Bordi i Paqes nuk është zëvendësim për OKB-në, por përpjekje e Trampit për të krijuar “botën e tij”

Donald Tramp, Odbor za mir
Burim: Društvena mreža X/POTUS

Bordi i Paqes – një trup i ri i krijuar me iniciativën e presidentit amerikan Donald Tramp në kuadër të fazës së dytë të planit amerikan për Rripin e Gazës, ka shkaktuar polemika të shumta që në momentin kur kreu i SHBA-së e bëri publike këtë ide dhe, praktikisht, “hodhi dorëzën” ndaj Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, bashkëbiseduesit e Kosovo online vlerësojnë se Bordi i Paqes nuk do të mund t’i zëvendësojë Kombet e Bashkuara, por përfaqëson përpjekjen e Trampit për të “krijuar botën e tij”, pasi ai nuk ka ndërmend të kthehet në kornizat e së drejtës ndërkombëtare.

Shkruan: Zoran Mirkoviq

Nga ideja e Trampit deri te realizimi nuk kaloi shumë kohë, ndaj Forumi Ekonomik Botëror në Davos u zgjodh si skena për aktin e parë.


Ajo që dihet deri tani është se në grupin e parë të nënshkruesve të Statutit të Bordit të Paqes në Davos ishin 19 zyrtarë, nga: Kosova, Pakistani, Argjentina, Jemeni, Azerbajxhani, Bullgaria, Bahreini, Maroku, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Paraguaji, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistani dhe Mongolia.

Dihet gjithashtu se Franca dhe Spanja e refuzuan ftesën, se Mbretëria e Bashkuar është e rezervuar, ndërsa kancelari gjerman Fridrih Merc deklaroi se “do të ishte i gatshëm t’i bashkohej iniciativës, por nuk mund ta pranojë planin në formën e tij aktuale”, ndërsa Italinë Kushtetuta e saj e pengon që t’i bashkohet kësaj iniciative.

Është e njohur edhe se Kina ka marrë ftesë, por ende nuk ka dhënë përgjigje, ndërsa lideri rus Vladimir Putin tha se e ka marrë ftesën dhe se dokumentet do të shqyrtohen, me një vërejtje ironike se Rusia është e gatshme t’i japë një miliard dollarë Bordit të Paqes nga fondet e ngrira në SHBA.

Dihet edhe se kush do ta drejtojë Bordin e Paqes, vetë Trampi, i cili mban të gjitha kompetencat në duart e tij, madje edhe atë për të përjashtuar anëtarë dhe për të tërhequr ftesa për anëtarësim, siç bëri në rastin e Kanadasë.

Po ashtu dihet edhe sa kushton “anëtarësia” në këtë “klub”, një miliard dollarë për anëtarësim trevjeçar, çka nuk është një shumë e vogël për vendet e vogla, por është e domosdoshme të gjendet nëse kërkohet mëshira e Trampit.

Të panjohura mbeten të gjitha të tjerat – sa vende do t’i bashkohen përfundimisht këtij trupi, çfarë dhe si do të bëjë, si do të funksionojë.

Për Trampin, Bordi mund të jetë një nga trupat ndërkombëtare më të mira të krijuara ndonjëherë dhe të realizojë shumë gjëra kur të formohet plotësisht. Edhe pse fillimisht tha se Bordi mund të zëvendësonte Kombet e Bashkuara, në Davos ai deklaroi:

“Kombinimi i Bordit të Paqesdhe OKB-së mund të jetë diçka unike për botën.”

Por, a do të jetë?

Bordi i Paqes do të ketë jetë të shkurtër

Bashkëpunëtori i lartë në Qendrën për Evropë dhe Euroazi në Institutin Hudson në Uashington, Daniel Koçis, vlerëson se është disi e paqartë se ku do të përshtatej Bordi i Paqes në arkitekturën globale të institucioneve multilaterale.

Ai tha për Kosovo online se shqetësimi i shumë fuqive të Evropës Perëndimore për dyfishimin e OKB-së ka bërë që ato të jenë më pak të prira për të marrë pjesë, duke e parë këtë si një lloj iniciative të Trampit që ndoshta nuk do t’i mbijetojë mandatit të tij.

“Prandaj, kjo ka të ngjarë të jetë një fushë që fuqitë e Evropës Perëndimore kryesisht nuk do ta shfrytëzojnë. Dhe mendoj se kjo do të jetë diçka që me shumë gjasë do të ketë jetë të shkurtër”, vlerëson Koçis.


Qasja imperiale e SHBA-së, si qëndrimi i Romës ndaj provincave

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Vjenës, Heinz Gertner, konsideron se Bordi i Paqes është në të vërtetë një përpjekje e Donald Trampit për të krijuar botën e tij si konkurrencë ndaj Kinës dhe për të siguruar aleatë, ndaj ai nuk beson se mund të zëvendësojë Kombet e Bashkuara, ashtu si nuk mund të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe Serbisë.

Ai vë në dukje se Kombet e Bashkuara kanë një koncept krejt të ndryshëm, pasi janë themeluar mbi bazën e barazisë sovrane të shteteve anëtare, ndërsa në Bordin e Paqes vendet kanë “blerë” vendin e tyre.


“Në një botë bipolariteti, duket se bëhet fjalë për përpjekjen e Trampit për të krijuar botën e tij si konkurrencë ndaj Kinës. Në të ekziston një marrëdhënie imperiale, si qëndrimi i Perandorisë Romake ndaj provincave. Natyrisht, ekziston një pjesëmarrje indirekte vullnetare, edhe pse e shtrenjtë. Bordi i Paqes është një përpjekje për të krijuar botën e tij, por nuk mund të zëvendësojë Këshillin e Sigurimit të OKB-së. E vetmja e drejtë e vetos në Bordin e Paqes i takon Shteteve të Bashkuara,” theksoi Gertner për Kosovo online.

Ai është i bindur se SHBA do të përpiqet të dobësojë Kombet e Bashkuara, por gjithashtu do të “mbajë një këmbë brenda OKB-së”.

Gertner shton se shtetet, edhe pa Bordin e Paqes, mund të ndërmjetësojnë në zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje.


Kosova e di si arrihet paqja

As të gjitha të panjohurat, as ato që shqetësojnë vendet e mëdha evropiane, nuk e shqetësuan shumë Kosovën, e cila menjëherë pranoi ftesën.

Nënshkrimin në dokumentin e Davosit e vendosi presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila thotë se ka më shumë arsye pse Kosova iu bashkua Bordit, dhe se ata e dinë si arrihet paqja. E veçanta është se liderët e tre partive më të mëdha opozitare përshëndetën pjesëmarrjen në Bordin e Paqes, por lideri i partisë më të madhe dhe kryeministri në mandat teknik, Albin Kurti, ende nuk është shprehur.

Megjithatë, duket se në Prishtinë nuk kanë dilema se pjesëmarrja në këtë iniciativë forcon pozicionin e tyre ndërkombëtar, edhe pse nuk u është shumë e qartë çdo gjë.

“Është mirë që edhe Kosova është e pranishme, por natyrisht mbetet të shihet se çfarë dhe si do të sjellë kjo iniciativë. A do të mbetet thjesht një iniciativë që nuk do të prodhojë asgjë konkrete, apo do të jetë një iniciativë që do të merret drejtpërdrejt me ndërtimin e Gazës. Aktualisht, asgjë nuk është shumë e qartë për këtë çështje,” konstatojnë analistja Alma Lama.


Prandaj, ajo nënvizon se vlera kryesore e pjesëmarrjes së Kosovës në Bordin qëndron në mundësinë për të kontaktuar drejtpërdrejt me liderët e shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë.

Edhe ish-diplomati Albert Prenkaj thekson se pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes është e rëndësishme, veçanërisht për shkak të afërsisë me SHBA-të.

Ai nënvizon se qëllimi afatgjatë i Kosovës mbetet rritja e numrit të njohjeve ndërkombëtare, në mënyrë që të arrihet një “numër kritik shtetesh” që do të hapë rrugën për dorëzimin e kërkesës për anëtarësim në Kombet e Bashkuara.


Shqipëria po “luan një lojë më të madhe se kapacitetet e saj reale”

Edhe kryeministri shqiptar Edi Rama nuk e vonoi shumë përgjigjen ndaj ftesës së Trumpit. Me një letër drejtuar liderit të SHBA-së, ai falenderoi për ftesën, duke theksuar se si organizatë e re ndërkombëtare, Bordi i Paqes është menduar si një instrument i fokusuar dhe efektiv i udhëheqjes globale dhe përgjegjësisë. Më pas, edhe parlamenti miratoi anëtarësimin në Bordin e Paqes.

Megjithatë, analisti shqiptar Endri Tafani paralajmëroi se mungoi një analizë e detajuar e përfitimeve dhe kostove që vendi mund të ketë nga organizata e re, duke ngritur pyetje për marrëdhënien e Bordit i Paqes me OKB-në dhe BE-në, rolin konkret të Shqipërisë në të, si dhe implikimet politike dhe financiare të angazhimit në një iniciativë që mund ta fusë vendin në një lojë gjeopolitike “më të madhe se kapacitetet e tij reale”.

“A mund të jemi pjesë e një organizate që është kundër BE-së? Shqipëria, e cila bëhet pjesë e këtij Bordi dhe njëkohësisht synon anëtarësimin në BE, hyn në një lojë më të madhe sesa ka kapacitet të përballojë. Aspekti financiar nuk u përmend fare në parlament. Nuk u diskutua as nëse Shqipëria do të jetë anëtare e përhershme apo e përkohshme e Bordit të Paqee për Gazën,” tha Tafani, duke shtuar se Shqipërisë i leverdis të jetë pranë SHBA-së, pasi BE ka problemet e veta të brendshme.

Trump nuk ka ndërmend të kthehet në kuadrin e vjetër të OKB-së

Megjithëse ekzistojnë shumë të panjohura rreth Bordit të Paqes, e vetmja gjë e sigurt është se nuk ka kthim mbrapsht, pasi presidenti amerikan nuk ka ndërmend të rikthehet brenda kuadrit të së drejtës ndërkombëtare, vlerëson politologu Vedran Xhihiq nga Instituti Austriak për Politikë Ndërkombëtare.

“Ne kemi idenë e Bordit, kemi pasur takimin e parë, pra mbledhjen themeluese në Davos dhe kemi një anëtarësi të kufizuar, e cila sigurisht nuk përfaqëson rendin global në tërësi. Ka vende qendrore që nuk i janë bashkuar në këtë moment. Nuk dihet se sa vende do t’i bashkohen Borditt ë Paqes dhe nuk dihet çfarë konkretisht do të bëjë ky Bord dhe në çfarë mënyre,” vëren Xhihiq.

Duke marrë parasysh, siç thotë ai, politikën arbitrare të jashtme të Trumpit ku gjërat mund të ndryshojnë brenda 24 orësh, Xhihiq thekson se nuk është i sigurt për ekzistencën e garancive për stabilitet dhe punë serioze.

Ajo që dimë është se një rend i ri po lind, por nuk e dimë se si do të duket, konstaton Xhihiq.

“Ajo që dimë është se nuk ka kthim mbrapsht. Trump nuk ka ndërmend të kthehet në kuadrin e vjetër të OKB-së, rregullave ndërkombëtare dhe së drejtës ndërkombëtare,” është i bindur Xhihiq.

Ai shton se kjo padyshim do të ketë pasoja për Ballkanin Perëndimor, i cili do të varet shumë nga marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Evropës.

Bordi i Paqes, shtylla e botës së Trumpit

Bashkëpunëtori në organizatën “Rruga e Re e Tretë”, Petar Doniq, thotë se Bordi i Paqes është shtylla e botës së re që ka sjellë Trumpi, por që do të ketë vështirësi të zëvendësojë Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pasi lidhet me udhëheqës konkretë dhe zgjidhje konkrete.

“OKB-ja është konceptuar krejtësisht ndryshe. Aty shtetet veprojnë pavarësisht zgjidhjeve personale, ka karakter afatgjatë dhe është më e ngadaltë. Nuk e shoh Bordin si zëvendësim, por padyshim është një lloj konkurrence për zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara dhe emergjente,” tha Doniq.

Ai thekson se OKB-ja në periudhën e fundit ka treguar se ka një rol dukshëm më të vogël dhe nuk mund të përgjigjet shpejt, në kohën që kërkon vendime të shpejta, ndaj Trump, duke inicuar Bordin e Paqes, ka treguar se dëshiron të mbledhë shtetet me të cilat mund të reagojë shpejt.

“Projekti i parë përmes këtij Bordi është Gaza. Atje ai dëshiron të theksojë se çfarë mund të bëjë dhe në atë kontekst janë ftuar shtete – një përzierje e atyre që mund të ushtrojnë ndikim, aleatë tradicionalë, së bashku me ata që kanë sfond islamik dhe mund të ndihmojnë në atë narrativ. Apo dikush që është treguar gjatë mandatit të parë dhe të dytë të Trumpit si aleat i mirë dhe i dobishëm për negociata. Shumë janë ftuar sipas kriterit, por nuk është gjithçka sipas një kriteri të vetëm. Kjo sjell ndarje, sepse disa janë ftuar e disa jo, por këtë vetëm Trump e di,” shpjegoi Doniq.

Prandaj, ai konsideron se në periudhën e ardhshme do të ketë një “zgjidhje hibride”.

“Do të ketë të dyja. Disa çështje do të paraqiten para OKB-së, e disa para Bordit të Paqes,” tha Doniq.