Rrjeti “SafeJournalists“: Kërcënimet ndaj Piro Nases dhe familjes së tij, sulm serioz ndaj medias së lirë

Piro Nase
Burim: Printskrin Report TV

Rrjeti “SafeJournalists“ ka shprehur shqetësim për kërcënimet ndaj gazetarit Piro Nase, reporterin lokal të Report TV dhe korrenspodentin dhe përkthyesin e Kosovo onlajn. Ata thanë se kërcënimet janë të papranueshme, veçanërisht kur janë të drejtuara ndaj gazetarëve që kryejnë detyrën e tyre me profesionalizëm për interes publik.

„SafeJournalists“ përshendet reagimin e shpejtë të policisë  në rastin e kërcënimit të Nases, por vëren me shqetësim se rasti përfshin kërcënime ndaj një gazetari dhe familjes së tij dhe duhet të kualifikohet ligjërisht në një mënyrë që pasqyron rëndësinë dhe seriozitetin e situatës, dhe jo të kufizohet vetëm në “fyerje”.

“Kërcënimet janë të papranueshme, veçanërisht kur drejtohen ndaj gazetarëve për kryerjen e detyrës së tyre ndaj interesit publik. Ato bëhen edhe më shqetësuese kur personat e dyshuar kanë lidhje me strukturat e rendit, pasi policia ka për detyrë të mbrojë qytetarët, përfshirë gazetarët. Në komunitetet e vogla lokale, ku lidhjet shoqërore janë më të ngushta dhe presionet më të forta, raportimi mbi çështje të ndjeshme si rastet e abuzimit seksual ndaj të miturve apo roli i autorëve të dyshuar kërkon guxim dhe një nivel të lartë përgjegjësie profesionale. Gazetarët kanë detyrimin të raportojnë për këto çështje në mënyrë etike dhe me kujdes”, thuhet në të.

“SafeJournalists“ i bën thirrje autoriteteve shqiptare të sigurojnë që hetimet në vijim të zhvillohen në mënyrë të plotë dhe të shpejtë, si dhe të merren masa efektive për të garantuar sigurinë e Piro Nases dhe familjes së tij.

“Qëndrojmë në solidaritet me të gjithë gazetarët në Shqipëri, të cilët, pavarësisht kushteve të vështira të punës dhe sfidave të të punuarit nën presion, e kryejnë detyrën e tyre me integritet dhe përgjegjësi për të garantuar që qytetarët të kenë akses në informacion të besueshëm. Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut” thuhet nga ky rrjet.