Bogdanoviq themelon Ligën Demokratike Sërbe: Përgjegjëse për komunitetin tonë dhe Maqedoninë progresive
Ish kryetari i komunës Qendër Sasha Bogdanoviq formoi partinë e re nën emërtesën Liga Demokratike Sërbe, e cila mbrëmjen e djeshme në sallën e Filarmonisë së Maqëdonisë mbajti kongresin e parë zgjedhor
Bogdanoviq në Fejsbuk vuri në dukje se delegatët njëzëri mbështetën formimin e Këshillit Qëndror dhe Mbikqyrës si dhe u miratua draft-marrëveshja e koalicionit ku sipas fjalëve të tij u përshkrua rruga e ardhshme politike e partisë.
“Kjo nuk është vetëm forcë e re politike, por paraqet rimëkëmbje historike të bashkëpunimit dhe traditës së Ligës së parë sërbe të themeluar në Shkup në vitin e hershëm 1908. Me organizim, dinjitet dhe unitet, do të ruajmë identitetin tonë, duke respektuar identitetin e të tjerëve”, tha ai.
Në këtë ngjarje asistuan përfaqësues të partive të tjera politike, figura publike në Maqedoninë e Veriut, si dhe nënkryetarja e Këshillit Qëndror të PPS Nevena Gjuriq.
“Mirënjohje të sinqerta për mbështetjen e fortë të nënkryetares së Këshillit Qëndror të Partisë Përparimtare Sërbe nga Republika e Sërbisë, si dhe të gjithë përfaqësuesve të partive politike dhe jetës publike maqedonase që ishin me ne në sallë mbrëmë. Do të vijojmë përpara, me përgjegjësi e dinjitet për komunitetin tonë dhe për Maqedoninë progresive", shkruan Bogdanoviq.
Ky i fundit theksoi se historia e organizimit politik të sërbëve në territorin e Maqedonisë së Veriut daton shumë larg dhe se organizata e parë dhe më e vjetër politike, Partia e Sërbëve, u themelua në vitin 1908 në Shkup, në prag të nisjes së parlamentarizmit, në Perandorinë e atëhershme Osmane.
"Atëherë, si dhe tani, me dëshirën për të mbledhur dhe drejtuar përfaqësuesit më të mirë shoqërorë dhe politikë të sërbëve nga Maqedonia, Liga Demokratike Sërbe zotohet për afirmimin dhe mbrojtjen e të drejtave të garantuara me ligj, ndërtimin e institucioneve demokratike dhe afirmimin e identitetit sërb, origjinalitetit, autoktonisë, gjuhës, kulturës, zakoneve dhe të ardhmes së sigurt", tha Bogdanoviq.
Sikurse shtoi, Liga Demokratike Sërbe është e vendosur fort që, së bashku me qytetarët e tjerë të Maqedonisë së Veriut, të kontribuojnë bashkarisht në ndërtimin e atdheut.
komentet