Stano: Themelimi i BKS-së është një obligim që Kosova duhet ta plotësojë
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se Bashkësia e Komunave Serbe është obligim që Kosova duhet ta plotësojë, transmeton Gazeta Express.
“BE-ja dëshiron të kujtojë se themelimi i BKS-së është një obligim i paplotësuar i Kosovës që rrjedh nga Marrëveshja e Dialogut e vitit 2013, e vetmja Marrëveshje e Dialogut e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës me shumicë prej dy të tretash. Prandaj, është obligim i qartë ligjor për Kosovën sipas të ligjit ndërkombëtare. Fatkeqësisht, që nga viti 2013, Kosova nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm drejt themelimit të BKS-së dhe rrjedhimisht drejt rritjes së mbrojtjes së të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë”, tha Stano.
Stano përkujtoi se sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 duhet të hartohet Statuti për themelimin e BKS-së, i cili do të diskutohet në dialog. Sipas tij, kjo do të thotë se çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së dhe duhet të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.
“Në tetor 2023, në përpjekje për të çuar përpara procesin e normalizimit, BE-ja - me mbështetjen e shteteve anëtare dhe partnerëve të saj si SHBA-ja - paraqiti një projekt-statut evropian për krijimin e n BKS-së bazuar në modelet dhe praktikat më të mira evropiane, të cilat të dyja palët e pranuan në parim. Në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023, Këshilli Evropian përshëndeti gatishmërinë e Serbisë dhe Kosovës për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve nga i dërguari i BE-së. Kjo është një njohje formale e dokumentit nga të 27 shtetet anëtare të BE-së”, tha Stano.
BE-ja i bëri thirrje Kosovës që të vazhdojë me themelimin e BKS-së në përputhje me Draft-Statutin e BE-së pa vonesa të mëtejshme.
“BE gjithashtu dëshiron të kujtojë se Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit është e vlefshme dhe ligjërisht e detyrueshme në tërësinë e saj si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Serbia pritet të përmbushë obligimet e saj që dalin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit, paralelisht me Kosovën që të ecë përpara drejt themelimit të Bashkësisë bazuar në Draft-Statutin Evropian, në përputhje me planin e zbatimit të propozuar nga Lehtësuesi i BE-së”, tha Stano.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, ka thënë më herët se draft-statuti Evropian është dokument pa nënshkrim, si shumë propozime të tjera.
“Rikujtojmë se drafti i statutit të BE-së nuk është nënshkruar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Zhozep Borel, as i dërguari Mirosllav Lajçak, e lëre nga kryeministri Albin Kurti. Statusi i draft-statutit është non-paper, një nga disa propozime që janë bërë vitet e fundit”, tha Kryeziu.
0 komentet