Vuçiq me Sorensen: Ndërmerrni hapa konkretë drejt formimit të AKS pa vonesë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua sot me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Peter Sorensen, me të cilin diskutoi rrjedhën aktuale të dialogut dhe vazhdimin e tij me një përfshirje më aktive të BE-së.
Në takim, Vuçiq vuri në dukje konkretisht sfidat me të cilat përballet Serbia kur bëhet fjalë për pozicionin e popullit serb në Kosovë dhe shprehu shqetësim për qëllimin e Prishtinës për të filluar zbatimin e vendimeve të reja përshkallëzuese dhe thellësisht diskriminuese nga 15 marsi, të cilat kërcënojnë drejtpërdrejt mbijetesën e popullit serb.
"Bëra një kërkesë që bashkësia ndërkombëtare t'i marrë seriozisht këto çështje jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të bëjë gjithçka për të siguruar respektimin e të drejtave të popullit serb. Gjithashtu theksova se duke u bashkuar me të ashtuquajturën aleancë ushtarake rajonale të Kosovës, tensionet po rriten më tej dhe siguria e popullit serb po kërcënohet", tha Vuçiq.
Ai gjithashtu theksoi domosdoshmërinë për të ndërmarrë, pa vonesë të mëtejshme, hapa konkretë drejt formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, të cilin serbët e janë duke pritur prej 13 vitesh.
"Jam i bindur se është në interes të të gjitha palëve të shmangin lëvizjet që do të çonin në përshkallëzim të mëtejshëm dhe të këmbëngulin, me ndërmjetësimin e BE-së, në zbatimin e plotë të detyrimeve të marra përsipër dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në terren", përfundoi Vuçiq.
komentet