Hagë: Kosova bën diskriminim mes viktimave të luftës

Specijalni sud Kosova u Hagu
Burim: Reporteri

Trypi Gjykues i bëri thirrje Kosovës në seancën e sotme që të prezantojë një sistem tjetër për dëmshpërblimin e viktimave të krimeve nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara, në mënyrë që të arrihet trajtim i barabartë për të dyshuarit apo të akuzuarit mbrojtja e të cilëve financohet nga buxheti i Kosovës dhe, nga ana tjetër, viktimat e krimeve nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara për të cilat nuk është ndarë asgjë.

Në një seancë publike, trupi gjykues nxori një urdhër për dëmshpërblim në rastin kundër Salih Mustafës, i cili u shpall fajtor më 16 dhjetor 2022, për krimet e luftës të heqjes arbitrare të lirisë, torturës dhe vrasjes, dhe u dënua me 26 vjet burg.

Trupi Gjykues ka urdhëruar Mustafën që t'i paguajë gjithsej 207 mijë euro dëmshpërblim viktimave të krimeve për të cilat ai ishte dënuar.

Paneli arriti në përfundimin se kompensimi i dhënë për secilën viktimë individualisht përfaqëson llojin dhe modalitetin më adekuat të reparacioneve dhe përcaktoi shuma të ndryshme që variojnë nga 2000 deri në 80000 euro, të cilat do të paguhen në rastin e tetë viktimave pjesëmarrëse në procedurë.

Këto shuma janë përcaktuar në përputhje me kërkesën e përfaqësuesit të viktimave, të cilat trupi gjykues i konsideron të justifikuara dhe proporcionale me masën dhe shkallën e dëmit të pësuar nga viktimat.

Paneli konstatoi se juridiksioni i tij në këtë rast përfundon me miratimin e këtij urdhri për reparacionet dhe për këtë arsye ftoi Kryetarin e Dhomave të Specializuara të caktojë një autoritet gjyqësor që do të jetë i ngarkuar me monitorimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit dhe ekzekutimit të këtij urdhri për reparacionet.

Paneli vuri në dukje se edhe pse Mustafa është i vetmi përgjegjës për pagesën e kompensimit, ai aktualisht nuk i ka mjetet për ta ekzekutuar plotësisht atë urdhër, dhe për këtë arsye theksoi se akterët e tjerë duhet të përfshihen në ekzekutimin e urdhrit për reparacione, dhe se në radhë të parë është Kosova.

Në këtë drejtim, paneli theksoi se Programi ekzistues i Kompensimit të Viktimave të Krimit mund të shërbejë si alternativë në ekzekutimin e urdhrave për reparacionet, edhe pse shumat maksimale që mund të merren nga programi janë më të ulëta se shumat e përcaktuara nga urdhri i reparacioneve.

Prandaj, paneli i bëri thirrje Kosovës që të prezantojë një sistem të ri për reparacionet e viktimave të krimeve nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara, me qëllim të arritjes së trajtimit të barabartë të, nga njëra anë, të dyshuarve ose të akuzuarve para Dhomave të Specializuara, mbrojtja e të cilëve financohet nga buxheti i Kosovës, dhe nga ana tjetër, viktimat e krimeve nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara, për të cilat asgjë nuk është ndarë.

Paneli gjithashtu vuri në dukje se dispozitat e ligjeve të Kosovës për dëmet dhe lëndimet e pësuar në kontekstin e luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë kanë të bëjnë vetëm me viktimat e forcave armike, të cilat sipas mendimit të panelit bën diskriminim ndërmjet viktimave të asaj lufte.