Arqipeshkvia rashko-prizrenase: BE, Pesëshja dhe Kfor të ndalojnë përshkallëzimin e dhunës në veri të Kosovës
Me rastin e sulmit të dhunshëm prej efektivëve të Policisë kosovare në godinat komunale të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Lleposaviqit, Arqipeshkvia rashko-prizrenase ka kërkuar nga Bashkimi Europian, Pesëshja, dhe Kfor që menjëherë të ndalojë përshkallëzimin e dhunës në veri të Kosovës.
“Me rastin e përshkallëzimit të situatës së sigurisë sot në veri të Kosovës, ku policia e Kosovës e armatosur rëndë, mori forcërisht godinën e komunës së Zveçanit, e cila është pothuajse tërësisht e banuar nga sërbë, me qëllim që me çdo çmim të vendosë kryekomunarët e zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të mbajtura së fundi, ku jeton me shumicë popullsia sërbe në të katër komunat në veri të K&M çka u bojkotuan, e për shkak të konfliktit me grupin e qytetarëve të grumbulluar ndaj të cilëve u hodh gaz lotsjellës dhe bomba shokuese, Arqipeshkvia rashko-prizrenase dhe KOS shpreh shqetësimin më të madh dhe kërkon reagim urgjent ndërkombëtar nga BE, ambasadorët e Pesëshes dhe KFOR” thuhet në njoftimin e Arqipeshkvisë shoqëruar me fotot e ngjarjeve të sotme në komunat e veriut.
Në njoftim shtohet se për shkak vendosmërisë së protestës së qytetarëve sërbë për të mos lejuar uzurpimin e dhunshëm të godinave komunale të Zveçanit dhe Zubin Potokut, ka pasur shkelje të rendit dhe qetësisë publike, pasi policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe bomba shokuese ndaj qytetarëve (njëri prej të cilëve u hodh edhe në oborrin e kishës lokale teksa njerëzit po tentonin t'i largoheshin policisë), dhe një automjeti policor i është vënë flaka.
“Në spitalin e Mitrovicës Veriore janë shtruar dhjetëra qytetarë me lëndime të ndryshme të shkaktuara nga policia. Policia e Kosovës po ndihmon aktivisht në marrjen e komunës në Leposaviqin me shumicë sërbe, ku në shenjë proteste mund të shkohet deri në bllokimin e rrugës nga ana e sërbëve lokalë e më pas në komplikacionet që mund të shkaktojnë në vendkalimin administrativ” thuhet nga Arqipeshkvia.
Kjo e fundit i referohet edhe informacioneve se autoritetet e Prishtinës, nuk kanë marrë pëlqimin e BE dhe vendeve të Pesëshes për aksionin e ndërmarrë në komunat e veriut.
“Duke qenë se, sipas mediave në shqip, Albanian Post dhe Koha, ambasadorët e Pesëshes dhe ata të BE, nuk kanë dhënë pëlqimin dhe as kanë mbështetur aksionin e policisë dhe përdorimin e forcës për hyrjen e ‘kryekomunarëve’, të cilët nuk kanë mbështetjen e qytetarëve, dhe për hir të vendosjes së paqes dhe përshkallëzimit të mëtejshëm çka mund të ketë pasoja të paparashikuara, Kisha jonë i bën thirrje kreut të misionit të BE, ambasadorëve të Pesëshes dhe komandantit të KFOR, që urgjentisht të kërkojnë prej autoriteteve të Kosovës, që të ndalojnë aksionin policor dhe tërheqjen e 'përfaqësuesve politikë' të imponuar njëanshmërisht dhe pa legjitimitet, deri në gjetjen e një zgjidhjeje paqësore dhe politike. Në rast të kundërt, mund të shkohet në përkeqësim të shumëfishtë të situatës ndëretnike dhe rrezikim të jetës së qytetarëve. Metodat pushtuese, përdorimi i tepruar i dhunës me frikësimin e popullatës dhe dhuna etnike, nuk kanë qenë kurrë metodë për zgjidhjen e problemeve ekzistuese” thuhet në deklaratë.
Në këtë të fundit thuhet po ashtu se Arqipeshkvia e cila prej ditësh është ankuar për sjelljen joligjore të autoriteteve kosovare ndaj Kishës Ortodokse Sërbe dhe shkeljen e të drejtave dhe lirive elementare fetare dhe pronësore, e shikon me habi sjelljen e fundit të papërgjegjshme dhe agresive të autoriteteve të Kosovës, të cilat po e shtyjnë mbarë rajonin në kaos dhe dhunë.
“Ashtu si askund në botë çështjet që kanë të bëjnë me komunitetet etnike, nuk mund të zgjidhen me imponim të metodave pushtuese dhe dhunës policore, ashtu si kjo mënyrë e sjelljes që i ka sjellë raportet mes sërbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, në nivelin më të ulët të mundshëm në 24 vitet e fundit. nuk mund t'u sjellë gjëra të mira as sërbëve e as shqiptarëve çka kërcënon përfundimin e plotë të çdo dialogu”, thuhet në deklaratën e Arqipeshkvisë.
Në këtë të fundit theksohet se kriminalizimi i hapur kolektiv i popullit sërb nga politikanët e Kosovës, është i papranueshëm dhe se është “frut i ideologjisë fanatike të strukturave qeverisëse shqiptare të Kosovës kundër çdo gjëje sërbe, e cila largoi shumë qytetarë paqësorë me origjinë sërbe nga institucionet e Kosovës dhe e bëri të pamundur dialogun me cilindo sërb me ndikim dhe reputacion në këtë hapësirë".
“Dëmi që është bërë dhe pasojat e dhunës që mund të pasojë sot dhe në ditët vijuese për shkak të vendimeve të tilla politike të papërgjegjshme dëmtojnë Bashkimin Evropian dhe përpjekjet ndërkombëtare për të gjetur zgjidhje paqësore për të gjitha problemet në dialogun politik”, përmbyll Arqipeshkvia.
komentet