Radojeviq: Kemi rinisur iniciativën për largimin e mbishkrimit “E dua Mitrovicën”
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, deklaroi se Kuvendi Komunal sot, me kërkesë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, edhe pse pa një arsyetim të qartë, është detyruar ta shfuqizojë vendimin për largimin e mbishkrimit “E dua Mitrovicën”, por se iniciativa për largimin e tij është rinisur.
“Në mbledhjen e sotme, Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut, sërish me kërkesë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, është detyruar ta shfuqizojë vendimin e mëparshëm për largimin e mbishkrimit ‘E dua Mitrovicën’, përsëri pa ndonjë arsyetim të qartë, siç ka ndodhur edhe deri më tani. Përveç arsyeve politike, vërtet nuk mund të gjejmë asnjë arsye ligjore përse ai vendim nuk mund të zbatohet”, tha Radojeviq.
Ai rikujtoi se largimi i mbishkrimit kishte qenë një premtim dhënë qytetarëve dhe se menjëherë është rinisur iniciativa për largimin e tij.
“Siç e dëgjuat edhe gjatë diskutimit, këshilltarët nga komuniteti shqiptar, të cilët përfaqësojnë partitë politike shqiptare, vërtet nuk kanë ndonjë arsye apo arsyetim konkret me të cilin do të justifikonin që ai mbishkrim të vazhdojë të qëndrojë aty. Kjo nuk është në përputhje as me Kushtetutën dhe as me ligjin, sepse nuk ekziston një njësi e vetëqeverisjes lokale me emrin Mitrovica si qytet. Ekziston komuna e veçantë e Mitrovicës së Veriut dhe të gjithë qytetarët që jetojnë në Mitrovicën e Veriut, këtu mendoj para së gjithash për qytetarët nga komuniteti serb, janë absolutisht kundër atij mbishkrimi. Megjithatë, siç kemi pasur rastin të shohim edhe deri më tani, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe pushteti qendror pengojnë në çdo hap punën e Komunës së Mitrovicës së Veriut. Por ne do të vazhdojmë të luftojmë dhe të punojmë në interes të qytetarëve”, porositi Radojeviq.
Një nga temat e mbledhjes ishin edhe ndryshimet e rregullores për orarin e punës së objekteve afariste, hotelierike, zejtare dhe të shërbimeve.
Nënkryetarja e komunës, Adriana Hoxhiq, shpjegoi se ndryshimet e miratuara më parë të këtij akti i janë dërguar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për shqyrtimin e ligjshmërisë, e cila më pas ka kërkuar mendimin e pesë ministrive të tjera. Përgjigje kanë dhënë Ministria e Financave, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe Ministria e Drejtësisë.
Hoxhiq theksoi se këto ministri kanë saktësuar disa dispozita, por nuk kanë pasur vërejtje të rëndësishme lidhur me përmbajtjen e ndryshimeve.
Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk janë përgjigjur brenda afatit ligjor.
“Nuk e di nëse do ta presim përgjigjen e tyre apo do të merret parasysh fakti që nuk janë përgjigjur, pra që rregullorja është në përputhje me ligjin dhe mund të vazhdojmë më tej. Pas miratimit të këtyre ndryshimeve në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, kjo rregullore do të hyjë në fuqi”, deklaroi Hoxhiq.
Në mbledhje u shqyrtua edhe çështja e mungesës së mjeteve financiare për pagesën e pagave dhe mëditjeve të punonjësve në disa drejtori komunale deri në fund të vitit, ndërsa Hoxhiq shpjegoi se Komuna, pak para përgatitjes së rendit të ditës, kishte marrë një njoftim nga Ministria e Financave se në disa kategori buxhetore nuk kishte mjete të mjaftueshme për pagesën e rregullt të pagave.
Sipas saj, një nga arsyet është gabimi në planifikimin dhe përllogaritjen e shpenzimeve për paga dhe mëditje, ndërsa një problem shtesë ka lindur pasi Qeveria e Kosovës nuk i ka siguruar mjetet e premtuara për pagesën e pagës së 13-të për punonjësit, por për këtë qëllim janë përdorur mjetet e pushtetit lokal.
“Prandaj, ne tani nuk kemi para për t'ua paguar pagat punonjësve tanë. Në mbledhje shpjegova se në cilat drejtori kemi më shumë mjete dhe në cilat nuk kemi mjaftueshëm. Me kërkesë të Ministrisë së Financave është bërë kjo analizë dhe sot në Kuvend kërkuam miratimin e një vendimi që do t'i mundësonte Ministrisë së Financave të transferojë mjete të caktuara nga një kategori në tjetrën, përkatësisht nga drejtoritë ku kemi tepricë mjetesh në ato ku nuk kemi mjaftueshëm, në mënyrë që pagat të paguhen rregullisht dhe pa vonesa deri në fund të këtij viti”, shpjegoi Hoxhiq.
Duke folur për ndryshimet e rregullores që kanë të bëjnë me funksionimin e lokaleve të gastronomisë, ajo theksoi se nuk ka pasur ndryshime sa i përket orarit të tyre të punës, por se qëllimi i ndryshimeve është t'u mundësohet qytetarëve pjesëmarrje më e madhe në vendimmarrje lidhur me kërkesat për lëshimin e muzikës me zë të lartë dhe zgjatjen e orarit të punës.
0 komentet