Ulutash: Na shqetëson retorika nxitëse dhe përdorimi i vazhdueshëm dizinformues
Komandanti i KFOR Ozkan Ulutash, tha se rruga drejt sigurisë së qëndrueshme është politike e jo ushtarake. Ai theksoi se retorika nxitëse dhe përdorimi i vazhdueshëm dizinformues, paraqesin një nga shqetësimet e KFOR duke pasur parasysh ndikimin e tyre të mundshëm në mjedisin e sigurisë.
"Nga kjo arsye, KFOR mbetet vigjilent dhe i mirëpozicionuar në mbarë Kosovën. KFOR do të vijojë të bëjë atë që i është udhëzuar. Do të vazhdojë të luajë rolin e vet në përpjekjet më të gjera të NATO për të mbështetur përparimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, që ndërmjetëson Bashkimi Europian. Ky dialog është kornizë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura dhe për arritjen e zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e të gjitha komuniteteve", tha Ulutash në një intervistë me shkrim për Kosova Press.
Ai vlerësoi se mjedisi i sigurisë në veri të Kosovës momentalisht është i paqtë.
"KFOR mban prani të rregullt, të dukshme e fleksibile përmes patrullave, pikave të vëzhgimit dhe angazhimit me të gjitha komunitetet vendore. Qasje e tillë, së bashku me koordinimin dhe komunikimin e ngushtë me Policinë Kosovare, EULEKS dhe Ushtrinë e Sërbisë, na lejon të kemi pamje të plotë të situatës dhe të jemi të gatshëm të reagojmë efektivshëm ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë", tha ai.
KFOR, shtoi, mban komunikim të rregullt e transparent me Ushtrinë e Sërbisë në të gjitha nivelet.
"Së fundi vizitova Beogradin, ku u takova me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Sërbisë gjeneralin Mojsilloviq. Ky ishte takimi im i pestë me të. Vlerësoj mjaft bashkëpunimin që kemi zhvilluar gjatë viteve. Ajo ka kontribuar në shumë mënyra në forcimin e transparencës dhe besimit të ndërsjelltë, si dhe në ruajtjen e stabilitetit rajonal", tha Ulutash.
Kritikave që mund të dëgjohen në Kosovë se KFOR ndonjëherë ka më shumë mirëkuptim për qëndrimet e Beogradit sesa Prishtinës, Ulutash u përgjigj se paanshmëria është themeli i aktiviteteve të KFOR.
"Mandati ynë është tërësisht i qartë-të kontribuojmë në mjedis të sigurt dhe paqësor për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Këtij mandati i përmbahemi në të gjitha aktivitetet e përditshme. Ky është fokusi ynë. Siguri e qëndrueshme mund të egzistojë vetëm nëse të gjitha komunitetet ndiejnë se përfitojnë prej saj. Vazhdojmë ta zbatojmë plotësisht dhe paanshmërisht mandatin tonë, që është miratuar nga Kombet e Bashkuara. Pikërisht është paanshmëria që ka qenë gjithmonë themel i operacioneve të KFOR dhe do të vazhdojë të udhëheqë aktivitetet e përditshme të misionit tonë paqeruajtës, përfshirë dhe takimet e mia të rregullta me të gjithë bashkëbiseduesit. Mes tyre janë përfaqësues të institucioneve të Kosovës. Së fundmi u takova dhe me zotin Kurti, me të cilin shkëmbeva opinione për një sërë çështjesh dhe kontributin e vazhdueshëm të KFOR në stabilitetin rajonal", tha ai.
Ulutash vuri në dukje se mandati i tij i parë në krye të KFOR në vitin 2023 pasoi me incidentet serioze të sigurisë në veri të Kosovës, të cilat ndodhën në fillim të atij viti, përfshirë, siç tha sulmet e pajustifikuara dhe të papranueshme ndaj paqeruajtësve të KFOR në Zveçan.
"Si rezultat i atyre ngjarjeve negative, KFOR u forcua në masën më të madhe në më shumë se një dekadë, me dislokimin e afro 1,000 trupave. Prej atëherë, nuk kemi regjistruar incidente të përsëritura të shkallës apo intensitetit të ngjashëm. Megjithatë, mbetemi vigjilentë përmes pranisë së dukshme dhe fleksible në mbarë Kosovën. Ndjekim të gjitha zhvillimet e rëndësishme të sigurisë që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës dhe sigurinë rajonale, ndërsa jemi totalisht të fokusuar në zbatimin e mandatit tonë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB të vitit 1999. Me stabilizimin e situatës së sigurisë, NATO do të optimizojë prezencën e KFOR në Kosovë dhe gradualisht do të përshtasë nivelin e tashëm të forcave gjatë vitit të ardhshëm. Ky proces do të vijojë gradualisht dhe në përputhje me kushtet në terren dhe mund të kthehet në nivelin e dikurshëm nëse kjo nuk do të kërkohet nga zhvillimet e sigurisë. Nga viti 1999 prezenca e KFOR vazhdimisht është përshtatur sesi misioni të jetë i gatshëm që të ndërmarrë detyrat e veta dhe t’u përgjigjet zhvillimeve të situatave të sigurisë” tha ai.
Komandanti i KFOR tha se NATO nuk do të lejojë krijimin e ndonjë vakumi të sigurisë në Kosovë e Ballkan, sepse kjo pjesë e Europës është rajon me rëndësi strategjike për Aleancën.
Ai tha këtë duke i’u përgjigjur pyetjes nëse Kosova sot është e sigurt pa praninë e KFOR dhe cilat kushte duhet të plotësohen që misioni i këtyre forcave të mos jetë më i nevojshëm.
"Për 27 vjet, KFOR ka qenë shtyllë sigurie në Kosovë dhe faktor kyç në stabilitetin rajonal. Fakti që tani kemi optimizuar praninë tonë, është tregues pozitiv se mjedisi i sigurisë, në përgjithësi, është stabil. Megjithatë, NATO dhe KFOR mbeten tërësisht të përkushtuar ndaj sigurisë në Kosovë", tha ai.
0 komentet