Shekerinska: Pa progres tek dialogu me Sërbinë, nuk ka progres Kosova në rrugën euroatlantike
Ndihmës sekretarja e përgjithshme e Nato Radmilla Shekerinska është shprehur se pa progres tek dialogu me Sërbinë, për Kosovën nuk ka as progres drejt rrugës euroatlantike. Ndryshimi i situatës së sigurisë në botë, kthimi i luftës në kontinentin europian dhe rritja e tensioneve gjeopolitike, e kanë çuar sërish Ballkanin Perëndimor në fokus të Nato-s.
Ndonëse ka spekulime se Kosova mund të hyjë në NATO “rrufeshëm”, ndihmës sekretarja e Përgjithshme e Aleancës, Radmilla Shekerinska në bisedë për Radio KiM ishte e qartë: pa progres tek dialogu me Beogradin-nuk ka progres as në rrugën euroatlantike.
"Vetëm normalizimi i marrëdhënieve i dy palëve mund të çelë derën për integrim të mëtejshëm dhe të ardhme stabile", nënvizoi ajo.
Shekerinska tha se mbështetja për KFOR është ende e fortë, por që pritshmëritë prej aktorëve vendorë politikë, janë të qarta.
"Prania jonë tek KFOR, nën mbështetjen e aleatëve të shumtë, përfaqëson investim mjaft domethënës. Aleatët përherë kanë theksuar se janë të gatshëm të vazhdojnë atë investim, por që presin rezultate pozitive. Ndaj dhe dialogu mes Beogradit dhe Prishtines është i rëndësisë së jashtëzakonshme", tha ajo.
Kujtoi se KFOR është misioni më i gjatë aktiv i NATO-s dhe që ka rol kyç në ruajtjen e paqes, jo vetëm në Kosovë, por, sipas fjalëve të saja në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, prania ushtarake nuk mund të zëvendësojë atë që mungon dhe ky është kompromisi politik, shtoi ajo, duke përmendur shembullin e Maqedonisë së Veriut.
“Vij nga vendi që pothuajse 30 vite tentonte të bëhej anëtare e Nato. Nevojitej kohë sepse egzistonin pengesa politike dhe sikurse ua them gjithmonë bashkëbiseduesve të mi në Prishtinë, na u desh të merrnim vendime të vështira politike dhe të arrinim kompromise të arsyeshme, por afatgjata, për të zgjidhur bllokimin (në marrëdhënie) që kishim me Greqinë fqinje dhe më pas për t’iu bashkuar aleancës së NATO-s”, deklaroi Shekerinska.
Ndonëse Shekerinska vlerëson se bashkëpunimi mes Ushtrisë së Sërbisë dhe KFOR është i hapur dhe profesional, incidentet e vitit 2023, tha ajo, shkaktuan shqetësim, kështu që NATO pret përgjegjësi më të madhe.
"Na shqetësuan incidentet e dhunshme të vitit 2023 ndaj dhe vazhduam t'u kërkonim partnerëve dhe kolegëve tanë në Beograd, që të merrnin përgjegjësinë për ato ngjarje. Asnjë aleat nuk dëshiron të shikojë trupat e veta të kërcënuara nga dhuna e përtërirë dhe pikërisht për këtë vazhdojmë të komunikojmë si me autoritetet në Pristinë, por dhe me bashkëbiseduesit tanë në Beograd", shtoi ajo.
0 komentet