Zyra për KdheM: Përfaqësuesit ndërkombëtarë të angazhohen për lirimin e të ndaluarve në Gazimestan
Zyra për Kosovë dhe Metohi e Qeverisë së Serbisë njoftoi se do të informojë të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë lidhur me ndalimin e disa serbëve pas shënimit të Vidovdanit dhe parastosit në Gazimestan, duke e cilësuar këtë veprim si një akt të turpshëm dhe të papranueshëm represioni nga regjimi i Albin Kurtit.
“Ne kërkojmë që përfaqësuesit ndërkombëtarë të angazhojnë të gjitha përpjekjet dhe aktivitetet e tyre diplomatike për lirimin e të gjithë të ndaluarve. Atyre, sigurisht, do t’u sigurohet edhe ndihmë juridike”, thuhet në njoftim.
Siç shtohet më tej, ndonëse shënimi i Vidovdanit në Gazimestan kaloi në mënyrë dinjitoze dhe në frymën e kësaj feste të madhe, “policia e Kurtit kreu edhe një akt tjetër të dhunës, në kundërshtim me frymën e paqes, tolerancës dhe pajtimit”.
“Siç jemi njoftuar nga përfaqësuesit tanë në terren, janë ndaluar disa serbë nga Kosova dhe Metohia, por edhe nga Serbia qendrore. Formacionet e Kurtit, gjatë daljes nga Gazimestani, futën me forcë disa serbë në kabina të improvizuara metalike të vendosura paraprakisht dhe më pas i transportuan me automjete policore në një drejtim të panjohur. Prishtina e shfrytëzoi edhe këtë festë të madhe si pretekst për hakmarrje ndaj serbëve dhe për t’ia mohuar popullit tonë të drejtat themelore të njeriut, para së gjithash të drejtën për t’i shënuar festat e veta kombëtare lirshëm, pa frikë dhe në paqe”, thuhet në deklaratën e Zyrës për KdheM.
komentet