Ballkani Perëndimor si potencial investues: Sa tërheqës është rajoni për investitorët e huaj?

zapadni_balkan
Burim: Kosovo Online

Forumi i investimeve që u mbajt këtë javë në Tiranë me mbështetjen e Komisionit Evropian theksoi potencialin e madh investues të rajonit, ndërsa presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, deklaroi në hapje se tani është momenti i duhur për të investuar në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, ekspertë nga Beogradi, Tirana, Shkupi dhe Prishtina vlerësojnë për Kosovo online se bashkëpunimi më i fortë rajonal dhe zbatimi i reformave mund të rrisin edhe më shumë tërheqjen e vendeve të rajonit për investitorët e huaj, në një periudhë kur, siç theksojnë ata, kjo tërheqje është në krizë.

Shkruan: Petar Rosiq

“Mendoni për valët e fundit të anëtarësimit në Unionin tonë. Ekonomia e Polonisë është trefishuar në më pak se tre dekada. Në Kroaci, papunësia ka rënë nga 17 për qind në katër për qind për diçka më shumë se një dekadë. E njëjta gjë do të ndodhë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, dhe nuk po flas për një të ardhme të largët. Ekonomitë tuaja tashmë janë të gatshme për rritje të shpejtë në vitet e ardhshme,” tha Ursula von der Leyen.

Ajo njoftoi gjithashtu ndërtimin e fabrikave të inteligjencës artificiale në Ballkanin Perëndimor.

“Kemi ndërtuar një rrjet fabrikash të inteligjencës artificiale në gjithë Evropën, dhe ato janë vende ku bizneset dhe start-up-et tona mund të zhvillojnë, trajnojnë dhe nisin gjeneratat e ardhshme të modeleve të inteligjencës artificiale. Sot mund të njoftoj se do të hapim fabrika të tilla edhe në Ballkanin Perëndimor. Do të fillojmë me dy ‘antena fabrike’ në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, duke mbuluar kështu të gjithë rajonin dhe duke i mundësuar kompanive në të gjashtë vendet të lidhen me këto fabrika,” shtoi ajo.

Sot në Tiranë u mbajt edhe Forumi i Investimeve Shqipëri–Turqi, ku kryeministri Edi Rama theksoi se vëllimi tregtar ndërmjet dy vendeve, i cili dikur ishte 250 milionë euro, ka kaluar një miliard euro vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti.

Rama theksoi se numri i kompanive me kapital turk në Shqipëri është rritur nga 300 në mbi 1.000, ndërsa numri i të punësuarve ka arritur në mbi 15.000.

Ai shtoi se Shqipëria sot përfaqëson një mjedis të hapur dhe tërheqës për investime, falë tatimeve të ulëta, energjisë së gjelbër, turizmit në rritje dhe mbështetjes për zhvillimin teknologjik.

Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučiq, gjatë një deklarate për publikun javën e kaluar, foli për doganat e BE-së mbi çelikun, të cilat do të godasin para së gjithash Serbinë dhe Turqinë, por edhe prodhues të tjerë evropianë. Duke komentuar investimet e huaja në vend, ai tha se është e nevojshme të investohen fonde të mëdha në ndërtimin e zonave të reja industriale, në mënyrë që Serbia të mbetet tërheqëse për investitorët e huaj – përmes infrastrukturës dhe subvencioneve shtetërore.

“Kemi probleme të mëdha, nuk jemi më aq tërheqës për investitorët. Një arsye është se kostoja e fuqisë punëtore është rritur... Prandaj, do të duhet të investojmë shumë para në ndërtimin e zonave të reja industriale, veçanërisht në zgjerimin e tre zonave – Leskovac, Quprija dhe Ingjija, gjë që do të kushtojë 220 milionë euro,” paralajmëroi ai.

"Serbia është zgjedhja absolute"

Duke folur për potencialin e Ballkanit Perëndimor, Sinisha Naumoski, një analist dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Universitetit të Heidelbergut në Shkup, thotë për Kosovo online se Shqipëria po shënon rritje rekord në industri të tilla si turizmi dhe infrastruktura, por se Serbia kryeson në sasinë absolute të investimeve të huaja direkte.

Ai thekson se Maqedonia e Veriut ka rezultatet më të mira në raport me produktin e brendshëm bruto dhe se Kosova ka ambicien më të madhe për të përshpejtuar investimet në vitin 2025.

“Serbia ka rreth pesë miliardë euro në vitin 2024, që është fluksi më i madh në rajon. Kur shikohet struktura, Maqedonia prin për pjesëmarrjen e investimeve të huaja direkte në PBB – rreth 8 ose 8.1 për qind, që në vlerë absolute është rreth 1.2 miliardë euro për vitin 2024,” thotë ai.

Ai vlerëson se ngjarjet aktuale në Serbi do të kenë ndikim negativ në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, dhe se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund të përfitojnë nga kjo situatë, megjithatë Serbia mbetet destinacioni më atraktiv, kryesisht për shkak të madhësisë së tregut dhe subvencioneve shtetërore.

“Serbia është zgjedhja absolute, sepse ka një treg të madh. Aktualisht, për vitin 2024, sipas statistikave, është në vendin e parë. Për vitin 2025 pritet një ngadalësim, por është aty afër me Shqipërinë. Serbia ka një logjistikë të fuqishme dhe avantazhi qëndron në ofrimin e subvencioneve të gatshme nga shteti serb,” thotë ai.

Duke folur për Maqedoninë e Veriut, Naumoski kujtoi modelin shumëvjeçar të nxitjes së investimeve të huaja.

“Ne jemi diku në vendin e dytë, sepse tek ne ofrohen lehtësira për investitorët e huaj direkt në zonat industriale teknologjike, ku u japim përfitime dhjetëvjeçare pa taksa të caktuara dhe me privilegje në kostot operative, përveç tatimit mbi fitimin dhe kontributeve për punonjësit,” shpjegon ai.

Ai kujtoi se vendet e rajonit ofrojnë forma të ndryshme mbështetjeje për investitorët.

“Siç e përmenda, grantet në para për punë, nga zero deri në dhjetë vjet, logjistika e caktuar nga furnizuesit vendas është e leverdishme he kjo mund të shihet si mënyra se si ne konkurrojmë me njëri-tjetrin si vende nga Ballkani Perëndimor", thotë ai.

Ai beson se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të shihen ekskluzivisht si konkurrentë.

"Nuk duhet ta nënkuptojë këtë, sepse në një farë mënyre duhet ta shohim si një avantazh. Vendet e Ballkanit Perëndimor gjithashtu mund të kenë rajonalizim, të mos harrojmë se ne kishim konceptin e Ballkanit të Hapur i cili, për fat të keq, nuk pati sukses", thotë ai.

Kryeredaktori i televizionit Skan nga Tirana, Kreshnik Kuçaj pret që në vitet e ardhshme procesi i integrimit në Bashkimin Evropian do të ndikojë në rritjen e investimeve të huaja dhe do t’i sjellë më shumë të ardhura vendit.

“Në dhjetë vitet e fundit, rezulton se Shqipëria ka arritur nga rreth 870 milionë euro investime të huaja direkte në vit, në 1.5 miliardë euro në vit. Kjo tregon se kemi një rritje të qëndrueshme, mesatarisht rreth gjashtë për qind në vit, çka do të thotë se Shqipëria është tërheqëse për investitorët e huaj dhe ka një normë të kënaqshme rritjeje,” thekson Kuçaj për Kosovo online.

Ndryshimet në strukturat e investimeve

Sipas tij, ndryshimi vërehet edhe në strukturat e investimeve.

“Ka ndodhur një ndryshim në sektorët ku investohet, pasi më parë fokusi ishte në energjetikë dhe burime natyrore (minerale), ndërsa tani kemi diversifikim të portofolit të investimeve. Investitorët po fokusohen kryesisht te pasuritë e paluajtshme, të cilat janë një magnet i fortë për tërheqjen e investimeve të huaja. Gjithashtu kemi investime në energjinë e rinovueshme, si dhe rritje të madhe të shërbimeve financiare dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, veçanërisht në turizëm, që është një nga degët më të rëndësishme,” thekson Kuçaj.

Duke folur për vendet prej nga vijnë investimet, Kuçaj nënvizon se Bashkimi Evropian mbetet aktori kryesor.

“Vendet e BE-së mbeten investitorët kryesorë, me Italinë në vend të parë. Investimet italiane janë rritur sidomos pas pandemisë, por nuk duhet lënë mënjanë as Turiqinë, e cila është bërë një investitor i rëndësishëm, si në tregtinë dypalëshe ashtu edhe në investimet e huaja direkte,” thotë ai.

Si avantazh të Shqipërisë, Kuçaj përmend pozicionin gjeografik dhe rrethanat e brendshme ekonomike. Ai thekson gjithashtu rëndësinë e fuqisë punëtore dhe stimujve fiskalë.

"Shqipëria ka një potencial të madh për sa i përket një fuqie punëtore që ka kosto më të ulëta se në vendet e tjera, dhe ky është një avantazh që e ndihmon të konkurrojë me të tjerët në tërheqjen e investimeve të huaja. Vendi ynë ka stimuj fiskalë që duhet të inkurajojnë investimet e huaja. Janë krijuar zona të veçanta ekonomike ku investitorët mund të investojnë duke përdorur stimuj fiskalë dhe lehtësime të tjera që lidhen me procedurat. Këto janë masa që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për të tërhequr investime të huaja", thotë Kuçaj.

Duke folur për bashkëpunimin me vendet e rajonit, Kuçaj thotë se Shqipëria ka marrëdhënie të mira dhe projekte të përbashkëta me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Shqipëria ka bashkëpunim me vendet e tjera të Ballkanit – me Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nëse shohim Forumin e Investimeve që u mbajt këto ditë, projektet e financuara nga Bashkimi Evropian ishin dy për Shqipërinë, dy për Serbinë, ndërsa Kosova dhe Mali i Zi ishin gjithashtu të përfshirë. Këto janë projekte që nxisin bashkëpunimin rajonal,” thotë ai.

Kuçaj shton se BE-ja financon projekte që lidhin ekonomitë e rajonit.

“BE-ja ka financuar një projekt në Shqipëri për prodhimin e energjisë nga mbetjet. Një tjetër projekt ka qenë për prodhimin dhe ruajtjen e energjisë, në bashkëpunim me Malin e Zi. Gjithashtu kemi bashkëpunim me Serbinë për një fabrikë për prodhimin e baterive. Pra, kemi një sërë projektesh që synojnë lidhjen ekonomike të vendeve të Ballkanit,” shpjegon Kuçaj.

Duke folur për pengesat për investitorët e huaj, Kuçaj thekson se problemi i korrupsionit mbetet ende i pranishëm.

“Në çdo raport të investitorëve të huaj, niveli i korrupsionit në vendin tonë dhe joformaliteti i ekonomisë përmenden si shqetësim. Ka ankesa për mungesë të sigurisë ligjore dhe për elemente të tjera të garancisë. Mbetet për t’u parë si do të ndikojë procesi i integrimit të Shqipërisë në BE në të ardhmen. Pra nëse ai do të shërbejë si presion pozitiv për të ndërmarrë reformat e nevojshme në këtë drejtim,” thotë Kuçaj.

Ndryshe nga Shqipëria, 75 për qind e investimeve të huaja në Kosovë vijnë nga diaspora, ndërsa profesori i ekonomisë nga Prishtina, Shkumbin Misini, thotë për Kosovo online se elitat politike nuk dinë ta shfrytëzojnë këtë potencial.

“Sa i përket Kosovës, 75 për qind e investimeve vijnë nga diaspora dhe pjesa më e madhe e këtyre mjeteve shkon në tregun e pasurive të paluajtshme. Kjo përbën një dobësi të madhe, sepse elita politike kosovare nuk di ta shfrytëzojë këtë potencial dhe mundësitë për zhvillimin e bizneseve dhe ngritjen e nivelit socio-ekonomik në vend,” paralajmëron Misini.

Duke folur për mundësitë e investimeve në rajon, ai thekson rëndësinë e mbështetjes nga fondet e Bashkimit Evropian.

“Sa i përket investimeve nga të cilat Ballkani Perëndimor mund të përfitojë në kuadër të paketës së Bashkimit Evropian, ato mund të jenë shumë të mëdha. Këtu, natyrisht, veçohen investimet në burime të rinovueshme të energjisë, pasi vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për investime në këtë sektor, duke qenë se aktualisht kanë ndotje të madhe të mjedisit dhe përdorin në masë të madhe qymyrin si burim kryesor energjie,” thotë Misini.

Sipas tij, rajonit i duhen reforma radikale dhe bashkëpunim më i fortë me fqinjët.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të investojnë në reforma të thella dhe në bashkëpunim me fqinjët, sepse vetëm përmes marrëdhënieve të mira dhe largimit nga nacionalizmi si kartë politike për qëndrimin në pushtet, liderët mund të tregojnë se duan të jenë shtetarë të vërtetë, e jo të mbijetojnë përmes korrupsionit. Nuk mjafton të ngresh zërin e nacionalizmit kur vendi po vuan nga emigrimi i popullsisë. As patriotizmi me fjalë nuk mjafton – një lider nuk duhet të detyrojë qytetarët të largohen nga vendi i tij,” thotë Misini.

Megjithatë, Misini konkludon se reformat dhe lufta kundër korrupsionit janë kushtet thelbësore për të ardhmen evropiane të rajonit.

“Reformat janë të domosdoshme dhe lufta kundër korrupsionit është absolutisht e pashmangshme,” thekson Misini.

Edhe pse bashkëpunimi rajonal theksohet si kyç, Mihailo Gajiq nga rrjeti i kërkimit ekonomik Libek me seli në Beograd thekson për Kosovo online se vendet e Ballkanit Perëndimor janë kryesisht në konkurrencë me njëra-tjetrën.

“Sigurisht, secili dëshiron të tërheqë një investim që nënkupton, për shembull, transfer teknologjie, krijimin e vendeve të reja të punës dhe, natyrisht, rritjen e pagave, nëse bëhet fjalë për industri produktive. Pra, nga kjo pikëpamje, secili vend ka interes që investimi që vjen në rajon të shkojë tek ai, e jo tek fqinji,” shpjegon ai.

Gjithçka mbetet në tregun kombëtar

Ai shton se arsyeja e kësaj konkurrence qëndron edhe në strukturën e investimeve të huaja. Sipas tij, shumë nga investimet e huaja që hyjnë në tregjet e Ballkanit Perëndimor nuk përfshijnë kompani vendore në zinxhirët e tyre të furnizimit.

“Me fjalë të tjera, ata vijnë për të shfrytëzuar disa avantazhe konkurruese që ekzistojnë këtu. Këto janë, para së gjithash, fuqia punëtore e mirë e trajnuar dhe relativisht e lirë. Por, nuk ka efekt përhapjeje në të gjithë industrinë e këtyre vendeve. Problemi është që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë pjesë e një tregu të përbashkët, kështu që, për shembull, një kompani nga Maqedonia nuk mund të përfshijë lehtësisht një kompani nga Bosnja ose Serbia në procesin e prodhimit, dhe anasjelltas – kështu që gjithçka, më shumë a më pak, mbetet brenda tregut kombëtar,” thekson ai.

Gajiq kujton se, nëse shikohet vetëm prurja bruto e investimeve të huaja direkte në Serbi, ato janë rritur gjatë viteve 2023 dhe 2024, duke arritur një nivel historik prej rreth 5.2 miliardë eurosh. Megjithatë, ai vëren se në këtë vit ato kanë rënë.

“Duket se, në një moment kur ekonomia gjermane po stagnon tashmë për të pestin vit apo është në recesion, Serbia dhe i gjithë rajoni po fillojnë ta humbin garën për investime,” shpjegon Gajiq dhe shton se bëhet fjalë për një trend më të gjerë rajonal.

“Investimet e huaja direkte po bien në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore, pra rajoni ynë dhe Serbia nuk janë përjashtim, ne ndjekim ato trende të përgjithshme. Po ashtu, disa nga faktorët që më parë tërhiqnin investitorët e huaj në Serbi tashmë nuk janë aq tërheqës. Pagat po rriten më shpejt se produktiviteti, çmimet e energjisë, veçanërisht të rrymës dhe gazit janë rritur, kështu që janë zbehur ato përparësi që më parë i bënin investitorët e huaj të vinin në Serbi dhe në rajon,” thotë Gajiq.

Duke folur për masat që Serbia ndërmerr për të tërhequr investime, ai thekson se ato janë të drejtpërdrejta dhe jo e drejtpërdrejta.

“Masat e drejtpërdrejta janë, siç e shohim shpesh, subvencionet nga buxheti që paguhen për çdo vend pune të hapur nga investitorët e huaj. Masat e tërthorta janë më pak të dukshme , lirime nga pagesat e ndryshme të taksave, kontributeve mbi pagat e punonjësve, shpenzimeve për pajisjen e zonave industriale, dhurimi i tokës apo lirimi nga taksa lokale të tjera. Për shkak se nuk janë të dukshme, nuk mund të vlerësojmë plotësisht sa para janë ndarë, por nga buxheti, çdo vit ndahen mes 120 dhe 150 milionë euro për subvencione,” thekson ai.

Ai shton se këto politika për tërheqjen e investimeve janë efektive, sepse Serbia ende tërheq më shumë investime të huaja në rajon.

“Kur e shikojmë madhësinë e ekonomisë në kuadër evropian, Serbia tërheq dukshëm më shumë investime të huaja se vendet e tjera, jo të matur me pjesëmarrjen në PBB, por në vlerë absolute. Pra, mund të themi se këto politika janë efektive. Megjithatë, niveli i përgjithshëm i investimeve nuk është dukshëm më i lartë, gjë që tregon një problem me investimet vendore relativisht të ulëta dhe me kushtet e përgjithshme për investime në vend,” përfundon Gajiq.