Gjykata Supreme refuzoi kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë: Nëntë serbëve nga Zubin Potoku u është vazhduar paraburgimi deri më 25 dhjetor

Vrhovni sud Kosova
Burim: Gazeta Express

Avokatët e nëntë serbëve nga rrethina e Zubin Potokut, të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile, kanë pranuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, me të cilin janë refuzuar si të pabazuara kërkesat e tyre për mbrojtjen e ligjshmërisë kundër vendimit për caktimin e paraburgimit. Siç bëri të ditur avokatja Jelena Krivokapiq, të dyshuarve ndërkohë u është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj, deri më 25 dhjetor.

Krivokapiq bëri të ditur se aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, të marrë në seancën e kolegjit gjyqësor më 23 tetor, e ka pranuar përmes postës elektronike më 26 tetor.

“Dje, si mbrojtëse e njërit prej të dyshuarve, pranova përmes postës elektronike aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, të marrë në seancën e kolegjit gjyqësor më 23 tetor, me të cilin refuzohen si të pabazuara kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë që ne, mbrojtësit e nëntë të dyshuarve për krime lufte kundër popullsisë civile nga rrethina e Zubin Potokut, i kemi paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamentit Special, të datës 29 shtator, me të cilin atyre u është caktuar paraburgimi, vendim ky që është konfirmuar nga Gjykata e Apelit më 8 tetor. Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj, nga 26 tetori deri më 25 dhjetor”, deklaroi Krivokapiq.

Krivokapiq, e cila mbron Miroslav Radojeviqin, theksoi se në aktgjykim janë përmendur të njëjtat arsye si në vendimet e gjykatave të instancave më të ulëta.

“Janë përmendur të njëjtat arsye si në të dy aktvendimet e instancave më të ulëta, përkatësisht rreziku i arratisjes, ndikimi i mundshëm te dëshmitarët dhe ekzistenca e dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën për të cilën akuzohen”, tha Krivokapiq.

Avokati Predrag Milkoviq, i cili mbron Millosh Rashkoviqin, njërin prej të dyshuarve, vuri në dukje atë që ai e cilësoi si palogjikshmëri në arsyetimin e vendimit të gjykatës lidhur me klientin e tij, i cili në procedurë është përmendur edhe si dëshmitar.

“Millosh Rashkoviq është përmendur si dëshmitar në procedurën kundër vetes. Në ankesë kemi vënë në dukje se kjo është e pamundur. Ankesa është refuzuar. Në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë kemi theksuar sërish se kjo është e pamundur. Arsyetimi i Gjykatës Supreme është edhe më i keq se arsyetimet e gjykatave të instancave më të ulëta, madje aty thuhet se ekziston rreziku i bazuar që të pandehurit (mes tyre edhe Rashkoviqi) të ndikojnë te dëshmitarët (mes të cilëve është sërish Rashkoviqi). Pra, ekziston rreziku që Rashkoviqi, si i pandehur, të ndikojë te vetja, Rashkoviqi si dëshmitar”, shpjegoi Milkoviq.

Gjykata e Apelit në Prishtinë më 8 tetor refuzoi ankesat e mbrojtjes kundër vendimit të Gjykatës Themelore për caktimin e paraburgimit prej një muaji ndaj nëntë serbëve nga Zubin Potoku, të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

Krivokapiq, e cila mbron Miroslav Radojeviqin, kishte theksuar atëherë se mbrojtja e kishte pranuar aktvendimin vetëm në gjuhën shqipe.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 29 shtator u kishte caktuar paraburgim deri në 30 ditë nëntë serbëve nga Zubin Potoku, ndërsa më parë ndaj tyre ishte caktuar dy herë masa e ndalimit policor deri në 48 orë.

Avokatët e tyre më pas paraqiten ankesa, duke kërkuar që ata të mbrohen në liri, me propozimin që t'u caktohet arrest shtëpiak ose të zbatohen masa të tjera alternative për sigurimin e pranisë së tyre në procedurë.

Policia e Kosovës arrestoi nëntë serbët nga Zubin Potoku më 27 shtator.