Rode: Rekomandimi i KE që Kosova ta zbatojë pa vonesë vendimin për Deçanin

Jorn Rode
Burim: Koha ditore

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rode, duke folur për Raportin për përputhshmërinë e sistemit juridik të Kosovës me Këshillin e Evropës theksoi se moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kthimin e tokës së Manastirit të Deçanit është shkelje e sundimit të ligjit.

Rode deklaroi në platformën “X” se gjërat e mira dhe të këqija mund të nxirren nga Raporti i KE.

“Falë raportit të ekspertëve ligjorë të KE për përputhshmërinë e sistemit politik dhe juridik të Kosovës me standardet e KE, lajmi i mirë është: rregullat ligjore në përgjithësi janë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Lajm i keq: moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Deçan do të thotë shkelje evidente e sundimit të ligjit”, tha Rode.

Ai tha se ekspertët e përshkruajnë Kosovën si një "demokraci funksionale" dhe vlerësojnë një kushtetutë moderne me "garanci të forta për pavarësinë e gjyqësorit". Por, siç tha ai, ata tregojnë edhe kritika të ashpra ndaj përfaqësuesve të gjyqësorit dhe institucioneve nga politikanë në poste të larta.

“Prandaj, dy rekomandimet e raportit për sundimin e ligjit për Kosovën janë: 1. Të zbatohet pa vonesa të mëtejshme vendimi për banorët e Deçanit. 2. Të respektohet plotësisht pavarësinë e gjyqësorit, duke përfshirë përmbajtjen nga kritikat e panevojshme që minojnë besimin në gjyqësor”, shtoi ai.

Rode theksoi se raporti jep një pamje të përzier, duke vënë në dukje standardet e larta ligjore që nuk zbatohen gjithmonë dhe plotësisht.

"Është e qartë për mua se zbatimi urgjent - siç ka kërkuar vazhdimisht komuniteti ndërkombëtar - është i nevojshëm në mënyrë që të përmirësohet me sukses oferta e Kosovës për anëtarësim," ka bërë të ditur Rode.

Rode më 17 nëntor ka vizituar manastirin e Deçanit me një delegacion nga Gjermania, pas së cilës në rrjetin social “X” ka theksuar se është “manastiri i Kosovës që është në listën e UNESCO-s”, gjë që shkaktoi një reagim të furishëm nga publiku.