Igumeni Sava Janjiq: Serbët në Kosovë nuk ndihen as të lirë e as të sigurt

Iguman manastira Visoki Dečani, otac Sava Janjić
Burim: Kosovo Online

Igumeni i Manastirit të Deçanit të Lartë, Sava Janjiq, në një tekst autorial për gazetën gjermane Tagespiegel thekson se serbët në Kosovë nuk ndihen as të lirë dhe as të sigurt dhe fajëson autoritetet në Prishtinë për inkurajimin e një Kosove “etnikisht të pastër”, transmeton Deutsche Vele.

Janjiq shkruan për gazetën e Berlinit Tagespiegel se marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë janë më të tensionuara që nga trazirat e vitit 2004 dhe se ka raportime të vazhdueshme për presionin e serbëve nga policia e Kosovës.

“Me ndihmën e saj duket se serbët duhet të detyrohen të dorëzohen, ndërkohë që në të njëjtën kohë nuk merren parasysh kërkesat e SHBA-së dhe BE-së për deeskalim – veçanërisht kërkesa për tërheqjen e policisë dhe kryetarëve shqiptarë nga veriu i Kosovës”, thekson Janjiq në tekst.

Janjiq vlerëson se pozita e serbëve u përkeqësua edhe më shumë me ardhjen e Albin Kurtit dhe Qeverisë së tij.

"Kjo qeveri duket se dëshiron t'i nënshtrojë serbët e Kosovës me një pushtim de facto. Më kujtohet koha kur ne mund të bashkëpunonim hapur me institucionet e Kosovës. Por vitet e fundit, fjalimet nxitëse, agresiviteti i mediave dhe lajmet e rreme kundër Serbëve dhe Kishës tonë janë shtuar”, thotë ai.

Siç shton, të drejtat dhe siguria minimale aktualisht mund t'i atribuohen vetëm pranisë së KFOR-it dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë.

“Në të njëjtën kohë, përshkallëzimi i nacionalizmit mbarëshqiptar, i cili po ushqehet nga pushteti aktual në Prishtinë, shkon paralelisht me represionin dhe mosrespektimin e marrëveshjes, duke minuar besimin në institucionet e Kosovës që është ndërtuar në vitet e mëparshme”, sipas artikullit në Tagesspiegel.

Janjiq shkruan se në Prishtinë ekziston dëshira për një “Kosovë etnikisht të pastër” dhe shton se të rinjtë serbë të Kosovës “që nuk duan të jetojnë si qytetarë të dorës së dytë” po radikalizohen.

"Në thelb, nacionalistët e të gjitha ngjyrave janë të bashkuar nga një vizion monstruoz i shoqërive etnikisht homogjene. Mungesa e gatishmërisë së BE-së për të integruar vendet e Ballkanit Perëndimor hapi rrugën për forcimin e nacionalizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit," shton igumeni i Deçani të Lartë.

Siç thekson ai, serbët e Kosovës duan të jetojnë të sigurt dhe në paqe, por kjo është e vështirë të imagjinohet tani sepse autoritetet e Kosovës duan të detyrojnë besnikërinë nga policia.

“Ky ishte pikërisht gabimi i madh i Millosheviqit në vitet 1990. Kryeministri Kurti duket se po përsërit të njëjtën qasje”, shkruan Janjiq.

Lidhur me dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili vazhdon sot në Bruksel, Janjiq thekson se fillimisht duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura mes viteve 2013 dhe 2022, ku përfshihet edhe Asociacioni i Komunave Serbe, dhe vetëm më pas të kalohet në marrëveshjet e këtij viti nga Brukseli dhe Ohri, për të cilat ai vlerëson se “padyshim janë marrë vesh vetëm joformalisht”.

"Ne nuk mund ta ngremë çatinë e shtëpisë para themelit dhe mureve. Shtyllat e çdo shoqërie të qëndrueshme përfshijnë sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të pakicave dhe respektimin e rreptë të standardeve ndërkombëtare të BE-së, të cilat aktualisht nuk ekzistojnë në Kosovë", shton Janjiq dhe përfundon:

“Çështja vendimtare është nëse Kosova me të vërtetë dëshiron të jetë një shoqëri e vërtetë evropiane ku të gjithë mund të jetojnë të lirë pa dallim etnie dhe feje – apo një shoqëri etnike-shqiptare ku nuk ka vend për të tjerët”.