Vassallo: Serbia duhet t'i kapërcejë ndarjet në shoqëri dhe të hapë dialogun për atë që përfshin realisht rruga evropiane
Përafrimi teknik nuk mund ta kompensojë regresin demokratik, ndërsa përparimi në kapituj të veçantë nuk mund ta zëvendësojë përparimin në parimet themelore dhe, për këtë arsye, qeveria e re do të ketë përpara një agjendë kërkuese, vlerësoi sot në Novi Sad i ngarkuari me punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Julian Vassallo.
“Serbia do të duhet t'i kapërcejë ndarjet në shoqëri, ta rindërtojë besimin në institucione, ta rikthejë pavarësinë dhe pluralizmin në media, si dhe të krijojë hapësirë për një dialog të sinqertë për çështjet që kanë rëndësi, përfshirë edhe atë se çfarë përfshin realisht rruga evropiane”, deklaroi ai gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Komisionit Evropian për Serbinë për vitin 2026.
Vassallo vlerësoi se procesi i anëtarësimit në BE duhet të udhëhiqet nga faktet dhe debati i hapur, e jo nga “manipulimi dhe paraqitja e shtrembëruar e realitetit”, transmeton N1.
“Statusi i vendit kandidat kërkon një përkushtim të besueshëm, i cili do të shndërrohet në veprime konkrete. Ne e mirëpresim gatishmërinë që ka shprehur lista fituese për ta vendosur demokracinë dhe sundimin e ligjit në qendër të politikës së saj. Bashkimi Evropian e sheh një Serbi të fortë dhe demokratike si pjesë të Unionit tonë dhe ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë ngushtë me qeverinë e re dhe t'i mbështesim reformat e saj”, tha Vassallo.
Vassallo vlerësoi gjithashtu se më 25 tetor qytetarët e Serbisë e shprehën shumë qartë dëshirën e tyre për luftë kundër korrupsionit, gjyqësor të pavarur, media të lira, institucione demokratike dhe respektim të të drejtave të njeriut, duke theksuar se kjo është pikërisht ajo që pret edhe Bashkimi Evropian.
“Këto janë çështjet që kanë penguar përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit dhe çështjet që qëndrojnë në vetë thelbin e raportit të sivjetmë. Ato përfaqësojnë gjithashtu një bazë të përbashkët dhe një mundësi të vërtetë për të ecur përpara”, tha Vassallo.
I ngarkuari me punë i Delegacionit të BE-së në Serbi vlerësoi se Serbia është ndër vendet kandidate me nivelin më të lartë të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe se është gjithashtu e përgatitur mirë për tregun e përbashkët dhe konkurrueshmërinë.
Vassallo paralajmëroi se e ardhmja në Bashkimin Evropian kërkon qartësi morale dhe se glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës nuk është në përputhje me vlerat evropiane.
“Kjo minon besimin, minon përpjekjet për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore mes komuniteteve në këtë rajon dhe minon gjithashtu perspektivën e të gjithë rajonit për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, theksoi ai.
Vassallo tha se në raport është konstatuar niveli i ulët i përafrimit të Serbisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, e cila është e rëndësishme për një vend që synon të bëhet anëtar i BE-së.
Duke folur për rënien e mbështetjes së qytetarëve të Serbisë për integrimin evropian, Vassallo vlerësoi se për të gjitha qeveritë më e vështira ka qenë zbatimi i reformave në fushat e gjyqësorit, sundimit të ligjit dhe pavarësisë së mediave, por se qeveria e ardhshme i ka vendosur pikërisht këto parime themelore në qendër të platformës së saj politike.
Vassallo thekson se është e nevojshme të ndryshohet “rrënjësisht” mënyra se si zhvillohet debati, duke vlerësuar se, pasi mediat të bëhen të lira dhe shoqëria civile të mos shihet më si kërcënim, do të mund të zhvillohet një debat i hapur mes qytetarëve për anëtarësimin dhe integrimin evropian.
“Atëherë do të kemi një debat të bazuar në fakte dhe jo në një pasqyrë të shtrembëruar të realitetit. Unë mendoj se serbët janë një popull i arsimuar, që mendon me kokën e vet dhe që do të jetë në gjendje të arrijë vetë në përfundimin se çfarë është më e mira për vendin e tyre”, deklaroi Vassallo.
komentet