Vuçiq: Angola e mbështet integritetin territorial të Serbisë, marrëdhëniet dypalëshe nuk janë vënë kurrë në pikëpyetje

 Predsednik Angole Đoao Manuel Gonsalveš Lorens i predsednik Srbije Aleksandar Vučić
Burim: Kosovo Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, theksoi se marrëdhëniet dypalëshe me Angolën nuk janë vënë kurrë në pikëpyetje dhe se është mirënjohës ndaj Luandës për mbështetjen e integritetit territorial të Serbisë, ashtu siç Serbia mbështet kudo integritetin territorial dhe interesat e Angolës. Presidenti i Angolës, Joao Manuel Gonçalves Lourenço, theksoi se Serbia dhe Angola ndajnë qëndrime të njëjta sa i përket politikës ndërkombëtare.

Në konferencën për shtyp, Vuçiq theksoi se vizita e João Manuel Gonçalves Lourenços përbën një nder të veçantë, pasi është vizita e parë e një presidenti të Angolës në Serbi pas 49 vitesh.

“Ne sot kemi nderin e veçantë të presim presidentin e Angolës. Kur them nder të veçantë, nuk do ta besonit se kur ishte hera e fundit që një president i Angolës vizitoi Serbinë – ishte para 49 vitesh, në vitin 1977. Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe i kënaqur që, pas shumë ftesash, arrita të pres një mik të sinqertë të vendit tonë. Angola fitoi pavarësinë para 50 vitesh dhe vendi ynë ka qenë gjithmonë mbështetës i luftës së saj. Ne i kemi admiruar heronjtë e asaj lufte”, shpjegoi presidenti i Serbisë.

Ai kujtoi se kishte jetuar pranë rrugës së Agostinho Netos dhe se në Serbi edhe fëmijët dinin gjithçka për luftën e popullit angolez për pavarësi.

“Marrëdhëniet tona dypalëshe nuk janë vënë kurrë në pikëpyetje. Ne e mbështesim njëri-tjetrin në organizatat ndërkombëtare. Jam veçanërisht mirënjohës që Angola e mbështet integritetin territorial të Serbisë, ashtu si Serbia mbështet kudo integritetin territorial dhe interesat e Angolës”, theksoi Vuçiq.

Ai bëri të ditur se kanë shkëmbyer qëndrime për çështje të rëndësishme politike dhe se interesat dhe qëndrimet politike të të dy vendeve përputhen.

“Ne drejtojmë dy shtete të pavarura që kujdesen për interesat e tyre, duke u përpjekur njëkohësisht të jenë të hapura për bashkëpunim me të gjitha fuqitë e mëdha dhe vendet e botës”, nënvizoi Vuçiq.

Ai theksoi se as ai dhe as kolegu i tij nuk janë të kënaqur mjaftueshëm me bashkëpunimin ekonomik dhe se besojnë se mund dhe duhet të bëjnë shumë më tepër.

“Tashmë ekzistojnë investimet e para të mëdha serbe në Angolë dhe besoj se do të ketë edhe më shumë. Marrëveshjet e nënshkruara sot janë me rëndësi të jashtëzakonshme, veçanërisht ato për nxitjen e investimeve dhe shmangien e tatimit të dyfishtë. Kemi biseduar veçanërisht për bashkëpunimin në fushën e bujqësisë. Angola mund të bëhet një lloj Brazili për të gjithë Afrikën. Besoj se ekspertët tanë mund të ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm dhe të përshpejtuar të Angolës”, shpjegoi Vuçiq.

Ai theksoi se kanë diskutuar edhe për fusha të tjera dhe se është i lumtur që homologu i tij nga Angola do të ketë mundësinë të vizitojë nesër Institutin Ushtarak-Teknik dhe të bindet për nivelin e avancuar të teknologjisë serbe dhe për atë që Serbia është në gjendje të prodhojë.

Sikurse shtoi, është biseduar edhe për përdorimin e inteligjencës artificiale, teknologjitë moderne dhe bashkëpunimin në këto fusha.

“Ne jemi shumë të kënaqur me marrëdhëniet tona politike, por bashkëpunimi ekonomik duhet të ndjekë ritmin e marrëdhënieve politike. Besoj se në të ardhmen, me rritjen e numrit të investitorëve, do të gjejmë mundësi për të hapur edhe një linjë ajrore direkte me Luandën. Bashkëpunimi në turizëm ende na pret”, nënvizoi Vuçiq.

Ai theksoi se studentët janë ura e miqësisë mes dy popujve dhe se do të kujdeset që gjithnjë e më shumë njerëz në Serbi të flasin gjuhën portugeze.

“Shpresoj që këtë vizitë ta përmbyllim me sukses dhe që që javën e ardhshme të vazhdojmë me ndjekjen e këtij bashkëpunimi, kur presim mysafirë të rinj nga Angola në Serbi. Gjithmonë mund të mbështeteni te Serbia”, porositi Vuçiq.

Lourenço: Serbia dhe Angola kanë qëndrime të njëjta në politikën ndërkombëtare

Presidenti i Angolës, João Manuel Gonçalves Lourenço, theksoi se Serbia dhe Angola ndajnë qëndrime të njëjta kur bëhet fjalë për politikën ndërkombëtare.

“Ne mbështesim paqen dhe sigurinë globale, multilateralizmin, si dhe reformimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që ai të mund të luajë realisht rolin e tij në parandalimin e luftërave dhe konflikteve të armatosura, të cilat, fatkeqësisht, janë bërë një praktikë e zakonshme, veçanërisht në Lindjen e Mesme dhe në Evropë. Kjo do të thotë se Angola dhe Serbia sot, sa herë që ka arsye të justifikuara, i afrojnë qëndrimet e tyre dhe përpiqen t’i kundërvihen trendit negativ që po shfaqet në politikën ndërkombëtare”, tha Lourenço.

Ai theksoi se organizatat e mëdha ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara dhe të tjera, janë vendet ku Angola dhe Serbia mbrojnë krah për krah parime që mund të shërbejnë si bazë për shpëtimin e botës nga vështirësitë dhe krizat.

“Duhet të bëjmë gjithçka që bota të shpëtojë nga katastrofat”, nënvizoi presidenti i Angolës.

Ai vuri në dukje gjithashtu se në kohët e sotme vendet nuk mund të injorojnë nevojën për investime në sektorin e mbrojtjes dhe se Angola është e interesuar të bashkëpunojë me Serbinë në këtë fushë.

Lourenço tha se marrëdhëniet mes dy vendeve mbështeten mbi themelet e krijuara në periudhën kur Angola luftonte për pavarësi nga kolonizatori portugez.

“Vitin e kaluar festuam gjysmë shekulli të pavarësisë së Angolës dhe nuk kemi harruar kurrë të shprehim mirënjohjen për mbështetjen që kemi marrë nga populli i Serbisë dhe nga popujt e tjerë që përbënin shtetin e atëhershëm. Kjo mirënjohje është shndërruar në një miqësi që vazhdon edhe sot. Megjithatë, ne dëshirojmë që kjo miqësi të reflektohet edhe në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, i cili aktualisht është nën nivelin që do të dëshironim. Ky është edhe qëllimi kryesor i vizitës në Serbi – të gjejmë mënyra për ta forcuar bashkëpunimin përmes nënshkrimit të marrëveshjeve dhe memorandumeve të mirëkuptimit”, tha Lourenço, duke theksuar se veçanërisht të rëndësishme janë marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe për mbrojtjen reciproke të investitorëve privatë.

Dy presidentët shkëmbyen dekorata

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i dorëzoi Presidentit të Republikës së Angolës Urdhrin e Republikës së Serbisë me shirit, ndërsa kreu i shtetit angolez, João Manuel Gonçalves Lourenço, i dorëzoi Presidentit të Serbisë Urdhrin “Agostinho Neto”.

Lourenço falënderoi veçanërisht për dekoratën e marrë, duke theksuar se ajo përfaqëson një vlerësim për vendin dhe popullin e Angolës.

Shkëmbimi i dokumenteve dypalëshe

Në Pallatin e Serbisë u shkëmbyen 10 dokumente bashkëpunimi ndërmjet Serbisë dhe Angolës, në prani të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Presidentit të Angolës, João Manuel Gonçalves Lourenço.

Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Republikës së Angolës për eliminimin e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe për parandalimin e evazionit fiskal dhe shmangies së tatimeve e shkëmbyen Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Ekonomisë e Serbisë, Adrijana Mesaroviq, dhe Ministrja e Financave e Angolës, Vera Esperança dos Santos Daves de Sousa.

Marrëveshjen ndërmjet Serbisë dhe Angolës për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve e shkëmbyen Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Ekonomisë, Adrijana Mesaroviq, dhe Ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Rui Miguens de Oliveira.

Marrëveshjen për transportin ajror ndërmjet Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës së Angolës e shkëmbyen Ministrja e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Aleksandra Sofronijeviq, dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Angolës, Tete Antonio.

Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës së Angolës për ushtrimin e veprimtarive të paguara nga anëtarët e familjeve të diplomatëve dhe personelit administrativ e teknik të misioneve diplomatike e shkëmbyen ministrat e punëve të jashtme të Serbisë dhe Angolës, Marko Gjuriq dhe Tete Antonio.

Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës së Angolës për bashkëpunim në fushën e bujqësisë e shkëmbyen Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave i Serbisë, Dragan Glamoqiq, dhe Ministri Tete Antonio.

Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Mjedisit të Republikës së Serbisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Mjedisit të Republikës së Angolës për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes së mjedisit e shkëmbyen Ministrja e Mbrojtjes së Mjedisit, Sara Pavkov, dhe Ministri Tete Antonio.

Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Informimit dhe Telekomunikacionit të Republikës së Serbisë dhe Ministrisë së Telekomunikacionit, Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit Shoqëror të Republikës së Angolës për bashkëpunim në fushën e teknologjive të informacionit dhe komunikimit e shkëmbyen Ministri i Informimit dhe Telekomunikacionit, Boris Bratina, dhe Ministri Tete Antonio.

Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Ndërmarrjes Publike “Pošta Srbije” dhe Kompanisë Kombëtare Postare dhe Telegrafike të Angolës për bashkëpunim në fushën e shërbimeve postare e shkëmbyen drejtori i Ndërmarrjes Publike “Pošta Srbije”, Zoran Angjellkoviq, dhe Ministri Tete Antonio.

Kontratën për bashkëpunim ndërmjet agjencive mes kompanisë “Tačno” sh.p.k. nga Serbia dhe Agjencisë së Lajmeve të Angolës e shkëmbyen Drejtoresha e Përgjithshme, Jovana Joksimoviq, dhe Ministri Tete Antonio.

Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për Zhvillim të Serbisë (RAS) dhe Agjencisë për Investime Private dhe Promovimin e Eksportit (AIPEX) e shkëmbyen Drejtori i Sektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar të RAS-it, Nikola Jankoviq, dhe Kryetari i Bordit Drejtues të AIPEX-it, Arlindo das Chagas Rangel.

Vuçiq e priti Lourençon para Pallatit të Serbisë me nderimet më të larta shtetërore, tapetin e kuq, intonimin e himneve të të dy vendeve dhe paradën e Gardës së Nderit të Republikës së Serbisë.