Radojeviq për pengimin e restaurimit të muralit kushtuar Patriarkut Pavle: Për Mitrovicën e Veriut vlen ligji i forcës dhe i çizmes policore
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, njoftoi se Policia e Kosovës sot ka penguar restaurimin e muralit kushtuar Patriarkut Pavle, duke theksuar se për qytetarët e kësaj komune nuk vlejnë të njëjtat rregulla si për të tjerët.
Në një postim në Instagram, Radojeviq tha se, pavarësisht lejes së lëshuar nga Komuna e Mitrovicës së Veriut, policia ndaloi pikturimin e muralit dhe shoqëroi artistin Stefan Stojanoviq, ish-student i Universitetit të Mitrovicës.
“Sot duhej të restaurohej muri i pikturuar kushtuar Patriarkut tonë Pavle. Megjithatë, përkundër lejes së rregullt dhe ligjore të Komunës së Mitrovicës së Veriut, policia e pengoi realizimin e muralit, ndërsa artistin Stefan Stojanoviq, ish-student i universitetit tonë, e shoqëroi në stacionin policor dhe i shqiptoi një kundërvajtje, duke e kërcënuar gojarisht se duhet të largohet nga Kosova brenda një ore”, deklaroi Radojeviq.
Ai shtoi se nga zyrtarët policorë kishte marrë përgjigjen se për pikturimin e muralit nevojitej leje nga ministria, por, sipas tij, nuk iu sqarua se në cilin ligj bazohej kjo kërkesë.
Radojeviq vlerësoi gjithashtu se zyrtarët policorë u sollën në mënyrë të papërshtatshme ndaj figurës dhe veprës së Patriarkut Pavle, duke thënë se kishin deklaruar: “Për këtë prift do të shohim nëse do të japim leje.”
Sipas tij, artistit dhe drejtorëve komunalë në stacionin policor u është thënë se leja e lëshuar nga Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk është e vlefshme.
“Tani është më se e qartë se për komunën tonë nuk vlejnë ligjet që vlejnë për disa komuna të tjera, por ligji i forcës dhe i çizmes policore”, shkroi Radojeviq.
Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që qytetarëve të Mitrovicës së Veriut t’u garantohet liria e shprehjes dhe e marrjes së vendimeve në përputhje me ligjet në fuqi.
“Gjithçka do të kalojë, por shpirti, nderi dhe ajo që është e mirë mbeten”, përfundoi Radojeviq.
0 komentet