Me shërbesë përkujtimore në Lipjan u shënua përvjetori i vrasjes së mësuesit dhe priftit Dena Debelkoviq

Parastos Deni Debeljkoviću
Burim: Kosovo Online

Me një shërbesë përkujtimore pranë varrit të Mladen Dena Debelkoviqit, mësuesit të parë të Lipjanit, priftit dhe mbledhësit të trashëgimisë gojore popullore të Kosovës, sot në Lipjan u shënua 111-vjetori i vrasjes së tij, si dhe Dita e Armëpushimit në Luftën e Parë Botërore.

Debelkoviq u vra më 11 nëntor 1915, kur ushtarët bullgarë, me anë të mashtrimit, e çuan në fshatin e afërt Suhodoll, ku e vranë mizorisht duke ia prerë kokën.

Mësuesi, prifti dhe veprimtari kombëtar nga Lipjani u varros mes dy kishave në Lipjan – Kishës së Shpalljes se Virgjëreshës dhe Kishës së Shën Florit dhe Lavrit.

Shërbesën përkujtimore e mbajti famullitari i Lipjanit, Dragisha Jeriniq, i cili, duke folur për jetën dhe veprimtarinë e tij, rikujtoi se Mladen Dena Debelkoviq kishte lindur në Lipjan, ku kishte përfunduar edhe shkollën fillore.

Pas përfundimit të Seminarit Teologjik në Prizren, Debelkoviq u bë një nga mësuesit e parë në Lipjan, ndërsa shërbeu edhe si prift.

“Ai u angazhua jo vetëm për kishën, por edhe për shkollën. U përkushtua për ruajtjen e gjithë asaj krijimtarie popullore që njerëzit e kishin krijuar përmes zakoneve, kulturës dhe traditës. Të gjitha këtyre u kushtoi shumë kohë dhe më pas i hodhi në letër, për të na lënë trashëgim atë që është e vlefshme për njeriun si individ, që ta ruajë brenda vetes dhe të qëndrojë në rrugën e drejtë, që të mos largohet nga besimi dhe të mos e harrojë shpirtin e tij. Prifti Mladen Dena, gjithçka që bëri, mësoi dhe predikoi, e dëshmoi me shembullin e tij – se si duhet jetuar. Në fund, ai u martirizua për besimin e tij, sepse nuk dëshironte të hiqte dorë nga asgjë”, tha Jeriniq.

Ai theksoi se gjëja më madhështore që mund t'i ndodhë njeriut është të martirizohet për besimin e tij.

“Kjo i ndodhi edhe priftit tonë, të cilin po e përkujtojmë këtu dhe që prehet prej më shumë se një shekulli pas altarit të Kishës së Hyrjes së Hyjlindëses së Shenjtë në Tempull, së cilës i shërbeu me besnikëri deri në frymën e fundit të jetës së tij. Kështu, ai na la trashëgim porosinë që edhe ne duhet të përpiqemi t'i ruajmë vlerat e vërteta, së pari përmes besimit, e më pas përmes arsimit, kulturës dhe gjithçkaje që e bën njeriun njeri”, tha Jeriniq.

Përfaqësuesit e Organit të Përkohshëm të Komunës së Lipjanit vendosën një kurorë me lule para monumentit kushtuar Mladen Dena Debelkoviqit.

Në shenjë respekti ndaj trashëgimisë së tij, Shkolla Fillore “Vëllezërit Aksiq” nga Lipjani organizoi këtë vit, për herë të parë, Ditët e Dena Debelkoviqit.

Përmes një shfaqjeje dhe një programi të pasur kulturo-artistik, të përgatitur nga nxënësit së bashku me mësuesit dhe arsimtarët, shkolla synon të ruajë kujtimin për jetën dhe veprën e tij, por edhe t'i njohë brezat e rinj me kohën në të cilën ai jetoi dhe krijoi.