KUSH është KUSH – Mikhail Bogachek: Doktor i bioinxhinierisë, në Prishtinë do të vijë nga Organizata e Shteteve Amerikane
Nëse Senati e konfirmon nominimin e tij, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë do të jetë Mikhail Bogachek, doktor i bioinxhinierisë dhe themelues i disa kompanive të suksesshme në fushën e shëndetësisë dhe farmacisë, i cili aktualisht ushtron detyrën e drejtorit ekzekutiv në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS).
Mikhail Bogachek është drejtues i lartë në sektorin e shëndetësisë dhe menaxhimit, me më shumë se 25 vjet përvojë në pozita drejtuese që përfshijnë veprimtarinë institucionale, qëndrueshmërinë financiare, inovacionet në shëndetësi dhe modernizimin teknologjik.
Në biografinë e tij të publikuar në faqen e internetit të Organizatës së Shteteve Amerikane thuhet se ai është “një drejtues vizionar dhe sipërmarrës me më shumë se 25 vjet përvojë në udhëheqjen e inovacioneve në fushat e shëndetësisë, teknologjisë dhe menaxhimit”.
Si drejtor ekzekutiv, ai mbikëqyr menaxhimin dhe integritetin e veprimtarisë institucionale, duke përfshirë shërbimet e përgjithshme, prokurimin dhe mbikëqyrjen menaxheriale, shërbimet financiare, burimet njerëzore, si dhe shërbimet e informacionit dhe teknologjisë. Krahas kësaj, ai mbikëqyr edhe Zyrën e sapokrijuar të Zyrtarit Kryesor për Menaxhimin e Rreziqeve në Organizatën e Shteteve Amerikane, e cila numëron 35 shtete anëtare.
Gjatë muajve të parë në këtë pozitë, Bogachek kreu një vlerësim gjithëpërfshirës të institucionit dhe nisi një plan strategjik të përqendruar në diversifikimin e të ardhurave, efikasitetin strukturor dhe modernizimin e sistemeve kryesore. Parashikohet që këto masa të mundësojnë gjenerimin e deri në 51 milionë dollarëve të ardhura vjetore të diversifikuara dhe rreth 5,8 milionë dollarëve kursime të përhershme strukturore.
Para angazhimit në OAS, ai ishte drejtor kryesor operativ i kompanisë “VativoRx”, ku drejtonte strategjinë operacionale dhe rritjen e kompanisë.
“Nën udhëheqjen e tij, ‘VativoRx’ u shndërrua në një kompani lider në nivel kombëtar për menaxhimin e rabateve dhe administrimin e përfitimeve farmaceutike, shërbimet e së cilës kanë ndikuar në jetën e më shumë se 1,4 milion njerëzve në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në biografinë e Bogachekut.
Themelues i disa kompanive
Ai themeloi kompaninë “Cooperton”, e specializuar në sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e situatave të krizës, e cila ofron mbrojtje për më shumë se 60 për qind të spitaleve në Porto Riko, si dhe për infrastrukturën kryesore shtetërore.
Para kësaj, ai themeloi edhe kompaninë farmaceutike “PharmaLife”, e cila ishte pioniere në krijimin e sistemit të parë të kartelave elektronike shëndetësore në të gjithë shtetin e Xhorxhias, të destinuar për Departamentin e Drejtësisë për të Mitur.
Doktor i bioinxhinierisë, flet rusisht, ukrainisht dhe hebraisht
Bogachek ka përfunduar studimet themelore në fushën e inxhinierisë industriale dhe të sistemeve në Institutin e Teknologjisë të Xhorxhias, ndërsa më pas ka fituar edhe gradën e doktorit të shkencave në bioinxhinieri.
Këtë vit ka përfunduar programin OPM (Owner/President Management – Menaxhimi i Pronarëve/Presidentëve) në Shkollën e Biznesit të Harvardit, ndërsa është autor i më shumë se 20 publikimeve shkencore që kanë kaluar procesin e recensimit.
Flet rrjedhshëm rusisht, ukrainisht dhe hebraisht.
Është i martuar dhe baba i tre fëmijëve.
Lidhja me Partinë Republikane
Më 6 nëntor 2023, Bogachek u zgjodh anëtar i bordit drejtues të Koalicionit Hebre Republikan, një organizatë që synon forcimin e lidhjeve mes komunitetit hebre amerikan dhe Partisë Republikane, si dhe mbështetjen e kandidatëve republikanë në zgjedhje.
Sipas informacioneve të publikuara në faqen e internetit të Koalicionit Hebre Republikan, Bogachek është anëtar aktiv i organizatës YPO, rrjetit më të madh në botë të drejtorëve ekzekutivë, presidentëve të kompanive dhe themeluesve të tyre, si dhe i “Ocean Reef Club”, një tjetër organizatë ekskluzive dhe elitare, e përqendruar te liderët e biznesit në nivel global.
Shtohet se “në kohën e lirë i pëlqen të lundrojë dhe të bëjë ski me bashkëshorten e tij, Valerijan, dhe tre fëmijët e tyre”.
Nëse merr “dritën jeshile” nga Senati, Bogachek do të plotësojë në Prishtinë postin e ambasadorit, i cili ka mbetur vakant prej gati dy vjetësh, që nga dhjetori i vitit 2024, kur Jeffrey Hovenier u largua pas përfundimit të mandatit të tij.
0 komentet