Gjeneral Grinkeviç: Optimizimi i KFOR nisi, NATO nuk do të lejojë shfaqjen e vakumit të sigurisë
Në intervistën ekskluzive për Kosovo onlajn gjenerali i Forcave Ajrore Luftarake të SHBA dhe Komandanti i Lartë i Forcave Aleate për Europën Aleksus G. Grinkeviç tha se situata e sigurisë në Kosovë vlerësohet kryesisht stabile dhe se optimizimi i forcave të KFOR po ndërmerret gradualisht në përputhje me gjendjen në terren.
Shkruar nga: Velko Nestoroviq
Grinkeviç theksoi se numri i pjestarëve të Kfor gjatë vitit të ardhshëm duhet që të kthehet në nivelin e rreth 3.500 ushtarëve por dhe tha se ky proces mund të anulohet nëse kjo kërkohet nga zhvillimet në terren duke thënë se NATO nuk do të lejojë shfaqjen e vakumit të sigurisë.
Si e vlerësoni situatën momentale të sigurisë në Kosovë?
Momentalisht situatën e vlerësoj kryesisht si stabile. Pikërisht për shkak të stabilitetit të tillë, prezenca e KFOR mund të përshtatet në përputhje me rrethanat duke ruajtur efikasisht njëkohësisht mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes. Këtë e bëjmë në çdo moment dhe paanshmërisht, në përputhje me mandatin afatgjatë të Kombeve të Bashkuara, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB e vitit 1999 dhe në koordinim të ngushtë me Policinë Kosovare dhe Misionin e Unionit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre në sistemin e reagimit të sigurisë. Ndaj, në qershor, duke përdorur kompetencat e mia egzistuese, pas analizës së detajuar dhe vlerësimit të bazuar tek të dhënat informative, urdhërova optimizimin e forcave të KFOR.
NATO vuri në dukje se optimizimi i forcave të KFOR nisi për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë. A egziston numër minimal i pjestarëve të KFOR nën të cilin numri i forcave në mision në Kosovë nuk do të ulet? Gjithashtu, gjatë vlerësimit të situatës së sigurisë, a merret parasysh shqetësimi i komunitetit sërb në Kosovë për sigurinë e vet, veçanërisht në veri?
Saktë ashtu. Optimizimi i forcave të KFOR nisi dhe sikurse e kam përmendur, është pasojë e përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë, e cila kërkon monitorim të vazhdueshëm. Të jeni të sigurt se informohem rregullisht për situatën. Procesi i optimizimit do të zhvillohet gradualisht, në vende të ndryshme në mbarë Kosovën, me anë të të cilit numri i forcave të KFOR do të përshtatet gjatë vitit të ardhshëm në nivelin që ishte para vitit 2023, pra në rreth 3,500 ushtarë, përfshirë dhe forcat amerikane. Kjo siguron që misioni ynë ushtarak të mbetet i përshtatshëm për qëllimin që ka dhe i përqendruar në zonat ku siguria është më e nevojshme, ndërsa kërkohet zgjidhje politike. Përsa i përket periudhës së ardhshme, nuk do të bëj supozime. Gjithashtu, duhet vënë në dukje se ky optimizim, i cili do të kryhet në përputhje me situatën në terren, mund të anulohet nëse ngjarjet përkatëse të sigurisë e kërkojnë këtë. Duhet theksuar se NATO vazhdon të mbështesë dialogun Beograd-Prishtinë i cili zhvillohet nën ndërmjetësimin e Unionit Europian dhe fton të dy palët të angazhohen në zgjidhjen e çështjeve të mbetura dhe arritjen e zgjidhjes që do të respektojë të drejtat e të gjitha komuniteteve, përfshirë komunitetet në veri. Kjo është thelbësore për sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin në rajon. Jini të sigurt se NATO është fuqimisht e përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor, rajon me rëndësi strategjike për Aleancën, siguria e të cilit është e lidhur direkt me sigurinë e hapësirës euroatlantike. NATO nuk do të lejojë shfaqjen e vakumit të sigurisë.
Sa i rëndësishëm është komunikimi direkt mes KFOR dhe Ushtrisë së Sërbisë në ndaljen e incidenteve të sigurisë?
Besoj se komunikimi dhe transparenca e vazhdueshme në marrëdhëniet me të gjitha palët janë të rëndësisë kyçe. Komandanti i KFOR, komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO në Napoli dhe unë, jemi të angazhuar vazhdimisht në këtë plan, si dhe strukturat tona të shtabit. Pikërisht ndaj vizitova Sërbinë në qershor dhe tani vizitoj Kosovën. Gjithashtu vizitova Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Kur Policia Kosovare, njësitë e saj speciale apo autoritetet zyrtare në Prishtinë ndërmarrin veprime që mbartin rrezikun e eskalimit të tensioneve në komunitetin sërb, KFOR, thekson se vepron si instanca e tretë në sistemin e reagimit të sigurisë, pas Policisë Kosovare dhe EULEKS. Në këtë këndvështrim, a ka “linja të kuqe" të definuara?
Kjo është e saktë. Policia Kosovare mban përgjegjësinë primare për zbatimin e ligjit dhe hetimin e aktiviteteve të dyshuara kriminale, ndërsa EULEKS kryen rolin e vet në kuadër të sistemit të vendosur të reagimit të sigurisë. KFOR i cili nuk ka mandat për zbatimin e ligjit, mban koordinim të ngushtë me të dy palët, në përputhje me rolet e tyre në sistemin e reagimit të sigurisë. Shkëmbimi i informacionit dhe koordinimi përmes kanaleve të vendosura zhvillohen rregullisht, çka kontribuon në pasqyrë më të mirë të situatës dhe siguron që masat e duhura të mund të merren kur është e nevojshme. Sikurse përmenda, komunikimi dhe transparenca e vazhdueshme në marrëdhëniet me të gjitha palët, është me rëndësi thelbësore. NATO nuk udhëhiqet nga "vijat e kuqe". Prioriteti ynë absolut është zbatimi i mandatit afatgjatë të Kombeve të Bashkuara, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB të vitit 1999. Atë mandat e zbatojmë duke kontribuar në ruajtjen e mjedisit të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes. Këtë e bëjmë këtë në çdo moment, paanshmërisht dhe në koordinim të ngushtë me Policinë Kosovare dhe Misionin e Unionit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre në sistemin e reagimit ndaj sigurisë.
0 komentet