FEJTON: Kosova - Kujtimet e ambasadorit të fundit amerikan në Jugosllavi (II)
Kosovo onlajn, me pëlqimin e botuesit „Club Plus“, publikon pjesë të shkëputura nga libri i ish diplomatit Uilliam Montgomeri „Kur ovacionet heshtën-Kujtimet e ambasadorit të fundit amerikan në Jugosllavi“ (2016.), kapitulli 12 me titullin „Kosova“. Uilliam Montgomeri ishte ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd prej dhjetorit të vitit 2001 deri më shkurt të vitit 2004.
DIFERENCË NË MARRËDHËNIET NË BOSNJË
Komunitetit ndërkombëtar u desh të gjendej përballë me konflikte serioze të dhunshme në dy rajone të afërta njëkohësisht: Në Bosnjë e Kosovë. Fakti që u përdorën qasje të ndryshme të atilla, tregon sesa të pasigurtë ishim rreth asaj se cila do të ishte zgjidhja më e mirë. Në Bosnjë u krijua Këshilli për Zbatimin e Paqes (PIC) i përbërë nga lojtarët kryesorë ndërkombëtarë (përfshirë Turqinë, Rusinë, SHBA dhe vendet më të rëndësishme të BE) ku u emërua një përfaqësues i lartë me qëllim monitorimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe tranzicionin paqësor. KZP (PIC) organizoi (dhe ende vijon) takime mujore ku analizohen progreset e arritura dhe startimin e iniciativave të reja. Gjatë periudhës kur isha anëtar i PIC, në cilësinë e Përfaqësuesit Special të Presidentit dhe Sekretarit të Shtetit për Zbatimin e Marrëveshjes së Paqes në Bosnjë (nga viti 1996 deri në 1997) kemi patur një rol mjaft aktiv në ofrimin e udhëzimeve dhe duke ndërvepruar me përfaqësuesin e lartë.
Kosova u vendos nën kontroll të plotë të KB, ku në një farë mënyre do të thotë se askush nuk kish kontroll. Vështrimet në Këshillin e Sigurimit të OKB, u ndërmorrën në formën e punës. Në Bosnjë OSBE bëri publike dhe dorëzoi falas kopje të shumta të listave të votuesve si një prej masave të mirëbesimit. E njëjta kjo OSBE në Kosovë rreptësisht i fshehu nga publikimi. Kjo u bë për shkak se UNMIK kishte frikë se listat do të kontestoheshin prej sërbëve në Kosovë, si dhe nga autoritetet sërbe në Sërbinë jugore, të cilët ishin të shqetësuar për votimin e mundshëm të dyfishtë të shqiptarëve në këtë zonë. U refuzua direkt kërkesa e qeverisë sërbe për të ofruar kopje. Në Bosnjë, kthimi i refugjatëve në zonat ku ata ishin pakicë dhe liria e plotë e lëvizjes ishin dy parimet më të rëndësishme për komunitetin ndërkombëtar.
Shumë shkopinj e karrota u përdorën mjaftueshëm për të bërë këtë. Në Kosovë, kthimi urgjent i refugjatëve shqiptarë ishte prioriteti kryesor, por për kthimin e refugjatëve sërbë u dha vetëm mbështetje hipotetike. Derimë sot, më shumë se dhjetë vjet pas përfundimit të konfliktit, shumë pak prej tyre janë kthyer dhe ende nuk ka një shkallë konforte për sërbët që do të nënkuptonte se ka liri të plotë të lëvizjes. Më shumë sërbë janë larguar nga Kosova qysh prej vitit 2000 sesa janë kthyer.
QËNDRIMI I SËRBËVE TË KOSOVËS
Qëndrimi armiqësor i bashkësisë ndërkombëtare ndaj sërbëve mund të sqarohet kryesisht me faktin se të huajt mbërritën në shtet në valën e shqiptarëve të kthyer shumë prej të cilëve kanë vuajtur. Këta të fundit gjetën një vend të shkatërruar ku kishte një ndjenjë të dukshme se armiku i rrezikshëm (ushtria dhe policia sërbe) po detyrohej ngadalësisht të tërhiqej. U identifikuan me shqiptarët e kthyer dhe vurën re vargun e detyrave që i prisnin. Rivendosja e një qeverie funksionale shikohej si një detyrë madhore, pasi shumë pak shqiptarë kishin përvojë ose përgjegjësi menaxhuese gjatë regjimit të Millosheviqit. Bashkësia ndërkombëtare, e udhëhequr nga UNMIK, themeloi një zyrë në Prishtinë, ku shqiptarët e Kosovës përfitonin pothuajse të gjitha vendet e punës të destinuara për popullatën vendase. Takimet fillestare me sërbët nuk ishin të këndshme dhe dhanë tonin për vitet vijuese. Sërbët ndienin zemërim për shkak të dëmtimit të pronës së tyre; si pasojë e bombardimeve të NATO dhe për shkak të një kthese të fatit ku brenda natës, ata u shndërruan në pakicë e kërcënuar prej forcës dominuese në Kosovë.
Gjithashtu ata vuajtën brutalitetin dhe keqtrajtimin në vakumin ndërmjetës përgjatë tërheqjes së ushtrisë sërbe, ardhjes së KFOR dhe marrjes prej saj të kontrollit të plotë. Shqiptarët e Kosovës u shfaqën mizorë ndaj sërbëve të cilët nuk u larguan për atë që përjetuan nën dominimin e sërbëve. Me fjalë të tjera, arsyet kryesore përse sërbët e Kosovës ndjenin antagonizëm dhe nuk donin të bashkëpunonin, ishin pikërisht ato që kam thënë. Sërbët në tërësi besonin se Kosova ishte pronë e tyre dhe se shqiptarët e Kosovës kishin mashtruar bashkësinë ndërkombëtare për t'i lejuar t’a pushtonin. Që prej ditës së parë ata i qëndruan besnik këtyre parimeve ashtu sikurse dhe sërbët në Sërbi. Bashkësia ndërkombëtare kurrë nuk e kuptoi plotësisht thellësinë e këtyre ndjenjave, besonte se sërbët duhet t’a pranonin situatën e re dhe kur këtë nuk e bërën, filloi të ndjehej përherë e më e nervozuar.
Fajësoi qeverinë sërbe për inkurajimin e pikëpamjeve të vijës së ashpër, duke mos kuptuar se do të ishte politikisht e pamundur për ndonjë politikan sërb të bënte të kundërtën. Paragjykimet e sërbëve të Kosovës u forcuan për shkak të vëmendjes së pamjaftueshme për çështjet që kishin një rëndësi të madhe për ta (kthimi i refugjatëve sërbë, dënimi i shqiptarëve të Kosovës për krimet e luftës që ata bërën ndaj tyre, zbulimi i më shumë se 1000 sërbëve të zhdukur qysh prej ditëve të fundit të bombardimeve gjatë fushatës së NATO dhe identifikimit të trupave të zbuluar në varrezat masive).
STRATEGJIA IME
Kuptova se do të ishte joproduktive të përfshihesha në çdo debat në Sërbi për të mirat dhe të këqijat e bombardimeve të NATO gjatë mandatit tim. Ndjenjat për të ishin aq të forta dhe të bazuara sa nuk do të bënte mirë të ngrihej kjo çështje në marrëdhënien tonë. Për këtë, praktika ime e zakonshme ka qenë refuzimi në përfshirjen gjatë debateve publike rreth bombardimeve të NATO. Thjesht thoja kjo përfaqëson të kaluarën: interesat dhe mandati im kanë të bëjnë me të tashmen dhe të ardhmen. Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Sërbia mund të përfitojnë nga vendosja e marrëdhënieve më të ngushta, që do të nënkuptonte përmirësimin e bashkëpunimit dhe kam për detyrë të sigurohem që kjo të ndodhë.
Në të njëjtën kohë, bëra më shumë nga sa më kërkohej për të krijuar një marrëdhënie të mirë me organizatat e krijuara për të gjetur shtetasit sërbë të zhdukur në konfliktet e ndryshme pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, siç kisha bërë më parë në Kroaci e Bosnjë.
Gjithashtu bëra përpjekje të lidhja kontakte të ngushta me komisaren e refugjatëve në qeverinë sërbe, Sanda Rashkoviq-Iliq dhe kam mbështetur përpjekjet e saj për t’a ndihmuar. Kam vizituar kampet e refugjatëve, jo vetëm në zonën e Beogradit dhe Novi Sadit, por edhe në Medvegjë në jug të Sërbisë. Në 18 vitet e fundit, kam takuar mijëra refugjatë nga të gjitha grupet etnike. Të gjithë kishin diçka të përbashkët: të gjithë humbën pothuajse gjithçka që kishin dhe përjetuan frikë e tmerr, në ndryshim nga unë që isha me fat.
Megjithatë, fakti i trishtuar për refugjatët sërbë gjatë kohës sime në Sërbi nga viti 2000 deri në 2004 ishte se shumë prej tyre, u dorëzuan në një jetë të dëshpëruar të qetë në kufijtë sociale.
Qeveria ime kishte një qëndrim të qartë për Kosovën. E dija se do të ishte e dëmshme dhe kundërproduktive të merresha direkt me këtë çështe. Për këtë nga koha në kohë kam insistuar në dy tema specifike:
1. Arritja e qëllimit të krijimit të një shoqërie multietnike paraqiste parakushtin kryesor për shqyrtimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Ky synim është shumë më i largët sesa raportohej. Egzistojnë probleme të theksuara në Kosovë disa prej të cilave janë fshirë pak nën qilim. Duhet të pranojmë se do të jetë e vështirë t'i kapërcejmë. Do të duhet shumë kohë për to.
2. Nuk duhet të përjashtojmë asnjë opsion lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës. Nuk është e nevojshme ndërmarrja e ndonjë vendimi në këtë moment. Kush e di sesi do të shkojnë gjërat? Përjashtimi i opsioneve mund t’a bëjë më të vështirë arritjen e qëllimeve tona të përgjithshme.
Në periudhën nga viti 2001 deri në fund të vitit 2003, kam arritur disa suksese në të dy fushat. Kjo pjesërisht mund të spegohet me faktin se shumica e njerëzve e kanë kuptuar se do të duhet shumë kohë për të normalizuar administratën qeveritare në Kosovë, ndaj nuk ka presion për të gjetur një zgjidhje të menjëhershme. Por sekretari i shtetit Kolin Pauell pranoi gjithashtu sugjerimin tim që asnjë opsion të mos përjashtohej. Tek të gjitha njoftimet zyrtare të administratës sonë të bëra gjatë mandatit tim, është deklaruar se opsionet tona mbeten të hapura. Kjo ishte shumë e rëndësishme për mua, sepse atëherë e dija që zgjidhja e vërtetë për Kosovën mund të ishte një formë ndarjeje
(Vazhdon...)
0 komentet