Manastiri i Deçanit: Pezullohen punimet brenda Zonës Speciale të Mbrojtur, shkoi përtej mirëmbajtjes rutinore

Put kod Visokih Dečana
Burim: X/@DecaniMonastery

Nga Manastiri i Deçanit njoftohet se pas ndërhyrjes formale të manastirit dhe Arqipeshkvisë, si dhe angazhimit të shpejtë të përfaqësuesve ndërkombëtarë, janë pezulluar punimet intensive në rrugë që u kryen së fundmi brenda Zonës Speciale të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit. Aranzhimi i Këshillit për Implementim dhe Monitorim i vitit 2020, sikurse thanë, mbetet baza për zgjidhje ligjore e të përhershme.

Manastiri u shprehu mirënjohjen të gjithëve që njohën seriozitetin e situatës dhe kontribuan në ndaljen e aktiviteteve të mëtejshme të njëanshme derisa të sqarohen rrethanat e plota ligjore e teknike të punimeve.

"Igumani i Manastirit të Deçanit, at Sava Janjiq, përcolli letër zyrtare më 29 korrik kryekomunarit të Deçanit, zotit Bashkim Ramosaj, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të punimeve dhe pajtueshmërinë e plotë me Ligjin nr. 03/L-039 për Zonat Speciale të Mbrojtura. Manastiri nuk u njoftua paraprakisht ose nuk u konsultua, nuk mori ndonjë dokumentacion projekti, autorizim ligjor, spegim teknik ose informacion në lidhje me fushëveprimin dhe qëllimet e punimeve", bëhet e ditur në njoftimin e publikuar në rrjetin social "X". 

Shtojnë se kryekomunari më pas i përshkroi aktivitetet si mirëmbajtje e zakonshme e rrugëve dhe vuri në dukje se asfaltimi nuk është planifikuar dhe se punimet do të ndalen.

"Manastiri vlerëson reagimin e shpejtë të kryekomunarit dhe pezullimin e punimeve. Megjithatë, spegimi i dhënë nuk korrespondon me natyrën dhe shkallën e aktiviteteve të dokumentuara në terren. Kamionët e rëndë sollën sasi të konsiderueshme agregatësh zhavorri, ndërsa makineritë e rënda të ndërtimit u shpërndanë, rrafshuan dhe niveluan materialin përgjatë pjesës së konsiderueshme dhe me sa duket të vazhdueshme të një pjese të rrugës. Për vetë fushëveprimit, vazhdimësisë dhe karakterit teknik, këto punime tejkaluan qartë riparimin e gropave të izoluara apo mirëmbajtjeve të tjera të vogla dhe rutinore", bëhet e ditur.

Sikurse shtohet, Manastiri i Deçanit bashkëpunoi rregullisht me Komunën në këndvështrimin e vërtetë të riparimeve të vogla të rrugëve lokale, sa herë që aktivitete të tilla njoftoheshin paraprakisht dhe koordinoheshin me manastirin dhe KFOR.

"Shqetësimi ynë nuk drejtohet ndaj mirëmbajtjes së zakonshme të rrugëve apo nevojave legjitime të popullsisë vendase. Ai ka të bëjë me punime të rëndësishme infrastrukturore të kryera brenda zonës ligjërisht të mbrojtur pa njoftim paraprak, konsultim, marrëveshje apo shqyrtim nga ana e mekanizmit të përbashkët kompetent krijuar me ligj. Dallimi ligjor është i qartë. Ndërtimi apo zhvillimi i rrugës ndërkombëtare tranziti përmes të Zonës Speciale të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit, është i ndaluar nga Neni 5 i Ligjit për Zonat Speciale nën Mbrojtje. Projekt i tillë nuk mund të miratohet nga Komuna, madje dhe nëse manastiri pranon, as të zbatohet përmes aktiviteteve të njëanshme në terren", shkruhet në njoftim.

Bëjnë të ditur se njëkohësisht punimet për ndërtimin e rrugëve, mirëmbajtjen dhe riparimet e rëndësishme brenda Zonës Speciale të Mbrojtur, paraqesin aktivitete të kufizuara sipas Nenit 6 të Ligjit.

"Ato kërkojnë koordinim dhe marrëveshje paraprake me Kishën Ortodokse Sërbe. Në rast se nuk mund të arrihet marrëveshje, çështja duhet t'i përcillet Këshillit për Implementim dhe Monitorim (IMC), për shqyrtim. Asnjë nga këto procedura nuk u respektua para nisjes së punimeve të fundit. Gjithashtu është e rëndësishme të kujtojmë se çështja e bajpasit Deçan-Plavë nuk mbeti pa zgjidhje. Kompromis ligjor dhe i balancuar me kujdes u arrit në takimin e Këshillit për Implementim dhe Monitorim më 9 nëntor 2020", thuhet nga Manastiri.

Shpjegojnë se takimi mblodhi shefin e Zyrës së Bashkimit Europian dhe përfaqësuesin special të BE, kreun e Misionit OSBE në Kosovë, dy ministra të Kosovës që merren me kulturën dhe planifikimin hapësinor, kryekomunarin e Deçanit Bashkim Ramosaj dhe përfaqësuesin e Kishës Ortodokse Sërbe, igumanin e Manastirit të Deçanit, at Savën.

"Marrëveshja ishte e bazuar në planin që lehtësoi ish ambasadori italian në Kosovë, Nikola Orlando dhe ish-komandanti i KFOR, gjeneral-major Mikele Rizi. Plani që u pranua nga të gjithë pjesëmarrësit, parashikonte ndërtimin e bajpasit ndërkombëtar Deçan-Plavë jashtë kufijve të Zonës Speciale të Mbrojtur. Bajpasi kishte për qëllim të bëhej lidhja kyçe e trafikut për në Plavë në Mal të Zi dhe të merrte përsipër trafikun e rënduar ndërkombëtar jashtë zonës së mbrojtur. Marrëveshja u mbështet gjithashtu nga EEAS si hap i rëndësishëm para", thuhet nga manastiri.

Siç thonë, rruga egzistuese përmes Zonës Speciale të Mbrojtur, së bashku me rrugët e tjera në luginë, duhej të kishin mbetur pjesë e sistemit rrugor lokal, i destinuar kryesisht për banorët vendas, automjetet e lehta, nevojat bujqësore dhe qasjen në zonën malore përreth.

"Marrëveshja nuk lejonte shndërrimin gradual të rrugës lokale përmes Zonës njëkohësisht në bajpas. Marrëveshja parashikonte gjithashtu masa specifike të kontrollit të trafikut në afërsi të manastirit, përfshirë pajisje për kontrollimin e shpejtësisë dhe shtyllëza tërheqëse të destinuara për të parandaluar kalimin e automjeteve të rënda pranë mureve të manastirit. Këto masa u dakordësuan për mbrojtjen e jetës së paqtë të murgjeve, integritetin e Zonës Speciale të Mbrojtur dhe ambjentin kulturor e natyror të manastirit të shekullit të XIV i cili është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESKO, monumente mesjetare në Kosovë", bëhet e ditur nga manastiri.

Sikurse theksojnë, marrëveshja e vitit 2020 ishte e bazuar në proces të sinkronizuar.
Puna në bajpasin ndërkombëtar jashtë Zonës dhe rehabilitimi i kufizuar i rrugëve lokale brenda saj, duhej të shkonin paralelisht dhe në faza të definuara qartësisht.

"KFOR shprehimisht është i ngarkuar për monitorimin e progresit dhe raportimin te IMC para se të mund të miratohet ndonjë fazë pasuese. Ndaj, marrëveshja nuk paraqiste autorizim të përgjithshëm për punime të njëanshme, por kornizë institucionale e menduar që të sigurojë që i gjithë zhvillimi i rrugëve të mbetet në përputhje me Ligjet e Zonave Speciale në Mbrojtje. Fatkeqësisht, marrëveshja e vitit 2020 nuk është zbatuar ende. Bajpasi ndërkombëtar jashtë Zonës Speciale nën Mbrojtje nuk është ndërtuar, masat e dakordësuara të kontrollit të trafikut nuk janë instaluar dhe Këshilli për Implementim e Monitorim nuk është mbledhur rregullisht për të mbikëqyrur procesin e dakordësuar. Në këto rrethana, punimet e njëanshme në rrugën egzistuese brenda Zonës rrezikojnë të dëmtojnë si ligjin ashtu edhe kompromisin e pranuar unanimisht në vitin 2020", thuhet në deklaratë.

Në vijim, bëhet e ditur se Manastiri i Deçanit mbetet i përkushtuar ndaj dialogut, bashkëpunimit paqësor dhe nevojave legjitime të zhvillimit të të gjithë njerëzve që jetojnë në zonën e Deçanit.

"Manastiri nuk është kundër përmirësimit të lidhjeve të trafikut, zhvillimit ekonomik ose mirëmbajtjes së nevojshme të infrastrukturës lokale. Megjithatë, të gjitha aktivitetet e tilla duhet të kryhen në mënyrë transparente, ligjore dhe në respekt të plotë të regjimit të mbrojtjes speciale të vendosur për një nga vendet më të rëndësishme fetare dhe kulturore në rajon. Mdaj, manastiri mbetet i hapur për diskutime konstruktive me Komunën e Deçanit, institucionet kompetente kosovare, KFOR dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë. Diskutime të tilla duhet të zhvillohen në bazë të Ligjit për Zonat Speciale të Mbrojtura për Implementim dhe Monitorim të 9 nëntorit 2020, i cili tashmë ofron zgjidhje ligjore, të balancuar dhe të pranuar reciprokisht për bajpasin ndërkombëtar, rrugët lokale dhe mbrojtjen e manastirit të Deçanit", konkludon njoftimi.