë në Serbi, Charlotte Sammelin, lidhur me situatën aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë, duke u fokusuar veçanërisht te veprimet e fundit të njëanshme dhe të dhunshme të Prishtinës, me të cilat janë mbyllur mbi 35 institucione serbe, organe të përkohshme, qendra për punë sociale dhe zyra të Postës në jug të Ibrit.

Siç thuhet në deklaratë, Petkoviq ka theksuar se ky është një akt i paprecedentë i terrorit dhe dhunës ndaj serbëve, i cili ditë pas dite konfirmon aspiratat e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të dëbuar popullin serb dhe për të krijuar një Kosovë etnikisht të pastër.

Ai ka kujtuar se nga fillimi i qershorit të vitit të kaluar, deri më sot, kur BE-ja kërkoi qartë deeskalimin e situatës dhe tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu, Prishtina ka treguar hapur se nuk është e interesuar për qetësimin e tensioneve.

“Me mbylljen e institucioneve serbe, regjimi në Prishtinë po tregon më drejtpërdrejt se nuk ka ndërmend të formojë një BKS, sepse institucionet që sapo u mbyllën duhej të ishin baza e Bashkësisë së Komunave Serbe”, tha Petkoviq.

Ai po ashtu vuri në dukje presionet dhe pengesat e mëdha që regjimi në Prishtinë po i vendos në Listën Serbe, me qëllim që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të 9 shkurtit, i vetëdijshëm se vota për Listën Serbe është votë për mbijetesën e popullit serb.

“Beogradi as nuk dëshiron dhe as nuk po ndërmerr hapa që mund të shkaktojnë tensione dhe kriza të reja në terren, por Prishtina, me veprimet e saj të paarsyeshme dhe të njëanshme, po bën gjithçka që mundet për të përshkallëzuar situatën. Pavarësisht gjithçkaje, Beogradi mbetet thelbësisht i interesuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në krahinën tonë jugore dhe i kërkon komunitetit ndërkombëtar, kryesisht BE-së, të përdorë mjete vendimtare politike dhe diplomatike për të parandaluar lëvizjet e mëtejshme të Prishtinës, të cilat kërcënojnë të destabilizojnë rajonin dhe të çojnë në përballjet, dhe kështu e vënë në pikëpyetje vazhdimin e dialogut”, ka përfunduar Petkoviq.