Staroviq: Sërbët e Kosovës po përballen me dhunën brutale policore, NATO duhet të reagojë
Sekretari i shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes së Sërbisë Nemanja Staroviq ka thënë për televizionin Al Xhazira se ajo që u dëshmua sot në veri të Kosovës, ishte një përpjekje e njëanshme e autoriteteve të Prishtinës për të vendosur me forcë kryekomunarët shqiptarë në katër komunat e veriut të Kosovës me shumicë sërbe.
“Kjo vjen një muaj pas zgjedhjeve të turpshme që u organizuan aty në të cilat dolën vetëm 3% e zgjedhësve. Për këtë populli sërb vendosi të protestojë në mënyrë paqësore dhe pa dhunë ndaj vendosjes së këtyre kryekomunarëve. Fatkeqësisht, qytetarët sërbë u përballën me forcën brutale të qindra policëve shqiptarë. Më duhet të theksoj se po flasim për policinë e militarizuar monoetnike shqiptare, pra njësitë e tyre speciale. Dhjetëra sërbë u lënduan dhe kjo është arsyeja kryesore që presidenti ynë Aleksandar Vuçiq vendosi forcat tona të armatosura në gatishmëri të lartë dhe të urdhërojë vendosjen e tyre pranë vijës administrative me Kosovën”, tha Staroviq.
Ky urdhër, sipas Staroviq, është në përputhje me politikën afatgjatë të Sërbisë, e cila nënkupton angazhimin për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Ne madje jemi gati të sakrifikojmë shumë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, por nuk mund të sakrifikojmë një gjë, ajo është jeta e njerëzve tanë. Mendoj se ky është një qëndrim i arsyeshëm që do të merrte çdo vend demokratik në botë.
Presidenti Vuçiq apeloi ndaj trupave të NATO-s që të garantojnë siguri për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Trupat e NATO-s në Kosovë kanë mandat për të ruajtur stabilitetin, paqen dhe sigurinë e të gjithë njerëzve që jetojnë aty. Ata duhet të veprojnë”, tha Staroviq.
Siç përmbylli ky i fundit, sot ishim dëshmitarë të veprimit të njëanshëm të Prishtinës, ndërsa Sërbia nuk bëri asgjë për të provokuar ndonjë lloj përshkallëzimi.
komentet