Vuçiq: Raporti i UNMIK-ut nuk do të tregojë të gjitha tmerret e pushtetit të Kurtit, por do të theksojë problemet e serbëve
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot se raporti i UNMIK-ut, të cilin Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do ta shqyrtojë në mbledhjen e 21 tetorit, nuk do të tregojë të gjitha tmerret e pushtetit të Albin Kurtit, por do të theksojë problemet e popullit serb në Kosovë.
„Raporti do të jetë pjesërisht objektiv. Nuk do të tregojë të gjitha tmerret e qeverisjes së Kurtit, por sigurisht do të theksojë problemet me të cilat përballet populli serb, sepse tani të gjithë e shohin këtë. Të gjithë partnerët tanë në Perëndim, amerikanët, evropianët. Nuk mund ta fshehësh më, as të përsërisësh të njëjtën histori që ke treguar dy vjet apo sa ka kaluar“, tha Vuçiq.
Ai theksoi se të gjithë e shohin kush është ai që i përndjek serbët në Kosovë.
I pyetur nëse pret një reagim më të ashpër nga Brukseli dhe Uashingtoni, ai u përgjigj negativisht, por shtoi se vetë fakti që Uashingtoni ndërpreu mundësinë e dialogut strategjik me Prishtinën është tashmë një reagim i ashpër.
„Për Prishtinën do të ishte e lehtë ta plotësonte këtë – mos me rusët, mos me kinezët, me këta apo ata. Por ata (SHBA) e ndërprenë atë për shkak të qëndrimit ndaj tyre dhe kjo është një lajm i rëndësishëm“, nënvizoi presidenti i Serbisë.
Nga ana tjetër, ai sqaroi se për Brukselin në këtë moment është e rëndësishme që të gjithë të jenë të orientuar kundër Rusisë dhe që një politikë e tillë të ndiqet.
„Në Bruksel ndjejnë, me arsye ose jo, kërcënim nga ana ruse, ashtu si edhe rusët që ndjejnë kërcënim nga e gjithë ana perëndimore… Prandaj Putini tregoi fuqinë e ushtrisë ruse dhe mungesën e frikës nga Evropa apo NATO-ja, se ata mund t’ia bëjnë atij këtë. Pak ndryshe dërgohen sinjalet në politikën ndërkombëtare. Unë kam frikë për vendin tonë, nga sanksionet ndaj NIS-it, e lëre më nga gjëra kaq të mëdha… Kur fillojnë të bien raketat, granatat, bombat, atëherë është fundi“, ka paralajmëruar Vuçiq.
0 komentet