UNS dhe DNKiM: Vendimi diskriminues i KQZ-së që as në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të mos akreditojë Kosovo online

Kosovo Online - Sve o Kosovu na jednom mestu
Burim: Kosovo Online

Shoqata e Gazetarëve të Serbisë (UNS) me degën e saj Shoqatën e Gazetarëve të Kosovës dhe Metohisë (DNKiM) e dënon vendimin diskriminues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Prishtinë që as në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë të mos lejojë portalin Kosovo online të ndjekë procesin zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e rregullt të mbajtur të mërkurën, miratoi akreditimet për vëzhguesit e subjekteve politike, organizatave dhe mediave për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, megjithatë portali Kosovo online sërish nuk u përfshi në listën e mediave të akredituara.

Përveç vëzhguesve, KQZ ka akredituar 32 shtëpi mediale vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe katër media që raportojnë në gjuhën serbe.

Në mbledhjen e mbajtur më 9 tetor të këtij viti, KQZ kishte refuzuar t’i akreditojë të gjitha mediat në gjuhën serbe për ndjekjen e raundit të parë të zgjedhjeve në Kosovë, të mbajtura më 12 tetor.
Vetëm një ditë më vonë, KQZ ndryshoi vendimin e mëparshëm dhe lejoi të gjitha mediat që raportojnë në gjuhën serbe, të cilat ishin paraqitur me kërkesë, të ndjekin zgjedhjet lokale, përveç portalit Kosovo online. Ky vendim erdhi pas reagimeve të ashpra të komunitetit mediatik, EFJ-së, IFJ-së, misionit të OSBE-së, ambasadës gjermane dhe shoqërisë civile.

Në njoftimin e tyre, UNS dhe DNKiM theksojnë se sërish shtrohet pyetja mbi çfarë kriteresh KQZ merr vendime për akreditimin e mediave dhe kujtojnë se gjatë raundit të parë të procesit zgjedhor, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e kishte pranuar ankesën e portalit Kosovo Online, por KQZ nuk kishte vepruar sipas asaj vendimi.

Ndërmarrja VIM INFO, themeluesi i portalit Kosovo online, më 9 nëntor 2025 i kishte dërguar në mënyrë të rregullt kërkesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndjekjen e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, por sipas njoftimit të KQZ-së nga mbledhja, Kosovo online nuk është akredituar.