Radojeviq: Udhëzimi Administrativ për këshillin e përbashkët kërcënon stabilitetin e Komunës së Mitrovicës së Veriut

1
Burim: Kosovo Online

Kryekomunari i Mitrovicës së Veriut Millan Radojeviq tha se udhëzimi administrativ për formimin e këshillit të përbashkët të Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut që është nënshkruar nga ministri kosovar për vetqeverisje vendore Elbert Krasniqi, nuk kontribuon në qetësimin e situatës, por mund të ketë pasoja serioze për funksionimin e Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Vuri në dukje se dokumenti, në vend që të kontribuojë në ndërtimin e besimit mes dy komunave, përmban një sërë dispozitash të kontestuara të cilat, sikurse thotë, çelin hapësirë për mbivotim dhe imponim vendimesh, të cilat mund të çojnë deri në heqjen graduale të kompetencës së Komunës së Mitrovicës së Veriut.
"Udhëzimi i djeshëm administrativ që është firmosur nga ministri i vetëqeverisjes vendore për krijimin e këshillit të përbashkët të komunave të Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut, absolutisht nuk kontribuon në asnjë pajtim, as në krijimin e urave të besimit mes dy komunave. Përkundrazi, udhëzimi administrativ përmban një sërë dispozitash që, të jem i sinqertë, më shumë e rrezikojnë Komunën e Mitrovicës së Veriut sesa mund të kontribuojnë në zhvillimin e saj apo në ndonjë gjë tjetër", tha Radojeviq.

Duke folur për dispozitat e kontestuara të udhëzimit administrativ, Radojeviq vuri në dukje veçanërisht zgjidhjet që lidhen me përbërjen e këshillit të përbashkët dhe zgjedhjen e udhëheqjes së tij, duke vlerësuar se model i tillë mund të çojë në mbivotim dhe prishje të ekuilibrit mes dy komunave.
"Për shembull, në nenin 4, i cili rregullon përbërjen e këshillit, definohet se këshilli ka pesë anëtarë nga Komuna e Mitrovicës së Jugut dhe po kaq nga Komuna e Mitrovicës së Veriut, por problematik është neni 4 ku parashikon që drejtuesi i këtij këshilli emërohet nga Qeveria e Kosovës. Në këtë moment, kur dimë që Kurti është në krye të kësaj qeverie, është e qartë se kjo nuk është në favor të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Ajo çka qytetarët gjithashtu duhet të dinë është se themelimi i këtij këshilli ishte pjesë e planit të Ahtisaarit, por një dispozitë shumë e rëndësishme e atij plani, ishte që drejtuesi i këshillit duhet të jetë përfaqësues i bashkësisë ndërkombëtare dhe jo që t’a zgjidhë kryeministri i Kosovës. Në këto rrethana, ku institucionet nuk funksionojnë siç duhet dhe ku po i afrohemi madje zgjedhjeve të reja, emërimi i drejtuesit nga Kurti absolutisht nuk do t'i kontribuonte Komunës së Mitrovicës së Veriut, as qytetarëve të saj", tha ai.
Duke folur rreth dispozitave problematike, përmendi dhe Nenin 6, i cili i jep drejtuesit pothuajse të gjitha kompetencat e komunës dhe kryekomunarit, sepse ai përfaqëson këshillin dhe para pushtetit qëndror dhe institucioneve të tjera përkatëse. Gjithashtu, Neni 12 është shënuar si i diskutueshëm, sepse parashikon që drejtuesi ka votën vendimtare në këshill çka do të thotë se, në rast se pesë anëtarë nga një komunë votojnë dhe kryetari anon nga ajo anë, vendimet do të bëheshin të detyrueshme për të dy komunat. Sipas fjalëve të Radojeviqit, vendime të tilla mund t'i imponohen Komunës së Mitrovicës së Veriut, çka ngre shqetësime se në cilin drejtim mund të shkojë ligji.
Kryekomunari i Mitrovicës së Veriut thekson se ky udhëzim administrativ nuk kontribuon në qetësimin e situatës dhe tensioneve mes komunave të Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut, por, përkundrazi, ka për synim të shfuqizojë gradualisht juridiksionin e Komunës së Mitrovicës së Veriut. 
Pyetjes se çfarë roli dhe rëndësie praktike planifikimi mund të ketë këshilli i përbashkët i Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut, si dhe nëse ai do të kontribuojë në trajtimin e barabartë të të gjitha komuniteteve në terren, kritikoi qasjen e deritashme të institucioneve vendore e qëndrore, duke theksuar se pret angazhim të barabartë të të gjitha palëve ndaj të gjithë qytetarëve.
"Kjo është pyetje si për këshillin, ashtu dhe për qeverinë dhe për kryekomunarin Mitrovicës së Jugut të cilët sikurse shikojmë, kanë qasje mjaft agresive ndaj Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe janë shumë të azhurnuar kur është fjala për ndihmën e qytetarëve me kombësi shqiptare në Mitrovicën e Veriut. Të jemi të sinqertë, si komunë respektojmë të gjithë qytetarët që jetojnë në territorin e saj dhe me krenari theksojmë se jemi mjedis urban multietnik. Por do të dëshironim t’a shikonim këtë multietnicitet dhe në Mitrovicën e Jugut. Do të donim të shikonim që si kryeministri ashtu edhe kryekomunari Mitrovicës së Jugut me të njëjtin intensitet t'i ndihmojnë sërbët të kthehen në apartamentet e tyre në pjesën jugore të Mitrovicës, t'i ndihmojnë në rindërtimin e tyre, t'u sigurojnë ambiente biznesi që të zhvillojnë bizneset e tyre. Kjo do të ishte qasje e barabartë që do t'i ndihmonte qytetarët e të dy komunave", tha ai. Radojeviq beson se qasje të tilla kanë qëllim të qartë dhe kjo është mbyllja e plotë e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe bashkimi i Mitrovicës në një komunë të vetme, pra në një qytet i cili, siç e kanë theksuar vazhdimisht, është qëllimi i lëvizjes Vetëvendosja dhe vetëm për këtë dhe i kësaj qeverie.
Duke folur për hapat e mëtejshëm, vuri në dukje se vërrejtjet tashmë u janë përcjellë përfaqësuesve ndërkombëtarë, nën pritshmëritë se ata do t’a njohin seriozitetin e situatës dhe do të reagojnë me synim mbrojtjen e interesave të qytetarëve.
"Sigurisht, këtë udhëzim administrativ e ndamë me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe thame dispozitat problematike, sikurse bëjmë përmes kësaj rruge dhe duke informuar publikun. Shpresojmë që bashkësia ndërkombëtare do t’a kuptojë seriozitetin e këtij dokumenti dhe se ai nuk kontribuon në atë çka duhet të jetë qëllimi i tij themelor-ndërtimi i besimit. Përkundrazi, në situatën që shikojmë qasje mjaft agresive nga komuna e Mitrovicës së Jugut dhe pushteti qëndror ndaj Komunës së Mitrovicës së Veriut, presim që bashkësia ndërkombëtare të marrë qëndrim të qartë dhe të ndihmojë që situata të zgjidhet në interes të qytetarëve", tha në fund Radojeviq. 

Udhëzimi administrativ për Këshillin e Mitrovicës, që u nënshkrua nga Krasniqi, sipas fjalëve të ministrit kosovar, shërben për të rregulluar "organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Mitrovicës", ku sikurse tha, do të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm në bashkëpunimin mes dy komunave dhe në realizimin e projekteve të përbashkëta që përmirësojnë jetën e qytetarëve.