Shoqata e transportuesve të Ballkanit Perëndimor kërkon që KE deri më 10 gusht të gjejë zgjidhje për shoferët e kamionëve
Përfaqësues të shoqatave të transportit të Sërbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe B&H, vendosën që Komisionit Europian t'i përcjellë letër të re të përbashkët me kërkesën që deri më 10 gusht të ofrojë zgjidhje të pranueshme për problemin e kufizimit të qëndrimit të shoferëve profesionistë në hapësirën Shengen.
Kryetari i Shoqatës Ndërkombëtare të Biznesit të Transportit, Negjo Mandiq, njoftoi vendimin në konferencë me gazetarët pas takimit të përbashkët të përfaqësuesve të shoqatave të biznesit të këtyre katër vendeve, raporton RTS.
Mandiq tha se situata aktuale u analizua dhe u vlerësua se ndonëse problemet ende egzistojnë, momentalisht nuk janë të shfaqura si në periudhën e mëparshme.
"U dakordësuam që në këtë moment të mos ndërmarrim veprime konkrete, por të përcjellim letër nga takimi i sotëm Komisionit Europian me afat deri më 10 gusht për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme, nëse jo finale, atëherë të paktën zgjidhje kalimtare që shoferët dhe ndërmarrjet tona të transportit të mund të punojnë pa pengesa", tha Mandiq.
Ky i fundit tha se përfaqësuesit e shoqatës sërish do të takohen rreth 10 gushtit nëse deri atëherë nuk ka përgjigje të pranueshme nga Brukseli.
"Në këtë rast, do të shpallim masa të reja konkrete sesi të përshpejtojmë zgjidhjen e këtij problemi", tha Mandiq, duke mos precizuar se çfarë masash mund të merren.
Sipas fjalëve të tij, shoqatat e transportit në tre vitet e fundit, i kanë përcjellë disa letra Komisionit Europian dhe takimi i sotëm është konfirmim i unitetit dhe vazhdimësisë së luftës për zgjidhjen e problemit.
Mandiq theksoi se shoqatat e transportit dëshirojnë të shmangin protestat dhe bllokadat kufitare sepse, sikurse thotë, masa të tilla do të shkaktonin dëme për transportuesit dhe ekonominë e rajonit, por dhe partnerëve europianë.
"Ne nuk na përshtatet të mos vozisim sepse atëherë nuk fitojmë të holla, por kjo dëmton dhe ekonominë e vendeve tona, si dhe ekonominë europiane që është e lidhur me tonën. Ndaj apelojmë tek ta që marrin vendime, por dhe partnerëve tanë të biznesit në Europë, të ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjes", tha Mandiq.
Ky i fundit shtoi se spedicionarët nga rajoni në kongresin e fundit në Bukuresht, miratuan unanimisht deklaratë që mbështeste kërkesat e transportuesve.
Mandiq kujtoi se rregulli aktual sipas të cilit shtetasit e vendeve të treta mund të qëndrojnë në hapësirën Shengen maksimumi 90 ditë në periudhë 180 ditore, nuk u përgjigjet shoferëve profesionistë.
Sikurse spegoi, analiza e shoqatave të transportit tregon se shoferëve u duhen rreth 130 ditë punë në një periudhë prej 180 ditësh për funksionimin e pandërprerë të transportit ndërkombëtar.
Vlerësoi se shoferët profesionistë nuk mund të barazohen me turistët, sepse koha e kaluar në tranzit dhe kryerjen e transportit nuk përfaqëson qëndrim real.
"Shoferët profesionistë pjesën më të madhe të kohës e kalojnë në kamion apo pushimet të detyruara në parking. Ata nuk qëndrojnë në vendet e Shengenit si turistë, por bëjnë punën e tyre. Ndaj besojmë se mënyra aktuale e numërimit të ditëve nuk është e justifikuar dhe kërcënon seriozisht biznesin e kompanive të transportit", tha Mandiq.
Ky i fundit kujtoi se problemi u shpreh më tej pas zgjerimit të zonës së Shengenit në Kroaci, Rumani e Bullgari, ndaj vendet e rajonit janë praktikisht të rrethuara plotësisht nga shtetet anëtare të Shengenit, kështu që shoferët e kalojnë një pjesë të madhe të kohës së tyre të punës në atë hapësirë.
"Duke pasur parasysh atë që tani ka 33 vende në Shengen, kjo do të thotë se nuk mundemi të pranojmë në asnjë mënyrë që tranziti të nënkuptojë qëndrim. Nëse vozisim në ndonjë vend apo edhe madje drejt një vendi që nuk është anëtar i BE, pra Britanisë së Madhe, ne jemi në Shengen gjatë gjithë asaj kohe dhe nuk qëndrojmë në asnjë moment, sepse jemi ose në kamion ose në parking ndërsa bëjmë pauzë, por këto ditë kalohen shumë shpejt kur arrijmë dhe kthehemi, kështu që praktikisht rezulton se po qëndrojmë 90 ditë. Kjo është krejtësisht e gabuar që një profesionist nuk mund t’a bëjë punën e vet", konkludoi Mandiq.
0 komentet