Bashkëpunimi i FSK-së me Forcat e Armatosura të Shqipërisë , a ka arsye për shqetësim në rajon?
Trajnimi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Tiranë, pjesëmarrja në ushtrime të përbashkëta me Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe hartimi i planit të bashkëpunimit deri në vitin 2028… Shqipëria, siç thuhet nga Tirana, është “maksimalisht e përkushtuar në mbështetjen dhe nevojat e FSK-së”.Stërvitjet që po realizohen së bashku, sipas bashkëbiseduesve të Kosovo online, janë në përputhje me standardet e NATO-s, gjë që është veçanërisht e dobishme për FSK një sinjal shqetësues për rajonin do të ishte nëse këto ushtrime përfshijnë simulime të operacioneve ofensive dhe pushtimit të territoreve.
Autor: Dushica Radeka Gjorgjeviq
Pesë kadetë të FSK-së diplomuan javën e kaluar në Akademinë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe do të vazhdojnë shërbimin si oficerë në radhët e FSK-së. Në ceremoninë e diplomimit mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes së Kosovës në detyrë Ejup Maqedonci, me ftesë të ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë Pjerin Vengu.
Në mes të korrikut, po ashtu në Tiranë, u punua në planin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe FSK-së për periudhën 2025–2028.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA të Shqipërisë, gjeneral-lejtnant Arben Kingji, atëherë e vlerësoi përparimin që ka bërë FSK-ja në transformim, modernizim dhe performancën në ushtrime bilaterale dhe multilaterale.
Kingji theksoi rolin e rëndësishëm të FSK-së në sigurinë e Kosovës dhe rajonit, si dhe përkushtimin maksimal të Shqipërisë në mbështetjen e nevojave të FSK-së, në fusha si arsimi, trajnimi dhe shkëmbimi i përvojave.
Edhe pse FSK bashkëpunon ngushtë me shumë vende, sipas ekspertit të sigurisë Hysen Gecaj nga Prishtina, bashkëpunimi ushtarak me Shqipërinë është më domethënës dhe specifik sepse komunikimi është më i lehtë pasi të dyja palët flasin gjuhën shqipe dhe sepse fushat e stërvitjes ku ata kryejnë ushtrime janë afër, gjë që ul kostot. Bashkëpunimi kryesisht i referohet stërvitjeve të përbashkëta dhe arsimimit të përbashkët të kadetëve.
"FSK tani ka disa kadetë që studiojnë në akademinë ushtarake të Shqipërisë dhe ata mund të sjellin kadetët e tyre këtu të cilët do të fitonin disa përvoja dhe njohuri të reja se si funksionon në Kosovë", tha Gecaj për Kosovo online.
Kur bëhet fjalë për sërvitjet, sipas tij, në Kosovë mund të shfrytëzohet poligoni Babaj Boks afër Gjakovës, ndërsa në Shqipëri poligonët janë shumë më të mëdhenj dhe ofrojnë më shumë hapësirë për destinime të tjera, për shembull për artilerinë.
Qëllimi i bashkëpunimit është, siç thotë ai, që të harmonizohet mënyra e veprimit, komandimit dhe përgatitjes së oficerëve, duke filluar nga shtabet bazë e deri në nivelet më të larta.
„Kjo e lehtëson bashkëpunimin eventual të dy ushtrive në fushëbetejë, nëse do të vinte deri te një situatë e tillë“, thekson ai.
Të gjitha stërvitjet që zhvillohen së bashku dhe njohuritë shkencore që fitohen nga këto marrëdhënie, siç thekson ai, janë të harmonizuara me standardet e NATO-s, dhe në këtë drejtim, FSK përfiton nga bashkëpunimi me ushtrinë shqiptare, e cila është pjesë e NATO-s dhe që i njeh këto standarde më shumë dhe më mirë sesa FSK.
"Kohët e fundit, FSK ka arritur një nivel të lakmueshëm. Nënoficerët, oficerët, ushtarët i kanë kuptuar këto standarde dhe tani e kryejnë punën e tyre të përditshme në të njëjtën mënyrë siç e bëjnë ushtritë e NATO-s, të gjitha vendet evropiane që janë anëtare të NATO-s dhe SHBA-të", thotë ky ekspert i sigurisë.
Kosova, shton ai, bashkëpunon jo vetëm me Shqipërinë, por ka edhe bashkëpunim të ngushtë ushtarak me vende të tjera si SHBA-të, Gjermania dhe Britania e Madhe. Në një shkallë më të vogël dhe në një nivel më të ulët, ka bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut, e cila gjithashtu shkollon disa kadetë nga Kosova, si dhe Turqinë dhe shumë vende të tjera.
Për sa kohë që bashkëpunimi midis Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe FSK-së nuk drejtohet në mënyrë të qartë kundër dikujt, sipas mendimit të Marko Savkoviq, këshilltar i lartë i Fondit ISAK, kjo nuk shkakton shqetësim. Megjithatë, ai shton se kapacitetet e njërës dhe palës tjetër janë disi të kufizuara.
“Shqipëria nuk ka mjetet që, për shembull, mund t’i transferojë në Prishtinë ose ta ndihmojë të armatoset. Mund të ndihmojë me stërvitjen dhe supozoj se bashkëpunimi i tyre, mbi të gjitha, i referohet shkëmbimit të informacionit, pjesëmarrjes së përbashkët në stërvitje dhe ushtrime ushtarake, planifikimit për të marrë pjesë në stërvitje ushtarake, patrullimit të asaj që e konsiderojnë kufirin e tyre të përbashkët. Kjo nuk duhet të jetë një arsye e madhe për shqetësimin e Beogradit”, tha Savkoviq për Kosovo online.
Në parim, beson ai, nuk ka asgjë të diskutueshme në bashkëpunimin në lidhje me stërvitjen e përbashkët dhe përmbushjen e misioneve themelore të forcave të armatosura, dhe se duhet të kihet parasysh se Kosova dhe Shqipëria e shohin veten si fqinjë dhe se fqinjët bashkëpunojnë.
Megjithatë, një sinjal problematik si për Beogradin ashtu edhe për rajonin do të ishte nëse do të kryhej një stërvitje ushtarake që simulon një operacion ushtarak në shkallë më të gjerë, i cili mund të përfshijë operacione ofensive dhe pushtimin e territoreve.
"Porse, nuk shoh që Kosova dhe Shqipëria, edhe së bashku, ta kenë atë kapacitet. Është e vërtetë që dolëm nga momenti kur lufta ishte përjashtuar plotësisht. Është një ndryshim i madh që ndodhi, sepse është absolutisht e mundur të riimagjinohet konflikti, por gjithashtu besoj se ka arsye të mjaftueshme në rajon. Konflikti në këtë moment nuk është në favor të askujt, përveç ndoshta Kryeministrit të Kosovës. Por mendoj se të gjithë aktorët e tjerë janë shumë të vetëdijshëm se sa delikat është ekuilibri në rajon dhe se çdo veprim mund të prishë gjithashtu besimin, i cili tashmë është shpenzuar kryesisht", vëren Savkoviq.
Përndryshe, në mars të këtij viti, Kosova dhe Shqipëria, së bashku me Kroacinë, përfunduan Deklaratën mbi Aleancën Ushtarake.
Kjo marrëveshje shkaktoi vëmendje dhe shqetësim të veçantë në Beograd, dhe Savkoviq beson se plani i bashkëpunimit midis FSK-së dhe ushtrisë shqiptare për tre vitet e ardhshme me siguri do të nënshkruhej, pavarësisht nga kjo Deklaratë.
Ajo që duhet t'i shqetësojë të gjithë, paralajmëron ai, është gara e armatimeve në rajon dhe kur shihet se alokimet e mbrojtjes po rriten.
"Është një trend që po ndodh në të gjithë Evropën dhe që transferohet edhe në këtë rajon. Por këtu është në të njëjtën kohë e shoqëruar me besimin në rënie që ekziston midis aktorëve. Beogradi ka arsye të jetë i shqetësuar në këtë kuptim, por gjithashtu duhet të ngrejë pyetjen nëse ka një mënyrë për të rivendosur besimin, nëse ai ekzistonte. Ne kishim bashkëpunim rajonal mjaft të zhvilluar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes deri rreth dhjetë vjet më parë, dhe në një moment u ngrit në një nivel shumë të lartë, deri në atë masë sa edhe shërbimet e sigurisë bashkëpunonin. Tani kam përshtypjen se po kthehemi vite prapa, dhe kjo duhet të na shqetësojë", tregon bashkëbiseduesi ynë.
Analisti politik dhe redaktori i gazetës ditore “Tema” në Tiranë, Ylli Pata, thotë se strukturat e ushtrisë shqiptare dhe FSK-së kanë prej kohësh marrëdhënie të ngushta, kryesisht në fushën e logjistikës dhe kur janë të nevojshme aksione humanitare, dhe se takimi i përfaqësuesve të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë me përfaqësues të FSK-së për hartimin e një plani bashkëpunimi bilateral për tre vitet e ardhshme, nuk përbën ndonjë rast të ri të bashkëpunimit ushtarak mes Shqipërisë dhe Kosovës.
„FSK-ja ka ardhur në Shqipëri kur ka pasur tërmete apo raste të tjera të katastrofave natyrore. Gjithashtu, kemi marrëveshje mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë për bashkëpunim ushtarak, që në një mënyrë është pjesë e angazhimit ndaj NATO-s, sepse Shqipëria ka forca të saj ushtarake në kuadër të KFOR-it në Kosovë, ashtu si edhe Kroacia. Kosova ka forca të NATO-s në territorin e saj që nga viti 2001, të cilat nuk janë aq të shumta si më parë dhe janë reduktuar, por gjithsesi këto forca kanë një rol thelbësor që duhet ta ketë ushtria – siç është ruajtja e kufijve të Kosovës“, thekson Pata.
Ai beson se bashkëpunimi mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe SHPK-së nuk ka ndikim negativ në rajon, por gjithashtu thekson se është më e rëndësishme që Shqipëria, si anëtare e NATO-s, të kuptojë se siguria rajonale dhe stabiliteti rajonal janë më të rëndësishme për NATO-n sesa marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën ushtarake, që sipas tij nuk është “nxitje lufte”.
" Forcat e sigurisë së Kosovës dhe ushtria shqiptare nuk janë struktura aq të armatosura rëndë krahasuar me ushtritë ballkanike si Kroacia apo Serbia, të cilat vitet e fundit kanë pasur një rritje të madhe të furnizimeve dhe armëve. Ky bashkëpunim nuk mund të quhet negativ, sepse ndihmon vetëm në atë që ne e quajmë bashkëpunim interaktiv, qoftë ushtarak apo politik, midis aktorëve në rajon", beson bashkëbiseduesi ynë.
Në rajon, thekson ai, ekzistojnë lloje të ndryshme të bashkëpunimit ushtarak, dhe si shembuj përmend bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kroacisë dhe Shqipërisë dhe Malit të Zi brenda NATO-s.
"Kemi edhe shembullin e stërvitjes ushtarake 'Defender 2025', ku morën pjesë disa ushtri nga rajoni. Pastaj është bashkëpunimi midis Serbisë dhe Hungarisë. Ka edhe marrëveshje midis ushtrive për mbrojtjen e kufijve. Hungaria është gjithashtu një vend i NATO-s dhe ka marrëdhënie shumë të mira me Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, madje edhe me Maqedoninë e Veriut", konstaton Pata.
0 komentet