Spahiu: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës varet nga vullneti i ministrave të vendeve anëtare

Spahiu
Burim: Kosovo Online

Analisti politik Nexhmedin Spahiu theksoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk varet ekskluzivisht nga Prishtina, por nga vullneti politik i ministrave të vendeve anëtare të asaj organizate.

Spahiu deklaroi për Kosovo online se çështja nëse Kosova mund të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës pa dërguar Projekt-Statutin e Asociacionit të Komunave Serbe në Gjykatën Kushtetuese nuk varet nga Kosova.

"Varet nga ministrat e Këshillit të Evropës. Nuk e di nëse ata mund të marrin një vendim të tillë apo jo, është vullneti i tyre politik. Mund të ndodhë, por për momentin nuk mund të them asgjë me siguri", shpjegon ai.

Spahiu iu referua gjithashtu faktit se kushti i dërgimit të Projekt-Statutit të AKS ishte përmendur më parë nga ish-i dërguari i BE-së për dialogun midis Beogradit dhe Prishtines, Miroslav Lajçak, por se ndërkohë ka mbërritur një i dërguar i ri, gjë që, shton ai, mund të ndikojë në procesin e mëtejshëm.

"Nuk mund ta di se çfarë strategjie ka përfaqësuesi i ri për të realizuar marrëveshjen midis Prishtinës dhe Beogradit. Ndoshta ky kusht është vendosur për të përshpejtuar marrëveshjen, dhe ndoshta ai është frenuesi", përfundoi Spahiu, duke vënë në dukje se përfaqësuesi i ri mund të ketë një qasje të ndryshme për zgjidhjen e çështjes.

Sipas tij, çështja e formimit të AKS është e lidhur ngushtë me Marrëveshjen e Brukselit dhe se themelimi i saj, siç thotë ai, praktikisht do të nënkuptonte njohjen reciproke të Beogradit dhe Prishtinës.

"Kjo de facto dhe de jure do të nënkuptonte njohjen e Kosovës", tha Spahiu.