KUSH është-Ozkan Ullutash: Rikthimi i gjeneralit turk në krye të KFOR, çfarë mesazhi i përcillet Prishtinës dhe Beogradit
Gjeneral-major i Ushtrisë Turke Ozkan Ullutash sot sërish hyri në histori. Kur në tetorin e vitit 2023 erdhi në krye të Kfor, u bë gjenerali i parë turk që mori komandimin e një misioni të Nato. Sot u bë dhe komandanti i parë që rikthehet në krye të Kfor dhe në këtë pozicion zëvendësoi gjeneralin italian Barduani ku tetorin e vitit të kaluar i dorrëzoi komandën.
Ullutash shkollën e mesme e përfundoi në vitin 1985, u trajnua në Kinë, ka qenë pjestar i shërbimit Unikom, shërbeu në Komandën e Nato në Napoli dhe doktoroi në Turqi në Departamentin e Historisë në Universitetin “Ataturk“.
Sot, me rastin e marrjes së komandës, tha se gjatë shërbimit të ri në krye të KFOR, do të mbështetet në përvojën e hershme. Falë faktit që ishte kreu i KFOR në periudhën nga viti 2023 deri në vitin 2024, Ulutash nuk do të detyrohet të "shpenzojë" kohë duke u njohur me situatën, si dhe me përfaqësuesit politikë në Prishtinë, ambasadorët, përfaqësuesit e sërbëve...
"Shpreh mirënjohjen time për autoritetet kombëtare turke, si dhe strukturat politike dhe ushtarake të NATO për këtë nder. Ky shërbim i dytë në krye të KFOR mbështetet tek përvoja e hershme, jep vizion komunitetit dhe konfirmon angazhimin e çeliktë të Aleancës Atlantike ndaj stabilitetit rajonal. Ajo gjithashtu pasqyron përpjekje vërtet kolektive", tha sot Ullutash.
"Jemi të gatshëm dhe tërësisht të përkushtuar për të kryer misionin tonë afatgjatë, ku bëhet fjalë për siguri të përhershme në Kosovë dhe stabilitetit rajonal. Këtë do t’a bëjmë përmes aktiviteteve dhe përpjekjeve të ndryshme në terren, si dhe përmes mbështetjes sonë të fortë për përparim të vërtetë në dialogun që Unioni Europian ndërmjetëson mes Beogradit dhe Prishtinës, çka është rruga drejt stabilitetit final. Në këtë vështrim dëshiroj të theksoj punën e rëndësishme që shumë përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare vazhdojnë të bëjnë-Këshilli i Atlantikut Verior, Unioni Europian, vendet e Pesëshes, si dhe shefat e misioneve diplomatike aleate në Kosovë, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Misioni i OSBE në Kosovë dhe Misioni i BE për Sundimin e Ligjit në Kosovë", tha Ullutash.
"KFOR mbështet dialogun"
Ullutash në mjaft raste ka folur rreth dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës nën ndërmjetësimin e BE.
"Mbështesim dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës nën ndërmjetësimin e BE si e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Situata në terren është e paqtë, por ende e brishtë. Qëllimi ynë primar mbetet parandalimi i eskalimit; megjithatë, në rast të tensioneve të larta, jemi të gatshëm dhe të pajisur për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që të vazhdojmë të përmbushim mandatin tonë të KB", tha Ullutash.
Ullutash për Zveçanin
Komandanti i Kfor Ozkan Ullutash, ka thënë më 29 maj të vitit 2024 se trimëria e ushtarëve të këtij misioni në protestat e Zveçanit të 2023, ndihmoi që të stabilizohet situata në këtë zonë dhe të ndalet eskalimi i mëtejshëm i dhunës.
"U bëjmë homazh meritave dhe sakrificave të shokëve tanë, të cilët vunë jetën e tyre në rrezik për të kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin afatgjatë të misionit tonë në KB. Trimëria e tyre ndihmoi në stabilizimin e situatës në atë zonë dhe ndali eskalimin e mëtejshëm të dhunës", tha Ullutash atëherë.
Mori pjesë në stërvitjet e Ushtrisë së Sërbisë në Peshter
Në një nga intervistat për Kosovo Onlajn, theksoi se KFOR ka burime të mira dhe është caktuar për t'u marrë me të gjitha sfidat që mund të ndikojnë në mjedisin e sigurisë, në përputhje me mandatin tonë të KB. Ishte komandanti i KFOR që mori pjesë në stërvitjet e Ushtrisë së Sërbisë.
"Stërvitja që pata mundësinë të asistoja si vëzhgues, pasqyron raportin efektiv mes KFOR dhe Ushtrisë së Sërbisë gjatë viteve, çka konfirmohet nga vëzhgimet e KFOR rreth stërvitjeve të kaluara dhe kontaktet e rregullta me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Sërbisë. Komunikimi i rregullt dhe transparent, gjithashtu me organizatat e sigurisë në Kosovë, është kyç për sigurinë e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal", i tha atëherë portalit tonë.
Analistët flasin pozitivisht për Ullutashin
Kur përfundoi mandatin e tij të parë në tetor të vitit 2024, të gjithë analistët janë pajtuar se gjenerali turk bëri punë të mirë.
Kështu, profesori i historisë politike në Prishtinë Blerim Cana tha se gjenerali turk Ozkan Ullutash e ka bërë mirë punën e tij.
“Ishte i mirë, veçanërisht nëse i kthehemi atij rastit. Të gjithë e dimë se çfarë bëri Kfor dhe mendoj se punën e tij e bëri shkëlqyeshëm” beson Canaj.
Gjenerali turk për urën kryesore mbi Ibër
Kur ishte çështja e çeljes së urës kryesore mbi Ibër, Ullutash u pajtua me idenë që kjo të dakordësohej në kuadër të dialogut.
"Përsa i përket çeljes së mundshme të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë për automjete, qëndrimi ynë ka qenë transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret në dialog dhe me koordinim në kohë dhe efektiv me bashkësinë ndërkombëtare. Ndërkohë, KFOR do të ruajë praninë e tij të përhershme në urë dhe do të vazhdojë të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth", e ka përsëritur këtë Ullutash në shumë raste.
Biografia e Ullutash
Në biografinë e komandantit të ri të KFOR, mund të shikohet se komandoi brigadë të mekanizuar në Turqi, por dhe që shërbeu në disa detyra në shtabet e NATO.
U lind në vitin 1967 në Manisa Salihili në pjesën perëndimore të Anadollit. Shkollën e mesme ushtarake e përfundoi në vitin 1985 dhe katër vjet më vonë u diplomua në Akademinë Ushtarake si oficer i njësive të blinduara. U trajnua në Kinë dhe ishte anëtar i misionit Unicom. Nga viti 2005 deri në vitin 2008, shërbeu në Komandën e NATO në Napoli. Dy vite i kaloi në komandën e NATO në Shtetet e Bashkuara. Kreu doktoraturën në Turqi në Departamentin e Historisë të Universitetit "Ataturk". Gjeneral brigade u bë në vitin 2017 dhe gjeneral major këtë vit. Nga viti 2017 deri në vitin 2021, shërbeu si Komandant i Përgjithshëm i Forcës së Reagimit të Shpejtë të NATO në Turqi. Ai mori komandën e misionit KFOR nga pozicioni i Drejtorit të Strategjisë së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Turke, të cilin e mbante prej vitit 2021. Tani ka rimarrë komandën e KFOR deri në tetor 2026.
0 komentet