MPJ të Shqipërisë dënon heqjen e flamurit nga Ambasada e Izraelit në Tiranë gjatë protestës së mbrëmshme
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dënoi përdhosjen dhe heqjen e flamurit nga Ambasada e Izraelit në Tiranë gjatë protestave të mbrëmshme duke vlerësuar se sjellje të tilla paraqesin manifestim të urrejtjes dhe intolerancës dhe se nuk kanë lidhje me shprehjen e lirë dhe të drejtën legjitime për protestë paqësore.
“Veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me lirinë e shprehjes, të drejtën legjitime për protestë paqësore apo me vlerat tona demokratike dhe standardet evropiane që kemi ndërtuar dhe po forcojmë çdo ditë. Ato janë shfaqje të urrejtjes, intolerancës dhe nxitjes së saj dhe janë krejtësisht të papajtueshme me parimet e respektit dhe bashkëjetesës që Shqipëria i ka në themel dhe i çmon me përkushtim” bëhet e ditur në deklaratë.
Ministria vlerëson se ky akt është në kundërshtim me traditën shumëvjeçare shqiptare të mikpritjes, harmonisë dhe respektit ndaj të tjerëve.
“Ato përfaqësojnë vetëm ata që kërkojnë të provokojnë, përçajnë dhe të përhapin urrejtje, duke shpërdoruar dhe keqpërdorur në mënyrë të qëllimshme të drejtat dhe liritë” thuhet më tej.
Shqipëria, sikurse theksohet, mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e misionit diplomatik dhe simboleve të tyre në përputhje me të drejtat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike.
“Shprehim solidaritetin me Ambasadën e Shtetit të Izraelit dhe theksojmë se dhuna, intimidimi dhe gjuha e urrejtjes nuk mund dhe nuk do të kenë vend në një shoqëri demokratike" konkludohet në deklaratë.
Në Tiranë qytetarët që kundërshtojnë projekt-zhvillimin e turizmit në zonën e mbrojtur të Sazanit dhe Zvërnecit, mbrëmjen e djeshme protestuan për të 21 herë para zyrës së kryeministrit dhe në rrugët e kqyeqytetit. Kryeministrit Edi Rama i bërën thirrje për dorëhqeje.
komentet