Sërdanoviq: Jemi të hapur për dialog me Prishtinën dhe zgjidhjen e çështjeve në interes të qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare

Srdanović
Burim: Screenshot/Da sam ja NEKO

Vazhdimi i dialogut rreth Kosovës është pjesë e planit studentor dhe të gjitha marrëveshjet që zyrtarët e Sërbisë nënshkruan në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit mund të rishikohen në vështrimin e përputhshmërisë me Kushtetutën e Sërbisë, ka thënë përfaqësuesi i Listës Studentore Ilija Sërdanoviq pasi të dielën kjo listë arriti të fitonte në zgjedhje.

Sërdanoviq u shpreh se vazhdimi i dialogut për Kosovën është një prej pjesëve themelore të planit të tij politik duke theksuar se të gjitha platformat e marrëdhënieve të brendshme dhe të jashtme të Sërbisë bazohen në respektimin e Kushtetutës.

“Vazhdimi i dialogut për çështjen e Kosovës e Metohisë është pjesë themelore e planit studentor. Të gjitha platformat marrëdhënieve vendase e ndërkombëtare në Sërbi bazohen tek respektimi i Kushtetutës së Republikës së Sërbisë. Kështu që dhe kjo platformë për bisedimet, pra të ardhmen e mëtejshme të Kosovës e Metohisë të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Sërbisë“, ka thënë Sërdanoviq për REL.

Pyetjes nëse kjo nënkupton vijimin e dialogut dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura, ai u përgjigj se Lista Studentore mbetet e hapur për bisedime dhe zgjidhjen e çështjeve në interes të qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare.

“Abolutisht. Mbetemi të hapur, do të lëmë hapësirë për dialog të çelët dhe zgjidhjen e çështjeve në interes para së gjithash të qytetarëve tanë dhe të gjithëve në bashkësinë ndërkombëtare” tha ai.

Duke folur për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, Sërdanoviq tha se qeveria e ardhshme do të respektojë të gjitha protokollet ndërkombëtare të dakordësuara por që la mundësinë e rishikimit të marrëveshjeve të arritura më herët.

“Kjo do të thotë se ne si shoqëri e përgjegjshme dhe qeveri e përgjegjshme do të respektojmë protokollet ndërkombëtare të dakordësuara. Të gjitha protokollet që zyrtarët tanë në emër të Sërbisë janë dakordësuar do të jenë, kjo nuk do të thotë me patjetër, por që mund të rishikohen në këndvështrimin e asaj se nëse janë në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Sërbisë”, theksoi Sërdanoviq.

I pyetur nëse Lista Studentore është e gatshme që të bisedojë direkt me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, Sërdanoviq u përgjigj se për çështjet e rëndësisë strategjike do të vendosë pas formimit të qeverisë pasi kjo listë nuk e ka marrë ende pushtetin.

Sërdanoviq u kthye pas dhe për çështjen e ekstradimit të mundshëm të Millan Radoiçiqit, ku bëri me dije se në këtë moment nuk mundet që të paraqesë qëndrim përfundimtar për këtë çështje.

“Këtë vendim nuk mund t’a marr në këtë moment, pra gjykimin tim për këtë, sepse si individ në listë që ende nuk ka formuar qeverinë, nuk mund t’a jap. Por që sigurisht do të shikojmë që me të gjitha këto çështje të merren vendime në përputhje me procedurat ligjore që zbatohen në Republikën e Sërbisë” konkludoi Sërdanoviq.

Ky i fundit thotë se Sërbia do të vazhdojë procesin e integrimit europian dhe se politika e brendshme do të jetë në përputhje me standartet europiane në fushën e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, luftën kundër korrupsionit, funksionimin e institucioneve dhe lirinë e medias.

“Ne ngelemi në rrugën e integrimit europian. Ndërkohë që Sërbia ndodhet në procesin e eurointegrimit qysh nga viti 2000, para 26 vitesh. Kjo punë do të vazhdojë” tha Sërdanoviq.

Ky i fundit tha se një prej synimeve është ndalja e rënies së mbështetjes së qytetarëve të Sërbisë për integrimin europian duke vlerësuar se qeveria e mëparshme gjatë 15 viteve humbi 20% të mbështetjes së qytetarëve për këtë proces.

“Ne sigurisht mbi themelet e të njëjtave vlera civilizuese, respektimit të të drejtave dhe barazisë, veprimeve antikorruptive, funksionimit të institucioneve dhe lirisë së medias, harmonizojmë plotësisht politikën tonë të brendshme shtetërore me kapitujt 23 dhe 24, të cilët janë pengesa themelore për anëtarësimin e mëtejshëm në integrimin europian” theksoi Sërdanoviq.

Ky i fundit tha se për çështjet e politikës ndërkombëtare, duhet që të ndërmerret dialog i hapur mes qytetarëve të Sërbisë.

Sipas fjalëve të tij, qytetarët nuk janë plotësisht të informuar rreth asaj se çfarë i ofron Sërbisë Unioni Europian.

“Të gjitha çështjet e marrëdhënieve ndërkombëtare duhet që të realizohen përmes dialogut të hapur me qytetarët tanë. Këtë nuk mundet që t’a krijojë një njeri” tha Sërdanoviq.

Ky i fundit shtoi se Lista Studentore do të çelë hapësirë për diskutime transparente për politikën e jashtme që qytetarët të mund të shprehin qëndrimet e tyre dhe të vendosin se në cilin drejtim mendojnë se është më i miri për Sërbinë.

Pyetjes nëse kjo mund të kuptohet dhe rishikimin e marrëdhënieve ndaj sanksioneve për Rusinë, Sërdanoviq u përgjigj se për këtë çështje do të vendosin qytetarët e Sërbisë.

“Kjo mund të thuhet se për këtë raport, patjetër që do të vendosin qytetarët e Sërbisë” tha ai duke shtuar se politika ndërkombëtare duhet të jetë në përputhje me kërkesat dhe vullnetin e shumicës së qytetarëve dhe jo vendimeve individuale apo të një grushti njerëzish.