Jevtoviq: Na mungojnë zejtarët, po bie interesi për shkollat e mesme profesionale
Jellena Jevtoviq nga Unioni i Punëdhënësve të Serbisë deklaroi për Kosovo online se në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ashtu si edhe në të gjitha vendet evropiane, ka mungesë të profesioneve zejtare, prandaj është e domosdoshme reforma e sistemit arsimor, në mënyrë që politikat e regjistrimit në shkolla të harmonizohen me nevojat e tregut të punës.
“Situata është e njëjtë kudo – mungojnë zejtarët, jo vetëm në rajonin tonë, pra në Ballkan, por në përgjithësi edhe në vendet evropiane. Nga njëra anë, arsyeja është se të rinjtë nuk po zgjedhin profesione të tilla. Prindërit i orientojnë fëmijët drejt profesioneve të zyrës, ndërsa nga ana tjetër, një numër i madh zejtarësh me përvojë kanë llogaritur se u leverdis më shumë të shkojnë në vende të tjera për të siguruar një jetë më të mirë. Mungojnë të gjitha profesionet zejtare, por edhe profesionet teknike. Në sektorin e ndërtimit mungojnë të gjitha profilet. Po ashtu mungojnë shoferët, teknikët e ndërtimit, elektroteknikët dhe automekanikët. Pa dyshim që jemi përballë një problemi”, tha Jevtoviq.
E pyetur nëse nxënësit që përfundojnë klasën e tetë janë të interesuar të regjistrohen në shkollat e mesme profesionale dhe nëse nevojat e tregut janë në përputhje me politikat e regjistrimit, Jevtoviq theksoi se Unioni i Punëdhënësve prej vitesh ka kërkuar një reformë gjithëpërfshirëse të sistemit arsimor.
“Duhet të ketë reformë në mënyrë që arsimi t’u përshtatet nevojave të tregut të punës, e jo që tregu t’u përshtatet kuadrove që tashmë janë shkolluar vetëm për t’u punësuar. Kemi paraqitur shumë iniciativa që kanë marrë mendim pozitiv nga Këshilli Social-Ekonomik dhe mendoj se në këtë drejtim duhet të punohet edhe në të ardhmen”, shpjegoi ajo.
Ajo shton se interesi i të rinjve për shkollat e mesme profesionale ka kohë që është në rënie.
“Ende nuk kemi rezultatet zyrtare të provimit pranues për të ditur sa nxënës janë regjistruar në shkollat profesionale, ndërsa këtë vit provimin pranues e kanë dhënë pak më shumë se 60.000 fëmijë. Besoj se për një pjesë të tyre motiv ka qenë subvencioni prej 5.000 dinarësh që u jepet nxënësve të cilët regjistrohen në profilet që ndodhen në listën e profesioneve deficitare. Jemi të vetëdijshëm se jo të gjithë mund të bëhen mjekë apo ekonomistë; fëmijët duhet të arsimohen sipas prirjeve dhe aftësive të tyre”, tha bashkëbiseduesja jonë.
Sipas saj, duhet të zhvillohet një fushatë promovuese për profesionet zejtare, e cila duhet t’u drejtohet edhe prindërve.
“Ata duhet të informohen dhe të kuptojnë se cilat janë profesionet që sot janë në të njëjtin nivel me profesionet me kualifikim të lartë për sa i përket të ardhurave. Dikush që përfundon një shkollë profesionale ka mundësinë të bëhet pronar i biznesit të vet, të hapë kompaninë e tij, të jetë sipërmarrës dhe të mos punojë për askënd. Nga ana tjetër, duhet të përfshihen edhe mediat, sindikatat dhe punëdhënësit, në mënyrë që të kuptojmë se në cilat drejtime do të zhvillohet vendi ynë gjatë pesë, gjashtë apo shtatë viteve të ardhshme. Nuk është qëllimi që, nëse shohim se mungojnë 200 muratorë, tani të gjithë të bëhen muratorë. Pikërisht për këtë arsye nevojitet reforma, që të bëhet një analizë e saktë e nevojave”, përfundoi Jevtoviq.
komentet