BE dhe Britania e Madhe: Të përkushtuara ndaj stabilitetit dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor
Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, në një deklaratë të përbashkët pas samitit të dytë BE–Mbretëri e Bashkuar, të mbajtur sot në Bruksel, konfirmuan përkushtimin e tyre ndaj stabilitetit dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor. Në deklaratë, ndër të tjera, thuhet se BE dhe Britania e Madhe ndajnë të njëjtin përkushtim për mbrojtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara.
“Rikonfirmojmë përkushtimin tonë ndaj stabilitetit dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor. U pajtuam të punojmë së bashku për forcimin e agjendave të tyre të brendshme reformuese – përfshirë sundimin e ligjit, demokracinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar – si dhe për adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë dhe nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike”, thuhet në një nga pikat e deklaratës së përbashkët.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se BE dhe Britania e Madhe, në një kontekst gjeopolitik gjithnjë e më kompleks dhe sfidues, janë të përkushtuara ndaj bashkëpunimit të ngushtë në kuadër të partneritetit strategjik, si dhe përmbushjes së përgjegjësisë së përbashkët për sigurinë e Evropës dhe më gjerë.
U rikonfirmua mbështetja e palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Rusia u dënua si agresore, siç është publikuar në faqen e internetit të Komisionit Evropian.
Njëkohësisht, Moskës iu bë sërish thirrje që t'i japë fund menjëherë luftës kundër Ukrainës dhe të pajtohet me një armëpushim të plotë, të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar.
“Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë gjatë gjithë procesit të negociatave, me qëllimin e përbashkët për arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme”, thuhet në deklaratë.
Theksohet se bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përbën një prioritet të përbashkët, veçanërisht për shkak të “kërcënimit afatgjatë që Rusia paraqet për sigurinë e BE-së dhe Britanisë së Madhe”.
“Kjo nënkupton edhe angazhimin për ndërtimin e një Evrope më të fortë brenda një NATO-je më të fortë. Në mjedisin aktual të sigurisë, për Bashkimin Evropian, partneriteti strategjik me NATO-n, në të cilin palët forcojnë njëra-tjetrën, është i një rëndësie thelbësore për sigurinë euroatlantike. Për Mbretërinë e Bashkuar dhe 23 shtetet anëtare të BE-së që janë njëkohësisht aleate të NATO-s, Aleanca Atlantike mbetet themeli i mbrojtjes së tyre kolektive”, thuhet në deklaratë.
Vlerësohet se siguria evropiane do të forcohet, ndër të tjera, edhe përmes mbështetjes së Ukrainës në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus.
Në deklaratë theksohet se BE-ja dhe Britania e Madhe përballen me kërcënime të përbashkëta dhe ndajnë të njëjtin përkushtim për mbrojtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Ato dënuan sulmet e Iranit ndaj vendeve të rajonit dhe anijeve në Ngushticën e Hormuzit, duke shprehur njëkohësisht solidaritet me partnerët rajonalë.
“Rikonfirmojmë përkushtimin tonë për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme diplomatike, e cila do të përfshinte edhe çështjen e Ngushticës së Hormuzit dhe programin bërthamor iranian. Irani nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore dhe duhet të bashkëpunojë plotësisht me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA). Irani duhet të ndërpresë aktivitetet e tij destabilizuese në rajon dhe sulmet hibride në territorin e Evropës”, theksohet në deklaratë.
U dënua gjithashtu përshkallëzimi ushtarak i rebelëve Huthi në Jemen, si dhe sulmet e tyre ndaj Arabisë Saudite, ndërsa Huthëve iu bë thirrje që të ndërpresin menjëherë të gjitha aktivitetet ushtarake, përfshirë sulmet ndaj anijeve civile, të cilat rrezikojnë sigurinë detare në Detin e Kuq dhe Ngushticën Bab el-Mandeb.
Gjithashtu, u përsërit thirrja për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe së drejtës ndërkombëtare humanitare, mbrojtjen e civilëve, sigurimin e qasjes së papenguar dhe dërgimin e vazhdueshëm të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, ndërsa u dënuan edhe dhuna e kolonëve izraelitë dhe zgjerimi i vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Në deklaratë thuhet se BE-ja dhe Britania e Madhe rikonfirmuan mbështetjen për marrëdhënie ambicioze dhe dinamike, të cilat sjellin rezultate konkrete për qytetarët e tyre.
Vlerësohet se samiti i parë BE–Mbretëri e Bashkuar, i mbajtur më 19 maj 2025, shënoi një përparim të rëndësishëm pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe, përmes krijimit të një partneriteti të ri strategjik.
Gjithashtu, vlerësohet se Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Britanisë së Madhe po funksionon në mënyrë efektive, pavarësisht disa pengesave, për tejkalimin e të cilave nevojiten përpjekje shtesë.
Theksohet se partneriteti ndërmjet BE-së dhe Britanisë së Madhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes po zbatohet, krahas forcimit të partneritetit strategjik në fushat e politikës së jashtme, paqes, sigurisë dhe mbrojtjes.
0 komentet