Delegacioni i Listës Sërbe me Grinkeviçin: KFOR të rrisë praninë në zonat sërbe
Delegacioni i Listës Sërbe sot në Prishtinë ka biseduar me komandantin e lartë të forcave aleate të NATO në Europë gjeneralin Aleksus Grinkeviç rreth situatës aktuale të sigurisë dhe atë politike në Kosovë, me theks të veçantë tek probleme të panumërta dhe sfidat me të cilat përballet populli sërb dhe kërkoi që KFOR të rrisë praninë në zonat sërbe.
Drejtuesit e Listës Sërbe, kryetari Zllatan Ellek, shefi i grupit të deputetëve Igor Simiq dhe kryekomunari i Mitrovicës së Veriut Millan Radojeviq, shprehën pozitën jashtëzakonisht të rëndë të popullit sërb, si dhe pasojat e dhunës së vazhdueshme institucionale, kërcënimin sistematik të të drejtave themelore politike e humane dhe presionet me të cilat përballen përditë sërbët, bëhet e ditur në deklaratën e partisë.
U theksua në veçanti se dhjetëra sërbë ndodhen në paraburgim pa prova të qarta e të besueshme për fajësinë e tyre çka thellon edhe më ndjesinë e pasigurisë juridike dhe frikën mes popullsisë sërbe.
Njëkohësisht, u bë e ditur se komunat me shumicë sërbe përballen me presione të paligjshme të institucioneve të nivelit qëndror që kanë pasojë direkte në pengimin dhe ndalimin e funksionimit të tyre normal në dëm të të gjithë qytetarëve.
Përfaqësuesit e Listës Sërbe u shprehën se ruajtja e paqes dhe e sigurisë është e rëndësisë kyçe për egzistencën e popullit sërb në Kosovë dhe shprehën pritshmëri se Kfor të rrisë praninë në zonat sërbe veçanërisht në territoret në të cilat sfidat e sigurisë dhe presionet janë edhe më të theksuara.
U theksua dhe pritshmëria që Kfor në përputhje me mandatin e vet të vijojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e qetësisë, stabilitetit dhe mjedisit të sigurtë për të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare nën vëmendje të veçantë për shqetësimin e drejtë të popullsisë sërbe.
“Lista Sërbe do të vijojë që në bisedë me përfaqësuesit më të lartë ndërkombëtarë të insistojë në mbrojtjen e të drejtave të popullit sërb, ndaljen e dhunës institucionale dhe krijimin e kushteve për jetë të qetë, dinjitoze e të sigurtë për të gjithë sërbët në Kosovë e Metohi”, shtohet në deklaratë.
0 komentet