Vllajiq dhe Delleviq: Kërkuam përjashtimin e prokurorit sepse gjatë hetimit u soll në mënyrë të njëanshme
Avokatët e vëllezërve Viqentijeviq, të cilët para Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë akuzohen për sulmin ndaj kanalit Ibër–Lepenc, Nebojsha Vllajiq dhe Millosh Delleviq, kanë kërkuar në seancën përgatitore të mbajtur sot që prokurori Bekim Kodraliu të përjashtohet nga rasti për shkak të, siç pretendojnë ata, sjelljes së njëanshme gjatë hetimit.
Vllajiq thekson se kërkesën për përjashtimin e prokurorit publik e ka paraqitur sepse Bekim Kodraliu, sipas tij, ka neglizhuar rëndë detyrimin e tij për veprim objektiv në procedurë dhe nuk ka siguruar provat që mbrojtja i ka propozuar që një vit më parë.
“Disa nga këto prova ndoshta nuk do të mund të sigurohen më. Kjo, sipas mendimit tim, përbën pengesë për pjesëmarrjen e tij në procedurën e mëtejshme. Për këtë vendos Kryeprokurori i Kosovës. Në ditët në vijim vendimi është në duart e tij dhe pas kësaj gjykimi do të vazhdojë”, tha Vllajiq.
Kërkesën e tij e ka mbështetur edhe avokati i Dragisha Viqentijeviqit, Millosh Delleviq.
“Ai vërtet u soll në mënyrë të njëanshme gjatë hetimit. Njëmbëdhjetë ditë pas arrestimit të Dragisha Viqentijeviqit kam paraqitur kërkesë për marrjen në pyetje të katër dëshmitarëve të alibisë dhe për sigurimin e incizimeve video nga dy objekte, të cilat sipas mbrojtjes dëshmojnë pa asnjë dyshim pafajësinë e të mbrojturit tim. Megjithatë, për një vit ai nuk ka vepruar sipas kësaj kërkese. Prandaj besoj se Kryeprokurori do ta miratojë këtë kërkesë për përjashtim”, tha Delleviq.
Prokuroria Speciale i akuzon vëllezërit Viqentijeviq për veprat penale “rrezikim i rendit kushtetues përmes shkatërrimit ose dëmtimit të objekteve dhe pajisjeve publike” nga neni 122, në lidhje me veprën penale “kryerje e aktit terrorist”, ndërsa Jovan Viqentijeviq akuzohet shtesë edhe për spiunazh.
Igor Dimoviq akuzohet për posedim të armëve. Dimoviq mbrohet në liri, ndërsa vëllezërit Viqentijeviq ndodhen në paraburgim që nga momenti i arrestimit.
Avokatja e Igor Dimoviqit, Jellena Krivokapiq, theksoi në seancën përgatitore se rasti i klientit të saj është i ndryshëm dhe se ajo nuk ka vërejtje ndaj punës së prokurorit.
Aktakuza ndaj Dragisha dhe Jovan Viqentijeviqit, si dhe ndaj Igor Dimoviqit, është ngritur më 9 dhjetor të këtij viti.
Në natën e 29 nëntorit 2024, në fshatin Varagë pranë Zubin Potokut, ka ndodhur një shpërthim në kanalin Ibër–Lepenc, përmes të cilit nga Liqeni i Gazivodës furnizohen me ujë të pijshëm Mitrovica e Jugut dhe Mitrovica e Veriut, si dhe ftohen termocentralet Obilliq A dhe B.
0 komentet