Sentiq: Serbëve në Kosovë u mohohen të drejtat elementare, ekzistenca dhe dinjiteti
Zëvendës Avokati i Popullit i Kosovës, Srgjan Sentiq tha se serbëve në Kosovë u mohohen të drejtat themelore të njeriut, përfshirë të drejtën për ekzistencë dhe dinjitet, dhe për këtë nuk u ofrohet asnjë zgjidhje apo alternativë.
Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se e drejta për jetë është një e drejtë themelore e njeriut që shpallet dhe mbrohet në nenin 2 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.
“Institucionet janë të detyruara të veprojnë kur u kërkohet të sigurojnë ndër të tjera të drejtën e jetës, lirinë dhe të krijojë të gjitha parakushtet për një jetë dinjitoze për njeriun dhe realizimin e të drejtave të tij për ekzistencë minimale materiale dhe kushte të barabarta për sigurimin e mjeteve të jetesës”, tha Sentiq.
Siç theksoi ai, institucionet janë të obliguara jo vetëm që të përmbahen nga aktivitetet që janë në kundërshtim të plotë me këto parime, por duhet të jenë aktive për të siguruar ndër të tjera të drejta ekonomike dhe sociale për qytetarët e tyre.
“Sidoqoftë, të gjitha këto ngjarje që nuk mund të përjetohen si gjithëpërfshirëse dhe miqësore dhe që ne jemi aktualisht dëshmitarë, padyshim vënë në pikëpyetje dinjitetin njerëzor (që është burimi i të gjitha të drejtave të njeriut) dhe ekzistenca, në masën më të madhe të një bashkësie etnike të cilës nuk i ofrohet asnjë alternativë tjetër në ushtrimin e të drejtave të ekzistencës materiale”, tha zëvendës Avokati i Popullit.
Sipas tij, të gjitha komunitetet etnike të prekura nga vendimet e fundit, e veçanërisht komuniteti serb, me të drejtë janë të mërzitur, dhe nuk ka asnjë justifikim apo mirëkuptim për veprime të tilla çnjerëzore të autoriteteve.
“Në vend të nxitjes së vazhdueshme të armiqësisë, gjuhës së urrejtjes, stigmatizimit dhe diskriminimit të dukshëm dhe shkeljes së të drejtave të njeriut në disa baza, është e nevojshme t'i drejtohemi integrimit thelbësor, dialogut dhe hapjes së hapësirës drejt harmonizimit të marrëdhënieve, qasjes së përgjegjshme dhe retorikës së përgjegjshme, respektimit të Kushtetutës, ligjeve dhe mbi të gjitha konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ato janë parimet kryesore të demokracive perëndimore dhe vlerave evropiane”, beson Sentiq.
Ai konkludon se është e nevojshme të inkurajohen masat afirmative që do ta afrojnë komunitetin me institucionet, të cilat tashmë me veprimet e tyre kërcënojnë të drejtat e tyre njerëzore dhe nuk lënë hapësirë për ndërtimin e besimit tek vetë institucionet.
Ai thekson se institucionet mbajnë të gjitha përgjegjësitë kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.
0 komentet