Çfarë dialogu me KOS-in duan në Prishtinë? Pozicioni i KOS-it në Kosovë rëndon besueshmërinë e projektit të pavarësisë së Kosovës

Pogrom 2004.
Burim: TV Most

Ditët e fundit nga Prishtina po vinin zëra se si autoritetet atjeshme duhet të dialogojnë me Kishën Ortodokse Serbe. Fillimisht, analisti Milazim Krasniqi, duke kritikuar kryeministrin Albin Kurti se ka shkaktuar farsë duke e ndaluar patriarkun serb Porfirije të qëndrojë në Kosovë për Krishtlindje, ka deklaruar se Kurti duhet të fillojë procesin e marrëveshjes themelore me KOS-in, e më pas drejtori e Albanian Post, gazetari Baton Haxhiu, disa ditë më parë tha se Kosova, pas BKS-së, është në pritje të një sfidë edhe më të madhe - dialogun me Kishën Ortodokse Serbe.

Shtrohet pyetja se për çfarë dialogu flet Haxhiu, madje duke e parë nga këndvështrimi i Prishtinës. Pozita e shqiptarëve ndaj Kishës Ortodokse Serbe, pas vitit 1999, është larg çdo dialogu. Në dy dekadat e fundit, rreth 150 kisha dhe manastire ortodokse u shkatërruan. Shkatërrimi i kishave dhe manastireve serbe është simbol i pogromit të 17 marsit 2004, kur u shkatërruan disa nga perlat e trashëgimisë kulturore botërore që i përkisnin Kishës Ortodokse Serbe.

Pozita e autoriteteve në Prishtinë ndaj KOS-it e tregon edhe refuzimi shumëvjeçar për t'i kthyer 24 hektarë tokë manastirit të Deçanit, përkundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2016 në favor të manastirit. Për rastin e Deçanit paralajmëroi edhe Departamenti i Shtetit në raportin vjetor për gjendjen e lirive fetare. Organizata “Europa Nostra” e përfshiu manastirin e Deçanit në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara në Evropë, duke shpjeguar se “ajo po përballet edhe me përpjekje të pabaza për të rishikuar identitetin kulturor dhe historik të trashëgimisë fetare”.

Ish-diplomat, ish-ambasador i Serbisë në UNESCO, si dhe në Selinë e Shenjtë në Vatikan, prof. dr. Darko Tanaskoviq thekson se nuk është rastësi që Haxhiu hapi temën e dialogut me Kishën Ortodokse Serbe, si problemi i radhës urgjent që e pret Prishtinën.

“Gazetari Baton Haxhiu, ish-redaktor i gazetës ‘Koha Ditore’ dhe i njohur ndër të tjera se është akuzuar për zbulimin e identitetit të dëshmitarit të mbrojtur gjatë gjykimit të Ramush Haradinajt, si dhe për deklaratën që Albin Kurti nuk e do Kosovën, këtë herë nuk po shpall asgjë sensacionale, por vërteton faktin se edhe në Prishtinë janë të vetëdijshëm se pozita e Kishës Ortodokse Serbe në 'Kosovë' është problem që, edhe përballë atyre që e përkrahin, rëndon shumë besueshmërinë e projektit të një shteti të Kosovës të pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht”, thotë Tanaskoviq.

Tanaskoviq kujton se nuk është sekret se edhe në planin e pamiratuar të Ahtisaarit në "Aneksin 5", i cili i referohet statusit dhe të drejtave të KOS-it, pozita e saj qendrore dhe specifike respektohet shumë.

“Kur Haxhiu thotë se pas zgjidhjes së çështjes së BKS-së, Kosova do të duhet të negociojë me Kishën Ortodokse Serbe, dhe se Kisha do të detyrohet ta pranojë atë si negociator, ai natyrisht është nisur nga fakti se “Kosova” është shtet padiskutim i pavarur dhe sovran, si dhe nga situata hipotetike në të cilën BKS tashmë është themeluar. Asnjëri nga këto dy supozime nuk është realizuar”, thekson Tanaskoviq.

Tanaskoviq shton se për këtë arsye konkluzioni, pra parashikimi i Haxhiut është në këmbë të brishta.

“Përndryshe, KOS shpirtërisht i përket tërësisë së popullit serb dhe e përfaqëson atë. Ajo nuk negocion ndaras politikisht me shtetet, gjegjësisht subjektet administrative në territorin e të cilëve vepron, dhe Serbia, si shtet të cilës i takon Krahina e Kosovës e Metohisë sipas ligjit ndërkombëtar, sigurisht i formëson qëndrimet e saj ndaj autoriteteve në Prishtinë në koordinim me Kishën Ortodokse Serbe”, thekson Tanaskoviq.

Tanaskoviq supozon se në Prishtinë Eparkinë e Rashkës dhe Prizrenit e shohin si negociator, si njësi organizative-administrative lokale të Kishës Ortodokse Serbe.

“Kjo i përshtatet përpjekjes për të diskutuar të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet populli serb në Kosovë e Metohi në rrethanat aktuale jonormale, përveç Beogradit, vetëm me ata serbë që jetojnë në territorin e 'Kosovës', sepse, nga pikëpamja e Prishtinës, ata janë “qytetarë të shtetit të Kosovës”' dhe jo të Serbisë. Kjo e dobëson pozitën e tyre të përgjithshme dhe forcon presioni për të respektuar urdhrin e imponuar diskriminues, i cili 'demokratikisht' është i kamufluar me shpjegimin se ata e dinë interesat e tyre reale më të mirë dhe se Beogradi, gjoja, i manipulon. Këtë logjikë dhe argumentim e pranojnë edhe disa serbë në 'Kosovë', të cilët padyshim janë në pakicë, por edhe në Beograd duhet të merren seriozisht me të në aspektin analitik dhe politik”, tha Tanaskoviq.

Sipas tij, problemi i marrëdhënieve serbo-shqiptare në Kosovë dhe në lidhje me Kosovën duhet parë në dy nivele. Së pari, në nivelin e dialogut të përgjithshëm politik, siç thuhet zakonisht, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe së dyti, në nivelin e jetës së përditshme në Kosovë. Në nivel të përgjithshëm, shton Tanaskoviq, gjithçka është e qartë - me ndërmjetësimin ndërkombëtar dialogun e bëjnë zyrtarët e Beogradit dhe Prishtinës.

“Beogradi nuk e njeh ‘Kosovën’, por ende negocion me përfaqësuesit e pushtetit të Prishtinës. Nëse shkojmë në nivelin e përditshmërisë, dhe pa e humbur lidhjen me atë të përgjithshme, përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës e Metohisë, në bazë të vlerësimit të përshtatshmërisë politike, moren pjesë në organet e sistemit parashtetëror të Kosovës”, thotë Tanaskoviq.

Sipas tij, edhe ata kryepeshkop dhe klerikë që përfaqësojnë Kishën Ortodokse Serbe dhe besimtarët serbë në Kosovë nuk mund t'i shmangen disa llojeve të komunikimit me organet e institucioneve vendore të Kosovës, sepse këtë e diktojnë nevojat e jetës.

“Këto janë adresa të imponuara, të padëshiruara, por të pashmangshme. Sigurisht, kjo nuk do të thotë se Eparkia e Rashkësh dhe Prizrenit apo vëllazëria e Manastirit të Deçanit do të kishin për shembull diçka për të negociuar me Albin Kurtin, çfarë ai kërkon vazhdimisht, sa i përket zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të "Kosovës" për kthimin e tokës së uzurpuar të manastirit dhe të mos flasim për një lloj dialogu të ndarë të Eparkisë së Rashkës e Prizrenit për statusin e KOS-it. Edhe pse dy situata nuk mund të krahasohen në asnjë mënyrë, duhet mbajtur mend se në Malin e Zi të pavarur "Kontratën themelore" me kryetarin e pushtetit atëhershëm e ka nënshkruar patriarku Porfirije. Dhe "Kosova" për Serbinë dhe një pjesë të madhe të komunitetit botëror nuk është shtet sipas së drejtës ndërkombëtare”, thekson Tanaskoviq.

Historiani dhe këshilltari shkencor i Institutit për Historinë e Re të Serbisë, Alkeksandar Rakoviq, beson se Kisha Ortodokse Serbe do të hynte në çdo bisedë që Baton Haxhiu paralajmëron, nëse do të ndodhin, vetëm pasi të shqyrtonte situatën me autoritetet serbe.

“Në këtë moment dhe për një të ardhme të parashikueshme, nuk ka asnjë kornizë për ndonjë bisedë ndërmjet Kishës Ortodokse Serbe dhe administratës shqiptare në Prishtinë, edhe nëse Perëndimi u përpoq t'i impononte ato”, thotë Rakoviq.

Rakoviq ndan mendimin se shqiptarët do të preferonin të bisedonin vetëm me Eparkinë e Rashkës dhe Prizrenit. Megjithatë, siç shton ai, kjo nuk është e mundur.

“Kisha Ortodokse Serbe është një tërësi unike dhe e pandashme, e cila ka mbajtur qëndrim për çështjen e Kosovës e Metohisë. Në përputhje me atë qëndrim, Kuvendi i Shenjtë i Ipeshkvijve dhe Sinodi i Shenjtë i Ipeshkvijve marrin vendime, përcaktojnë koordinatat dhe japin udhëzime. Prandaj, nuk do të ishte e mundur që autoritetet separatistët shqiptarë të bisedojnë vetëm me Eparkinë e Rashkës dhe Prizrenit për çështje që shqetësojnë tërë Kishën Ortodokse Serbe dhe popullin serb”, thekson Rakoviq.

Përveç kësaj, Eparkia e Rashkës dhe Prizrenit njoftoi më shumë se një vit e gjysmë më parë se kishte ndërprerë çdo kontakt me institucionet e Prishtinës.

Rakoviq shton gjithashtu se çdo bisedë me autoritetet në Prishtinë duhet të ketë parasysh faktin se cilat janë qëllimet e shqiptarëve.

"Separatistët shqiptarë synojnë të pushtojnë vendet e shenjta serbe në Kosovë e Metohi dhe të dëbojnë Kishën Ortodokse Serbe nga territoret e saj kanunore tetëshekullore. Çdo bisedë me autoritetet në Prishtinë duhet të fillojë nga ky fakt për qëllimet përfundimtare malinje të autoriteteve shqiptare - se në Kosovë e Metohi nuk do të ketë as Kishë ortodokse serbe e as serbë”, thotë Rakoviq.

Rakoviq konkludon se kjo i bën të pamundur bisedimet, derisa të krijohen kushte të drejta që garantojnë plotësisht dhe përgjithmonë rendin dhe pronën e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.