Prenkaj: SHBA fokusin në Ballkanin Perëndimor e ka orjentuar drejt Sërbisë, Kosova mbetet e vetizoluar

Albert Prenkaj
Burim: Dukagjini

Ish diplomati Albert Prenkaj vlerëson se Kosova duhet t’a kuptojë si pikë kthese strategjike nisjen e dialogut strategjik të SHBA me Sërbinë. Sipas fjalëve të tij, Uashingtoni e ka orjentuar vëmendjen e vet në Ballkanin Perëndimor drejt Sërbisë.

Prenkaj nëkohësisht kritikoi politikën e jashtme të Kosovës, duke e vlerësuar si jokonsistente dhe jokompetente.

"Kosova këtë duhet t’a kuptojë si pikë kthesë strategjike. Nga komunikimi miqësor i shtetit që ishte sponsor i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kalon në nivelin ku pezullohet ky projekt i madh për Kosovën dhe ky është partneriteti strategjik me SHBA. Nënshkrimi dhe vazhdimi i dialogut të partneritetit strategjik përfshin tema thelbësore-bashkëpunimin ekonomik dhe energjitik, si dhe siguria e mbrojtja.

Kjo tregon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës fokusin e vet dhe vëmendjen e kanë përqëndruar në Ballkanin Perëndimor tek Sërbia. Njëkohësisht Kosova mbetet e izoluar si rezultat i politikës së jashtme jokonsistente dhe jokompetente dhe do të doja të shkoja një hap më tej duke e quajtur politikë sharlatane”, tha Prenkaj.