FEJTON: Kosova - Kujtimet e ambasadorit të fundit amerikan në Jugosllavi (III)

Vilijem Montgomeri
Burim: Printskrin/N1

Kosovo onlajn, me pëlqimin e botuesit „Club Plus“, publikon pjesë të shkëputura nga libri i ish diplomatit Uilliam Montgomeri „Kur ovacionet heshtën-Kujtimet e ambasadorit të fundit amerikan në Jugosllavi“ (2016.), kapitulli 12 me titullin „Kosova“. Uilliam Montgomeri ishte ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd prej dhjetorit të vitit 2001 deri më shkurt të vitit 2004.

Ardhja e Coviqit

Kur qeveria e re e DOS mori detyrën, situata ishte kaotike në pjesë të Kosovës ku sërbët ishin dominues. Qeveria e Millosheviqit, në përputhje me narrativën e vet se "okupimi" i Kosovës ishte veçse i përkohshëm, vazhdoi të paguante një numër të madh sërbësh që ishin të punësuar në Kosovë para bombardimeve. Kjo kishte avantazh dhe disavantazh. Kur bëhet fjalë për anët e mira, pa një pagesë të tillë edhe më shumë sërb do të largoheshin përgjithmonë nga Kosova. Dhe kjo do të përfshinte pjesë të administratës, mësues, mjekë dhe profesionistë të tjerë. Kur bëhet fjalë për anët e këqia, një pagesë e tillë forcoi një lloj qeverisjeje paralele që i çoi në irritim shqiptarët e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtar në Kosovë. Ata e përjetuan këtë si vazhdimësi të ndërhyrjes së papranueshme në punët e Kosovës, dëshmi se qeveria e re e DOS në sytë e tyre, nuk ndryshon nga ajo e Millosheviqit që ishte më parë.

Egzistonte edhe një faktor tjetër. Mes atyre që vazhdonin të përfitonin rroga, ishin edhe efektivët e policisë, punonjës të Ministrisë së Brendshme dhe operativët. Ata vazhdonin të jepnin dhe merrnin udhëzime nga Beogradi. E për më tepër, veçanërisht në pjesën veriore të Mitrovicës, ekstremistët lokalë sërbë vijuan njëanshmërisht të vepronin kundër UNMIK dhe shqiptarëve të Kosovës, pa frikë nga ndëshkimet penale. Organizata e quajtur “Rojet e urës” u themelua për të mbrojtur urën që ndan pjesën veriore nga ajo jugore të Mitrovicës, ku jetojnë shqiptarët. Nëse një shqiptar (apo ndonjëherë edhe zyrtarë të UNMIK) do të përpiqej t’a kalonte atë, në të njëjtin moment do të pritej nga një turmë sërbësh të armatosur, të paktën me gurë, dhe të gatshëm për përplasje.

Nebojsha Çoviq mori lëvdata prej bashkësisë ndërkombëtare për punën e tij në jug të Sërbisë. Më dukej se ai ishte kandidat i shkëlqyer për të marrë detyrën brenda qeverisë sërbe në lidhje me çështjet kosovare. Besoja se pragmatizmi dhe natyra e tij aktive, do t'i mundësonin të rivendoste një lloj rregulli në marrëdhëniet e Sërbisë me bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë, si dhe frenonte ekstremistët sërbë. Për këtë e inkurajova fortë që të merrte detyrën dhe të lobonte brenda qeverisë sërbe që kjo të ndodhë. Siç doli, nuk i bëra asnjë shërbim. Larg asaj.

Prej fillimit të mandatit të tij, shqiptarët kosovarë ishin pa rezerva armiqësorë ndaj tij. Ishin të lumtur që u ndërtua një mur dhjetë metra i lartë për të ndarë plotësisht Sërbinë nga Kosova. Ndiheshin se çdo ndikim nga Beogradi ishte i papranueshëm, pjesërisht për shkak të frikës nga ripërtëritja e agresionit sërb, e pjesërisht thjesht për shkak të urrejtjes. Shqiptarët kosovarë besonin (paksa e justifikuar) se sërbët nuk e pranonin realitetin e ri në Kosovë ndërsa kërkonin ndihmë dhe mbështetje prej Beogradit. Përditë dënonin aktivitetin e Çoviqit dhe me kalimin e kohës pikëpamjet e tyre filluan të kuptohen nga bashkësia ndërkombëtare.

Çoviqi ofroi një sfidë të veçantë për bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë. Nga njëra anë, tregoi shpejt se mundet-kur të dëshirojë-të zbusë sjelljen e sërbëve ekstremistë të Kosovës. Pas negociatave të vështira dhe balancimit gati të pamundur me Daniel Everst, shefin e misionit vëzhgues të OSBE për zgjedhjet në Kosovë dhe përfaqësuesin e lartë të OKB Hans Hakerup, qeveria sërbe u dakordësua të inkurajonte sërbët e Kosovës që të votojnë në zgjedhjet parlamentare të planifikuara për në nëntor të vitit 2001. Kjo çoi në një përgjigje të favorshme prej sërbëve të Kosovës dhe në krijimin e një blloku mjaft të madh të deputetëve sërbë në parlamentin e ri kosovar. Bashkësia ndërkombëtare këtë rezultat e çmoi si një shenjë konkrete të përparimit drejt një shteti multietnik. Por sërbët e Kosovës shpejt e kuptuan se nuk kishin asnjë ndikim në parlament; se asnjë parti shqiptare nuk do të bashkëpunonte me ta; dhe se askush nuk respektonte propozimet e tyre. Ndiheshin sikur të ishin „dekor“ të projektuar për të treguar se Kosova përparon në drejtim të shtetit multietnik. Kjo përvojë edhe sot ndikon në qëndrimet e tyre për pjesëmarrjen në parlament.

Në këmbim të marrjes së ndihmës, Hakerup nënshkroi një dokument me qeverinë sërbe në të cilën në linja të shkurtëra, përshkruan një gamë të gjerë të fushave të bashkëpunimit mes UNMIK dhe Sërbisë në Kosovë. Këtu përfshinin hapësira si ajo në lidhjet e transportit, gjetjen e personave të zhdukur, çështjet ekologjike. Nga njëra anë, ishte shumë e kuptueshme dhe do të përmirësonte gjendjen e përgjithshme në krahinë. Por e meta u reflektua në faktin se pranimi i ndihmës nga Çoviqi dhe qeveria sërbe, mund të perceptohej (dhe kështu u përjetua nga shqiptarët e Kosovës) si dhënie de fakto e rolit Sërbisë në punët e Kosovës. Kjo patjetër ishte pikërisht ajo që dëshironte qeveria sërbe dhe sërbët e Kosovës. Çoviç negocioi mjaft mirë.

Kur Përfaqësuesi i Lartë i OKB Hakerup papritmas dha dorëheqjen në fillim të janarit 2002, ai u zëvendësua nga Majkëll Shtajner. Përshëndeta emërimin e tij, pasi personalisht kam punuar me Majkëllin prej vitit 1996 deri në 1997 kur kam qenë përfaqësues special i sekretarit të shtetit dhe presidentit për zbatimin e marrëveshjes boshnjake, e ai ishte zëvendës përfaqësues i lartë në Bosnjë. Ai ishte aktiv dhe bashkëpunoi ngushtë me ne në mjaft fusha.

Nga këndvështrimi sërb, emërimi i Shtajnerit mbeti katastrofë e vërtetë. Prej fillimit të mandatit të tij, refuzoi të ndërmerrte çfarëdolloj bashkëpunimi zyrtar me Çoviqin. Anuloi njëanshmërisht marrëveshjen që ishte nënshkruar mes Çoviqit dhe Hakerupit ku nxiti qeverinë sërbe që të inkurajonte sërbët e Kosovës që të votonin në zgjedhjet e vitit 2001. Këtë e bëri sepse në mjaft dispozita të marrëveshjes, parashihej krijimi i grupeve të punës rreth disa çështjeve të cilat do të ndihmonin në arritjen e përparimit në Kosovë, por njëkohësisht, i mundësonte Beogradit të luante lojën e vet. Kjo, natyrisht, bëri që Çoviç dhe sërbët të hezitonin bashkëpunimin me Shtajnerin.

Fill pas kësaj ai bëri gjënë më të keqe nga pikëpamja e sërbëve (dhe e imja). Beogradi në burgjet e Sërbisë mbante gati 150 shqiptarë kosovarë. Një nga qëllimet e bashkësisë ndërkombëtare ishte përherë ose lirimi i këtyre shqiptarëve ose së paku transferimi drejt burgjeve të Kosovës. U ndërmorrën negociata të detajuara sesi të arrihej kjo dhe UNMIK dërgoi një grup të veçantë ekspertësh për të studiuar çdo dosje për t'i ndarë në tre grupe. Disa raste ishin politikisht të pastërta ose nuk ishin shumë serioze dhe u arrit marrëveshja që këta të burgosur të liroheshin menjëherë. Disa ishin krime të qarta, të rënda dhe ishte e parashikuar që këta persona të transferoheshin në burgjet e Kosovës dhe të vuanin aty dënimin. Kategoria e tretë kërkonte gjykime të reja.

Kur u ndërmor një inspektim i tillë, Çoviqi shfrytëzoi ndikimin e vet dhe bindi qeverinë sërbe që të lirojë të gjithë të burgosurit dhe t'ia dorëzojë UNMIK, ku do t'i transferonte në Kosovë e më pas ndërmarrjen e veprimeve në përputhje me marrëveshjen e arritur. Të burgosurit u mblodhën, u akomoduan në autobusë dhe u dërguan në Kosovë nën mbikëqyrjen e UNMIK. Rreth pesë minuta pas mbërritjes në Prishtinë, para kamerave televizive dhe një turme të madhe shqiptarësh kosovarë entuziastë, Shtajner liroi pa kushte gjithë të burgosurit. Me një hap, ai u shndërrua në hero për shqiptarët e Kosovës dhe shkatërroi totalisht marrëdhëniet me Çoviqin dhe gatishmërinë e tij për të ndikuar në Beograd. Shtajner hodhi poshtë punën e komisionit të tij si rekomandime të zakonshme që ai nuk dëshironte t'i vazhdonte.

Çoviq ndërmorri misionin e vet kosovar duke pritur që të ishte në gjendje të bashkëpunonte me bashkësinë ndërkombëtare në të njëjtën mënyrë si në rastin e rebelimit në jug të Sërbisë. U shokua kur kuptoi se kjo ishte larg nga e vërteta. Shqiptarët kosovarë e urrenin dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare-aq më pak-nuk i besuan. Veç kësaj, duhej të konkurronte me qendra të forta të ndryshme të pushtetit në qeverinë e vet. Duke qenë se Gjingjiq dhe Koshtunica e dinin sesa domethënëse ishte çështja e Kosovës për të ardhmen e tyre politike, nuk donin t'ia linin plotësisht Çoviqit. Të dy mbanin kontaktet e veta në Kosovë dhe me bashkësinë ndërkombëtare dhe shpesh dërgonin mesazhe të paqarta për qëndrimet e Sërbisë. Për shembull, që në fillim, Shtajner krijoi një marrëdhënie personale direkte me Gjingjiqin (i cili me shumë mundësi ishte bazuar në qëndrimin e Gjingjiqit në Gjermani dhe lidhjet me liderë të tjerë politikë gjermanë). Kur Shtajner dëshironte të bëhej diçka, thjesht telefononte Gjingjiqin dhe bënte një marrëveshje të njëanshme pa asnjë konsultim. Këto aksione paraqiteshin si minim i qëllimshëm për Çoviçin, të cilin si Gjingjiq ashtu edhe Shtajner e dinin mjaft mirë.

Për shkak të këtij presioni dhe energjie negative, Çoviç nuk manifestoi cilësitë e tij më të mira. Ai drejtonte një luftë politike me të tjerët në koalicion, gjithmonë ishte agresiv, sidomos kur kritikohej ose kur ndjente se nuk respektohej. Filloi të ndryshonte natyrën e vet. Fiks siç mundi të ndihmonte në zbutjen e sjelljes së sërbëve të Kosovës, mundi të bënte edhe të kundërtën. Dhe ndjente kënaqësi duke e bërë këtë. Pasojat e kësaj çonin në reduktim të mëtejshëm të efektshmërisë së zyrës së tij dhe përkeqësim të mëtejshëm të reputacionit të tij ndërkombëtar. Mendimi i shqiptarëve të Kosovës se ai ishte një nacionalist i pa kompromis, filloi të pranohej gjithnjë e më shumë nga përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Paralelisht me këtë, egzistonte ngurrim në rritje për të pranuar Beogradin si çdo lloj partneri apo lojtari në procesin kosovar.

(Vazhdon....)