Përse për Prishtinën është e rëndësishme pikërisht tani "çelja" e urës në Ibër dhe cili është qëllimi?
Vendimi që morën këshilltarët shqiptarë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që u kërkon organeve kompetente të mundësojnë qarkullimin e lirë të automjeteve në urën kryesore në Ibër dhe të lirojë hapësirën rreth saj, po has në reagime të forta, si nga udhëheqja shtetërore e Sërbisë dhe përfaqësuesit politikë sërbë të Kosovës, ashtu edhe tek qytetarët e Mitrovicës së Veriut të cilët shprehen se janë të shqetësuar për sigurinë e tyre. Që nuk është koha për çeljen e urës, këtë e thonë edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, por nga NATO dhe misioni i Kfor, nënvizojnë se kjo çështje duhet të zgjidhet përmes dialogut politik.
Bashkëbiseduesit e Kosovo onlajn mendojnë se qeveria e re komunale në këtë qytet dëshiron të shfrytëzojë momentin aktual politik, fiks vakumin që vjen pas zgjedhjeve në të katër komunat në veri.
Analisti Ljubomir Stanojkoviq mendon se për Prishtinën ky moment është shumë i rëndësishëm të aktivizojë këtë çështje, sesa me të vërtetë të çelë urën në Ibër.
"Ura në Ibër është simbol i rezistencës së qytetarëve në veri ndaj ndryshimit të kursit të juridiksionit absolut juridik dhe politik në mbarë territorin e Kosovës prej qeverisë prishtinase. Kjo urë ende përbën gjëmb në këmbë për strukturat qeverisëse në Kosovë. Duke marrë parasysh këtë fakt, dëshira për të çelur urën për trafikun automobilistik, përherë është prezente tek ta" thotë Stanojkoviq.
Ky i fundit mendon se qeveria e re vendore në Mitrovicën e Veriut, vendosi të shfrytëzojë momentin, pavarësisht situatës negative politike.
"Në Mitrovicën e Veriut ka ardhur një moment i ri, vendosja e qeverisë së re komunale të përbërë nga shqiptarët. Kjo qeveri e cila nuk është legjitime dhe e dinë se me të drejtë, nuk do të zgjasë shumë, ndërmori hapin për çeljen e urës, pavarësisht momentit politik negativ dhe sipas të gjitha gjasave, kanë pasur në të njëjtën kohë, rezerva nëse mund të realizohet" shton Stanojkoviq.
Sipas tij, kryeministri kosovar Albin Kurti, mendon se bashkësia ndërkombëtare do të jetë tolerante rreth çështjes së çeljes së urës sepse siç nënvizon ai, toleranca e saj shihet edhe kur bie fjala për BKS.
"Nga ana tjetër, duhet të kujtojmë një moment mjaft të rëndësishëm dhe kjo është sepse si Brukseli dhe Uashingtoni, janë aktivizuar për të formuar BKS sa më parë të jetë e mundur, çka për zotin Kurti, është problem madhor të cilën duhet t’a zgjidhë. I dimë mirë se cilat janë qëndrimet e tij të hershme për këtë çështje. Ndaj, Kurti mendon se formimi i BKS, shihet nga komuniteti ndërkombëtar si lëshim i madh dhe se ajo përmes disa hapave populiste e cila ishte sigurisht çelja e urës në Ibër, do t’i shohë përmes gishtave. Kurti është kënaqur edhe më shumë me faktin që i është dhënë liberalizimi i vizave dhe fakti që është bërë një hap i madh drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës" shprehet Stanojkoviq.
Hapja e urës në Ibër për qarkullimin e automjeteve, shprehet Stanojkoviq, për qytetarët e komunitetit sërb në këtë moment është jashtëzakonisht hap negativ.
"Para së gjithash kjo ishte një goditje mjaft e fortë ndaj tyre, në aspektin psikologjik dhe emotiv sepse kjo nuk është vetëm simbolike, por edhe praktike që do të thotë se Prishtina ndërroi drejtim për juridiksionin e vet në mbarë Kosovën. Veçanërisht po të kemi parasysh se neveria e sërbëve ndaj qeverisë qëndrore, mund të jetë në nivelin më të lartë” thekson Stanojkoviq.
Ky i fundit shton se një problem më shumë i madh i hapjes së urës, mund të jetë faktori i sigurisë, sepse në situatën kur egziston tension i lartë, rreziqet e konflikteve më të mëdha me pasoja të paparashikueshme janë shumë të mundshme.
“Megjithatë, të paktën sipas meje, bashkësia ndërkombëtare këtë herë ka reaguar në kohë dhe vendimi për hapjen e urës në Ibër për qarkullim automobilistik, do të presë derisa të krijohen kushte më të favorshme” ka përfunduar Stanojkoviq.
Hulumtuesi i lartë në OJQ Aktiv nga Maqedonia e Veriut Igor Markoviq, mendon se është e nevojshme që partia në pushtet në Prishtinë, të largojë vëmendjen nga një sërë problemesh me të cilat Kosova po ballafaqohet prej muajsh.
“Doli se rezultati pozitiv në lidhje me liberalizimin e vizave nuk ishte një kartë me të cilën Kurti mund të lunate për një kohë të gjatë në opinionin kosovar dhe në luftën me bashkëmendimtarët e vet politikë dhe për këtë arsye, zgjodhi përmes organeve të partisë së vet në Mitrovicën e Veriut, të lançojë temë të re rreth së cilës pala sërbe dhe ajo shqiptare të konfrontohen fuqishëm” thotë Markoviq.
Ky i fundit kujton se për më tepër, kritikat e opozitës ndaj qeverisë së Kurtit me shumë gjasa për formimin e BKS, po bëhen më të zëshme, e ndërkohë që presionet e bashkësisë ndërkombëtare po shndërrohen sa herë e më të forta në këtë drejtim.
“Kështu, për të larguar vëmendjen nga obligimi për të formuar një Bashkësinë e Komunave me shumicë sërbe, po vihet në lëvizje tema e re, pra rivitalizimi i urës qëndrore në Mitrovicë e cila gjithashtu ka potencial të rrënojë marrëdhënien tashmë të brishtë mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe mes shqiptarëve e sërbëve në Kosovë” thotë Markoviq.
Sipas këtij të fundit qëllimi i Albin Kurtit dhe Vetvendosjes, është që opinionit publik në Kosovë, t’i paraqesë strategjinë e suksesshme "të ashtuquajturën integrimin e plotë të veriut të Kosovës në sistemin institucional kosovar".
“Në vend që të punohet më seriozisht për kthimin e sërbëve në institucionet lokale dhe qëndrore, po përdoren lëvizje simbolike që as nuk ndihmojnë në procesin e integrimit të sërbëve dhe as nuk e zgjidhin rrënjësisht problemin e vakumit juridiko-institucional që ka ndodhur në veri të Kosovës qysh prej nëntorit të vitit të kaluar. Kjo strategji nënkupton 'thyerje të shtyllës kurrizore' në Kosovë, të institucioneve të mbështetura prej Sërbisë, përmes veprimeve që në thelb janë vetëm dhe ekskluzivisht simbolike dhe nuk ofrojnë rezultat pozitiv për jetën e përditshme të qytetarëve të zakonshëm në veri të Kosovës” thotë Markoviq.
Ky i fundit shton se hapja e urës për trafik, mbajtja e zgjedhjeve në kontejnerë, vendosja e njësive speciale të Policisë së Kosovës për luftën kundër kontrabandës dhe tregtisë ilegale, janë vetëm pjesë e “fushatës së pasuksesshme të Vetvendosjes e cila përpiqet të fshehë politikën katastrofale ekonomike, dështimet në nivel të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, si dhe migrimin e popullsisë nga Kosova”.
“Në fund të fundit, Ura kryesore në Mitrovicë nuk është e vetmja, por ka edhe të tjera që janë funksionale sa i përket fluksit të trafikut. Madje edhe me hapjen e plotë të kësaj ure, e cila ka një peshë të jashtëzakonshme politike dhe simbolike, Albin Kurti dhe Vetëvendosja do të merrnin vetëm disa pikë politike që nuk do të jepnin fryte afatgjate” shton Markoviq.
Analisti Nexhmedin Spahiu gjithashtu beson se qeveria e re komunale në Mitrovicën e Veriut, dëshiron të shfrytëzojë momentin pasi sipas tij, pas disa muajve, kryebashkiaku i Mitrovicës së Veriut do të jetë sërish sërb, i cili sigurisht nuk do të lejojë hapjen e urës së Ibrit.
“E rëndësishme është t’a hapim urën tani sepse pas disa muajve, kryebashkiaku do të jetë sërb dhe kryebashkiaku i ardhshëm nga komuniteti sërb, nuk dëshiron të pranojë të tilla detyrime siç është hapja e urës për të mos qenë tradhtar” mendon Spahiu.
Ky i fundit megjithatë mendon se hapja e urës në Ibër, më shumë është në interes të qytetarëve të Veriut, sesa të Jugut të Mitrovicës, sepse qytetarët e kësaj pjese të qytetit, me çeljen e saj përfitojnë daljen në rrugën magjistrale.
Spahiu vlerëson se hapja e urës nuk do të ndikojë tek siguria.
"Kur bie fjala tek arsyet e sigurisë, këtu nuk ka asnjë pengesë. Ka dhe ura të tjera, nëse dëshironi që situata të përkeqësohet apo të krijohen probleme, atëherë përse është pikërisht kjo problematikë” pyet Spahiu.
Ky i fundit shton se ura patjetër është e hapur për këmbësorët dhe se nuk ka probleme sigurie, por më shumë bëhet fjalë për "karakter mitik" i këtij vendi ku në të kaluarën kanë ndodhur konflikte mes sërbëve dhe shqiptarëve.
"Këtu nuk është fjala për probleme të sigurisë, por për një mit i cili u krijua në periudhën e pasluftës. Këtu kanë ndodhur përleshje mes sërbëve dhe shqiptarëve ku mbyllja e urës u shndërrua në një mit. Pritej që kur kryebashkiakët të ishin sërbë, të merrej vendimi për çeljen e urës, por nuk e bërën një gjë të tillë për të mos u akuzuar për një vendim të tillë” ka përmbyllur Spahiu.
0 komentet