Pata: Vendet e Ballkanit nuk janë të përgatitura të përballen me kërcënimet terroriste

Pata
Burim: Kosovo Online

Analisti politik dhe redaktori i gazetës së përditshme “Tema” nga Tirana, Ylli Pata, konsideron se shërbimet e inteligjencës shqiptare nuk kanë ndërmarrë masat e duhura për t'u përballur me kërcënimin e sulmeve terroriste, siç ishte sulmi i fundit ndaj Ambasadës së Izraelit në Beograd, si dhe se vendet e Ballkanit nuk janë mjaftueshëm të përgatitura për t'u përballur me këtë lloj kërcënimi.

Pata thekson se shërbimet e inteligjencës shqiptare ua kanë lënë këtë çështje politikanëve dhe janë mbështetur në tolerancën fetare në shoqëri.

“Në vende të tjera, si Italia dhe Franca, për të mos përmendur Izraelin, kanë arritur ta kuptojnë se çfarë rreziku paraqesin këto grupe. Tek ne kjo ende nuk është kuptuar. Për këtë arsye nuk jemi të përgatitur. Kemi shembullin e sulmit ndaj Ambasadës së Izraelit në Beograd. Serbia është një nga vendet me shërbime të sigurisë të zhvilluara mirë, por edhe atje për vite me radhë kanë treguar tolerancë, ndoshta për të mos dëmtuar marrëdhëniet ndërfetare në vend. Këtyre grupeve u është lënë hapësirë për të vepruar dhe mendoj se as Serbia nuk është mjaftueshëm e përgatitur për një situatë të tillë”, konsideron Pata.

Ai rikujton se sulmuesi në Beograd arriti të plagoste me thikë një pjesëtar të Xhandarmërisë.

“Kjo tregon se as vetë pjesëtari i Xhandarmërisë nuk arriti të reagonte në mënyrën e duhur, megjithëse është i trajnuar për të vepruar në situata të tilla. Kjo është situata dhe mendoj se të gjitha vendet tona ballkanike janë të papërgatitura për këtë konflikt”, thotë Pata.

Pata konsideron gjithashtu se sulmi terrorist ndaj Ambasadës së Izraelit në Beograd nuk ishte pasojë e ndonjë problemi apo përkeqësimi të marrëdhënieve të Serbisë me vendet e Lindjes së Mesme dhe se nuk ka asnjë lidhje me marrëdhëniet ndërfetare në Serbi.

“Duhet të theksojmë se Serbia ka marrëdhënie shumë të mira me të gjitha vendet arabe, me shtetet e Gjirit Persik, por edhe me Izraelin. Kjo është, në njëfarë mënyre, vazhdimësi e traditës së diplomacisë së suksesshme të ish-Jugosllavisë ndaj vendeve të Lëvizjes së të Painkuadruarve. Dihet se Tirana dhe Beogradi janë dy kryeqytetet e vetme në Ballkan ku Palestina ka ambasadë që nga vitet nëntëdhjetë. Kjo ngjarje, përkatësisht këto ngjarje, nuk e kanë shkakun te konflikti mes Izraelit dhe palestinezëve dhe as nuk lidhen me situatën atje. Madje nuk besoj se Irani qëndron pas këtyre sulmeve, duke pasur parasysh se është partner shumëvjeçar i Serbisë dhe ka marrëdhënie të zhvilluara me të. Bëhet fjalë për provokime tipike, që synojnë krijimin e një situate në Ballkan që do të dukej sikur është e lidhur me Lindjen e Mesme, por edhe nxitjen artificiale të fanatizmit fetar, i cili në vendet tona nuk është një dukuri e natyrshme, por nxitet nga jashtë”, tha Pata.

Pata pretendon se kjo ndodh sepse një zhvillim i tillë i ngjarjeve është në interes të Turqisë.

“Ndikimi turk në Ballkan, i cili është para së gjithash politik, por edhe jodiplomatik, realizohet përmes fondacioneve, grupeve dhe individëve të caktuar që janë radikalizuar dhe përdorin një retorikë të theksuar antiizraelite. Izraeli tani po nis një ofensivë diplomatike. Ka arritur një marrëveshje me Greqinë, një nga më të mëdhatë në Evropë, përmes së cilës këtij vendi i është siguruar një paketë e mbrojtjes kundërajrore. Ekzistojnë edhe marrëveshje me Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe bëhet fjalë për marrëveshje të rëndësishme. E njëjta gjë vlen edhe për Kroacinë dhe Republikën Sërpska”, vlerësoi Pata.

Në fund, Pata thekson se Ballkani është një hapësirë shumë dinamike dhe se pikërisht për këtë arsye aty përplasen interesa të ndryshme.