Hill: Humbja e partisë në pushtet e ka futur Serbinë në një të ardhme të pasigurt politike

Kristofer Hil
Burim: Kosovo Online

Ish-ambasadori i SHBA në Serbi, Christopher Hill, vlerësoi se, megjithëse orientimi i përgjithshëm i Listës Studentore është afrimi me qëndrimet evropiane, ky orientim nuk mund të merret si i mirëqenë, duke pasur parasysh rrymat e ndryshme brenda këtij formacioni.

Ai vlerësoi se disa nga temat “vazhdimisht të pranishme” të politikës serbe, si Kosova, por edhe balancimi i Vuçiqit ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, ka të ngjarë të mbeten të pranishme në një formë të caktuar, shkruan Hill në nlë artikull për Këshillin Atlantik.

Humbja e partisë në pushtet të Aleksandar Vuçiqit përballë koalicionit të udhëhequr nga studentët e ka futur Serbinë në një të ardhme të pasigurt politike, e cila do të vërë në provë optimizmin dhe energjinë që ishin aq të dukshme gjatë demonstratave dyvjeçare të studentëve në rrugë.

Sipas tij, qeveria e re përballet me detyrën e vështirë për të ruajtur sukseset ekonomike të Serbisë, të arritura me shumë mund, duke rindërtuar njëkohësisht institucionet politike dhe jetën qytetare në vend.

“Lista e Studentëve – Studentët fitojnë” ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm. Ky koalicion energjik gëzonte mbështetje të gjerë publike, e cila u shtri përtej Beogradit dhe qyteteve të tjera të mëdha, duke përfshirë edhe votuesit në zonat rurale. Partitë tradicionale opozitare në Serbi shpesh i kanë shpërfillur zonat rurale. Sot, disa prej këtyre partive tradicionale kanë pësuar një kolaps të plotë, duke mos arritur as të kalojnë pragun zgjedhor të nevojshëm për të hyrë në parlament. Sikur të donin të theksonin edhe më shumë dështimet e tyre të mëparshme, përfaqësuesit e ‘Listës së Studentëve’ njoftuan se në qeverinë e tyre nuk do të pranojnë as mbështetësit e Vuçiqit dhe as ata që kanë mbështetur opozitën tradicionale”, shkruan Hill.

Ai shton se shndërrimi i një sërë parullash të lëvizjes kundër Vuçiqit në politika dhe programe qeveritare, që përfaqësojnë interesat e koalicionit të saj të gjerë, do të përbëjë një sfidë.

“Megjithëse orientimi i përgjithshëm i lëvizjes është afrimi me qëndrimet evropiane, ky orientim nuk mund të merret si i mirëqenë, duke pasur parasysh rrymat e ndryshme brenda këtij formacioni. Disa nga temat ‘vazhdimisht të pranishme’ të politikës serbe – si Kosova, e cila përfaqëson çështjen emocionalisht më të ndjeshme të politikës shtetërore, si dhe balancimi i Vuçiqit ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit – ka të ngjarë të mbeten të pranishme në një formë të caktuar”, thekson Hill.

Megjithatë, sipas tij, nuk ka dyshim se të gjithë serbët mund të jenë shumë krenarë për faktin që zgjedhjet u zhvilluan pa probleme, me, siç duket, shumë pak raste mashtrimesh dhe parregullsish, pavarësisht se mbështetësit e “Listës së Studentëve” vetëm disa ditë më parë kishin parashikuar se do të kishte shumë të tilla.

Ai shton se fjalimi i Vuçiqit, në të cilin pranoi humbjen, i shkurtër, i qartë dhe konkret, u prit si një zhvillim pozitiv nga ata që kishin frikë nga një periudhë e gjatë paqëndrueshmërie.

“Serbisë do t'i nevojitet ndihmë gjatë këtij transformimi delikat, ndërsa vëmendja e shumë serbëve do të drejtohet nga BE, me shpresën se ajo do ta përshpejtojë procesin e integrimit. Një Serbi e integruar në BE dhe e lidhur ngushtë me të do t'i sjellë përfitime të gjithë rajonit”, përfundon Hill.