Todoroviq: Kur afatet brenda Planit të rritjes tejkalohen, fondet shkojnë te të tjerët

Todorović
Burim: Kosovo Online

Hulumtuesi i Qendrës për Politika Evropiane, Marko Todoroviq, ka deklaruar për Kosovo online se Komisioni Evropian ende nuk ka dhënë një vlerësim për përmbushjen e hapave reformues që Serbia duhej të zbatonte për të marrë fondet nga Plani i rritjes. Sipas tij, nëse KE vlerëson se janë përmbushur, para së gjithash, parakushtet politike që lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit, Serbia duhet të marrë këstin e parë dhe të dytë të fondeve që tashmë u janë miratuar disa vendeve të rajonit.

Todoroviq shpjegon se Serbia e ka njoftuar KE-në për atë që ka realizuar deri në qershor 2025 dhe ka dorëzuar kërkesat për financim për dy periudhat e para të zbatimit të Planit të rritjes – për hapat reformues që duhej të përfundonin deri në fund të vitit të kaluar dhe për periudhën e dytë që i referohet gjysmës së parë të këtij viti.

Ai thekson se këstet ndahen në bazë të periudhave gjashtëmujore dhe se janë parashikuar hapa të ndryshëm reformues për gjashtëmujorin e parë, të dytë, e kështu me radhë.

„Është mjaft e çuditshme që, me gjithë vonesat, Serbia ende nuk ka marrë asnjë vlerësim nga Komisioni Evropian, dhe rrjedhimisht as fondet. Arsyeja e mundshme, siç mendohet, është se KE ende mund të jetë duke vlerësuar disa parakushte politike, në kontekstin e polarizimit të shtuar në shoqëri, për të cilin flet edhe Rezoluta e fundit e Parlamentit Evropian. Megjithatë, ne supozojmë se deri në fund të këtij viti do të kemi më shumë informacion se cilat hapa reformues janë ndërmarrë dhe cilat jo. Fondet duhet të arrijnë nëse KE vlerëson se parakushtet politike janë përmbushur,“ thekson Todoroviq.

Sipas tij, fondet nga Plani i rritjes që i takojnë Serbisë janë të rëndësishme, sepse një pjesë e tyre shkon drejtpërdrejt në buxhet, ndërsa pjesa tjetër përdoret për financimin e projekteve infrastrukturore, si rajonale ashtu edhe kombëtare.

„Në fund të fundit, ky është një stimul financiar për reformat që në çdo rast sjellin përfitime për shoqërinë. Shumë nga këto reforma lidhen edhe me përafrimin me acquis communautaire të BE-së, gjë që Serbia duhet ta bëjë nëse dëshiron të anëtarësohet në BE. Në këtë kuptim, kjo është një lloj shpërblimi për përafrim më të shpejtë dhe një mjet për të nxitur, përshpejtuar dhe kthyer besueshmërinë e procesit të anëtarësimit,“ verën ai.

Logjika e të gjithë Planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor, sipas Todoroviqit, është që të ekzistojnë fonde të caktuara, por edhe objektiva të qarta për afatet e zbatimit.

„Ekzistojnë afate të caktuara dhe, nëse ato tejkalohen, fondet, për të mos u humbur, shpërndahen te shtetet e tjera kandidate. Për shembull, disa hapa duhej të përfundonin deri në dhjetor 2024. Megjithatë, BE e dinte që me shumë gjasë do të kishte vonesa, shpesh për arsye të arsyeshme, prandaj është lënë një periudhë faljeje prej dy vitesh për hapat e parë që duhej të përfundonin deri në dhjetor 2024. Për të gjithë hapat e mëvonshëm, periudha e faljes është një vit. Kjo vlen për të gjitha shtetet kandidate,“ shpjegon Todoroviq.

Çdo hap reforme, shton ai, mbart fonde të caktuara, kështu që, për shembull, në rastin e Serbisë, kur këto hapa të përfundojnë, fondet do të jenë në llogarinë e saj, por vetëm me kusht që vonesa të mos jetë më e gjatë se një vit, ose dy vjet nëse bëhet fjalë për hapat e parë të reformës.