Ullutash me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë për situatën e sigurisë në Kosovë
Komandanti i Kfor Ozkan Ullutash është takuar në Tiranë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë Arben Kingji me të cilin bisedoi për situatën e sigurisë në Kosovë e rajon.
Sikurse bëhet e ditur në njoftimin e Misionit të Nato në Fejsbuk, Ullutash ripërsëriti kontributin e Kfor në mbajtjen e mjedisit të sigurtë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
Në prag të dorrëzimit të detyrës planifikuar për në 14 tetor, Ullutash falenderoi Shqipërinë për kontributin e vazhdueshëm që jep për KFOR nën udhëheqjen e NATO dhe falenderoi Kingjin për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.
Kfor vijon të zbatojë mandatin e vet bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në mjedis të sigurtë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, thuhet në njoftim.
Kjo bëhet në çdo moment, paanshmërisht dhe në koordinim të ngushtë me Policinë Kosovare dhe Misionin e Unionit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, në kuadër të roleve të tyre përkatëse në përgjigje të sfidave të sigurisë.
komentet